Pas taksës paralajmërohen edhe masa tjera ndaj Serbisë
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për taksën 100 për qind për të gjitha importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina mund të pasohet edhe me masa shtesë ndaj Serbisë, paralajmërojnë autoritetet në Prishtinë.
Qeveria e Kosovës ende nuk e ka definuar se cilat do të jenë ato masa, por si të tilla do të pasonin vendimin e 21 nëntorit, për vendosjen e taksës 100 për qind.
Të shtunën, ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli ka paralajmëruar se ka marrë vendim që të shpallen persona të padëshiruar apo non-grata, të gjithë zyrtarët serbë që bëjnë deklarata në mohim të krimeve të luftës në Kosovë.
Ndërkohë që ditëve të fundit, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj, kanë paralajmëruar se Kosova mund të ashpërsojë masat deri në reciprocitet të plotë, varësisht sjelljeve të shtetit të Serbisë ndaj Kosovës.
Haki Shatri, këshilltar i kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se ende nuk ka ndonjë masë konkrete që mund të vendoset, por që disa masa reciprociteti ndaj Serbisë, sipas tij,janë duke u shqyrtuar nga Qeveria.
“Nuk ka diçka konkrete deri më tani, por masa e reciprocitetit si vendosja e ndalimit të hyrjeve të automjeteve me targa të Serbisë në Kosova, si dhe mosnjohja e patentë-shoferëve dhe masa të tjera, janë duke u shqyrtuar të vendosen nëse paraqitet nevoja”, ka thënë Shatri.
Politologu Ramush Tahiri, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se vendosja e masës së plotë të reciprocitetit ndaj Serbisë në parim është e drejtë që mund të shfrytëzohet.
Sipas tij, edhe me marrëveshjet që janë arritur në Bruksel ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është paraparë reciprociteti.
Megjithatë, siç ka theksuar Tahiri, problemi është se masat e reciprocitetit të plotë të paralajmëruara nga Qeveria e Kosovës nuk po hasin në përkrahje nga mekanizmat ndërkombëtarë.
“Qeveria e Kosovës ka filluar të ketë një politikë ndryshe ndaj Serbisë me qëllim të forcon dinjitetin e vet shtetëror dhe sovranitetin, por që edhe Serbia të ndjejë pasojat e politikës që i bën ndaj Kosovës. Por, që këto masa nuk po e kanë përkrahjen e Bashkimit Evropian”.
“Duket diplomacia jonë nuk po ka argumentim të drejtë dhe të mirë pasi që masat reciproke kudo në botë pranohen dhe janë në norma ndërkombëtare, kurse masat e njëanshme siç ishte taksa doganore 100 për qind nuk janë. Kosova nuk dihet se pse po përcaktohet për masa që nuk janë popullarizuese dhe nuk po përcaktohet për norma siç është reciprociteti që janë normale në raport mes shteteve”, ka thënë Tahiri.
Një masë reciprociteti ndaj Serbisë, Kosova e kishte aplikuar në korrik të vitit 2011.
Kjo masë e reciprocitetit në atë kohë ishte marrë pasi që Serbia për tre vite pas shpalljes së pavarësisë në Kosovën në vitin 2008 kishte bllokuar mallrat nga Kosova për shkak të ndërrimit të vulave nga ato të UNMIK-ut në ato të Republikës së Kosovës.
Deputetja e Kuvendit të Kosovës, në radhët e Alternativës, Mimoza Kusari – Lila, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë”, se Kosova do të duhej të vendosë masë reciprociteti ndaj Serbisë.
“Një reciprocitet me Serbinë do të kishte një efekt më të madh pasi që do të ishte një pasqyrë e veprimeve të Serbisë ndaj Kosovës dhe do të humbet argumenti i Serbisë karshi bashkësisë ndërkombëtare se ata janë viktima apo të gatshëm për marrëveshje me Kosovën, por Kosova nuk është e gatshme se po mban taksën. Përderisa reciprociteti do të tregon se gjitha veprimet që i bënë Serbia të njëjta i ndërmerr edhe Kosova”, ka theksuar Kusari – Lila.
Megjithatë, ajo ka thënë se për masë të plotë reciprociteti duhet të koordinohen veprimet brenda institucioneve të vendit.
“Problemi kryesor në Qeverinë Haradinaj është mungesa e një konsensusi të brendshëm politik në kuadër të Qeverisë. Për të marrë një masë reciprociteti duhet të ketë një konsensus të brendshëm në kuadër të Qeverisë, pastaj duhet të këtë koordinim të mirëfilltë profesional dhe përmbajtësor dhe t’i ketë të gjitha veprimet e akorduara dhe plane tjera në rast të dështimit apo zbatimit të ndonjë vendimi”, ka theksuar ajo.
Sidoqoftë, asnjë nga masat e reciprocitetit apo së fundi edhe taksa 100 për qind për produktet me orgjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nuk janë përkrahur nga mekanizmat ndërkombëtarë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vazhdimësi kanë kërkuar që të hiqet taksa, duke e konsideruar taksën 100 për qind edhe si shkelje e Marrëveshjes për Tregti të Lirë, CEFTA.