Pas suspendimit nga UP-ja, prokuroria inicion rast ndaj profesorit Xhevat Krasniqi
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka filluar procedurat hetimore ndaj profesorit të Universitetit të Prishtinës, Xhevat Krasniqi për “ngacmim seksual”.
Zëdhënësja e prokurorisë, Laureta Ulaj, bëri të ditur se tashmë janë duke u mbledhur dëshmitë dhe po merren deklarata nga personat e involvuar.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, sipas detyrës zyrtare ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale ‘ngacmimi seksual’, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Prokuroria ka autorizuar policinë në ndërmarrjen e veprimeve hetimore, për të grumbulluar provat dhe informatat që lidhen me këtë çështje. Aktualisht, janë duke u marrë deklarata të personave të përfshirë në këtë rast, si dhe po kryhen veprime të tjera hetimore, konform dispozitave të KPPRK-së.”
Nga ana tjetër, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” ka marrë masat e nevojshme duke pezulluar profesor Krasniqi nga detyra.
Vendimi u mor pasi Këshilli i Etikës rekomandoi pezullimin e tij.
“Rektori i UP-së mori vendim për pezullimin nga puna të Prof. Xh.K., me efekt të menjëhershëm, duke u bazuar në rekomandimet e Këshillit të Etikës dhe në përputhje me rregulloren e brendshme derisa hetimi i prokurorisë të përfundojë,” theksoi komunikata zyrtare e Universitetit.
Profesor Xhevat Krasniqi, i cili mësimdhënës në Fakultetin e Edukimit, tashmë është në qendër të një kontrolli të rreptë pasi është denoncuar nga 27 studente për sjellje të papërshtatshme dhe ngacmim seksual.
Akuzat e studenteve fillimisht u paraqitën në Këshillin e Etikës të Fakultetit të Mjekësisë, i cili vendosi të ndërpresë bashkëpunimin me Krasniqin, por masa të mëtejshme do të varen nga rezultatet e hetimit të prokurorisë.