Pas shumë dekadash, po ndodh transformimi i Pallatit të Rinisë në Prishtinë
Pas rinovimit të dy hapësirave të rëndësishme, palestrës së sportit dhe amfiteatrit të TKK-së, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit do të nis investimet në ndërhyrjet për rinovim edhe rivitalizim të sallës së madhe të sportit (salla universale), hapësirave dhe strukturave ndërlidhëse të sportit, sallës së kuqe, ateliesë, amfiteatrit të dytë, atriumit, pllatosë dhe parkingut nën-tokësor, ka njoftuar MKRS-ja.
Këto hapësira për dekada me radhë kanë qenë jashtë funksionit në mungesë të investimeve në mirëmbajtjen dhe rinovimin e tyre.
Memorandumi i nënshkruar sot nga u.d sekretari i përgjithshëm i MKRS-së, Xheladin Krasniqi dhe kryeshefja e Ndërmarrjes Publike Lokale “Pallati i Rinisë dhe Sporteve”, në Prishtinë, Mrika Gashi, parashihet të zgjatë tri vite dhe investimet e reja që do të ndodhin do të jenë në shërbim të artistëve, sportistëve e të rinjve tanë dhe për mikpritjen e Lojërave Mesdhetare Prishtina 2030.