Pas shkëlqimit te Kosova, Marigona Hajdari shkëlqen edhe në Danimarkë
Marigona Hajdari ka shkëlqyer te Kosova në ndeshjet me Belgjikën dhe Bosnjë-Hercegovinën. Ka organizuar lojën në mënyrë shembullore, ndërsa ka ruajtur qetësinë në momentet vendimtare.
Formën e mirë që kishte në Kombëtare, Marigona Hajdari e ka vazhduar te skuadra e elitës daneze, Silkeborg- Voel.
Të enjten mbrëma Silkeborgu fitoi 36:34 ndaj Viborgut për kualifikim në gjysmëfinale të Kupës së Danimarkës. Është ky sukses i madh për këtë skuadër në njërin prej vendeve me hendbollin më të zhvilluar në botë.
Ndeshja ishte shumë e fortë dhe u vendos pas dy vazhdimeve nga pesë minuta. Vendimtare në fund ishte lojtarja jonë. Marigona shënoi për 34:32 në minutën e 67-të. Shënoi më pas për 35:32 në minutën e 68-të. Viborgu u afrua në 35:34 dhe kërkonte barazimin. Por 16 sekonda para fundit Hajdari mori përgjegjësinë. Bëri asistim vendimtar për 36:34.
Silkeborgu e organizon turneun final të Kupës daneze dhe do të jetë tjetër rast që Marigona Hajdari të shfaq cilësitë e mëdha.