Pas sulmeve të paprecendta ndaj gjyqësorit, Kryeziu kërkon nga pushteti “të mbajnë duart larg Gjykatës Kushtetuese”
Në një kohë sulmesh të papara nga pushteti ndaj institucioneve të drejtësisë, e në veçanti ndaj Gjykatës Kushtetuese me cilësime degraduese si “jo kompetentë”, “jo kredibilë” dhe si “mjedis i korruptuar” – shqetësimet kanë marrë përmasa të mëdha, ku edhe diplomatë të shteteve perëndimore kanë kërkuar që Gjykata Kushtetuese duhet të jetë e lirë nga presione politike dhe deklarimet që rrezikojnë të minojnë besueshmërinë e publikut në të.
Edhe ish-gjyqtari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu, në një intervistë në KTV ka kërkuar nga institucionet shtetërore “të mbajnë duart larg ndaj Gjykatës Kushtetuese” dhe se këto sulme të këtij pushteti “me vëllim më të madh…ua humbasin vullnetin gjyqtarëve”.
“Në shtetet demokratike ndaj gjyqësorit të gjithë duhet t’i mbajnë duart larg. Ky presion ka ardhur për shkak të autoritetit të shtetit që po ndikon, apo veprojnë ashtu si s’duhet të veprojnë ndaj Gjykatës Kushtetuese. Qëllimet e autoritetit të shtetit janë politike të cilët nuk mund të ndikojnë, por pak humb vullneti për punë në një institucion që është i pavarur. Nuk kanë të drejtë, nuk duhet të veprojnë por vetëm t’i zbatojnë vendimet e Kushtetueses”, ka thënë Kryeziu.