Pas sulmeve serioze kriminalenë në veri, Policia shton masat e sigurisë në nivel vendi
Policia e Kosovës ka njoftuar se ka shtuar masat e sigurisë në vend, përfshirë edhe në veri të vendit, ku ditëve të fundit kanë ndodhur disa “sulme/incidente serioze kriminale”, shkruan Reporteri.net.
Në njoftimin e Policisë thuhet se kjo është bërë me qëllim të shtimit të sigurisë publike dhe parandalimit të incidenteve të natyrave të ndryshme.
“Me planifikimet e parapara do të ketë shtim të aktiviteteve policore për të ofruar më shumë siguri në tërë vendin, për të gjithë qytetarët pa dallim. Planifikimet operative policore do të fokusohen në rritjen e prezencës policore në teren, duke realizuar më shumë patrullime në zona më kritike, më shumë pika kontrolli dhe rritje të bashkëpunimit me qytetarët”, thuhet në njoftim.
Qëllimi i operacioneve policore do të jetë siguria e qytetarëve, siguria e pronës së tyre e pronës publike dhe asaj institucionale.
“Policia me anë të veprimeve operative dhe atyre inteligjente do të ketë synim që të ruajë rendin e qetësinë publike, të parandalojë aktet kriminale e të hetojë e vejë para drejtësisë të gjitha ata që do të guxojnë të atakojnë sigurinë, ligjin dhe rendin kushtetues.
Duke pasur parasysh se ndihmë të madhe në realizimin e objektivave policore për më shumë siguri në vend, ka edhe bashkëpunimi me qytetarë, policia duke falënderuar për bashkëpunimin e deritashëm, fton qyfterët që edhe tani e tutje të ndajnë me ne informacione që shkojnë në drejtim të rritjes së sigurisë për të gjithë pa dallim”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Ndryshe, para dy ditësh, autoritetet njoftuan se stacioni policor në Zveçan ishte sulmuar me dy granata dore. Përveç dëmeve materiale, nuk u raportua për të lënduar.
Ndërkaq, sot Policia bëri të ditur se është sulmuar me një mjet shpërthyes, që dyshohet të jetë granatë dore, edhe ndërtesa e Komunës së Zveçanit.
Ky incident është dënuar nga autoritetet shtetërore, teksa kryeministri Albin Kurti, i ka cilësuar sulmet e fundit si “akte kriminale dhe terroriste që kanë qëllim të ndjellin frikë”.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, publikoi edhe disa pamje.
“Sulmet e ditëve të fundit ndaj institucioneve në veri janë shprehje e dëshprimit dhe qyqarllëkut të bandave kriminale me dirigjim nga Beogradi. Në kohën kur po çmontohen ditë e më shumë, dëshpërimisht duan të tregojnë se ende janë këtu dhe të fortë. Por, ne jemi më të vendosur se kurrë deri në eliminimin e plotë të secilës grimcë kriminale e terroriste në vendin tonë. E themi troç atë që kemi përsëritur përgjatë këtyrë katër viteve: Koha e pandëshkueshmërisë dhe amnistisë ndaj bandave kriminale ka përfunduar. Kushtetushmëria, ligjshmëria, rendi e ligji do të funksionojnë në çdo cep sikurse liria dhe të drejtat e qytetarëve nuk mund t’i ndalojë askush përmes frikës e terrorizimit”, ka shkruar Sveçla.