Thaçi u takua me Vuçiqin në Shtëpinë e Bardhë, kërkon që për këtë takim të raportojë të mërkurën në Kuvend
Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka bërë me dije se tani sapo ka përfunduar takimin me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq në Shtëpinë e Bardhë në Uashington.
Thaçi ka thënë se është rrugës për në Kosovë dhe pret që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, t’i mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin me Vuçiqin.
Në shkrimin e tij në llogarinë e vet në “Facebook”, ka thënë se ShBA-ja vazhdon të mbetet besimi ynë, shkruan “Epoka e re”.
Postimi i plotë i Thaçit:
Sapo përfundova një takim të përbashkët me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Shtëpinë e Bardhë, me ftesë të emisarit special për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Richard Grenell, ku i pranishëm ishte edhe Këshilltari për Siguri Kombëtare, Robert O’Brien.
Kosova është e bekuar me mbështetjen e Amerikës dhe Presidentit Trump.
Tani jam rrugës për në Kosovë. Pres që menjëherë, të mërkurën apo të enjten, të më mundësohet raportimi në Kuvendin e Republikës së Kosovës, për t’i njoftuar deputetët dhe qytetarët e Kosovës për takimet në Uashington dhe më specifikisht për takimin e sotëm.
Duke qëndruar të bashkuara institucionet, partitë politike dhe qytetarët, Kosova do të jetë edhe më e fortë.
SHBA është shpresa dhe besimi ynë. Jemi mirënjohës përjetë! HTH