Pas skandalit, “Facebook” bën ndryshime për privatësinë e përdoruesve
“Facebook” ka njoftuar se ka bërë ndryshime për të përmirësuar privatësinë e përdoruesve, duke i’u dhënë atyre më shumë kontroll mbi informacionet e tyre, pas shqetësimeve se të dhënat e përdoruesve të rrjetit social, janë përdorur për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale në SHBA më 2016.
Rrjeti social sot ka thënë se ka thjeshtësuar procedurën e ndryshimit të të dhënave për përdoruesit, ndërkaq ka ndërmarrë hapa që të parandalojë që palët e treta të përdorin informacionet e përdoruesve të “Facebook”-ut.
“Facebook” po përballet me presion të madh pasi është raportuar se të dhënat e 50 milionë përdoruesve i janë dhënë kompanisë politike konsulente, “Cambrigde Analytica”. Kjo kompani ka qenë e punësuar nga fushata presidenciale e Donald Trump.
“Cambridge Analytica”, firmë politike konsulente, me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, akuzohet për përdorimin e të dhënave të 50 milionë anëtarëve të “Facebook”-ut, për të ndikuar zgjedhjet presidenciale në SHBA, më 2016. Por kjo kompani ka mohuar se ka keqpërodrur të dhënat e përdoruesve të rrjetit social.