Pas tragjedisë në Gjilan, Veliu e Qalaj vizitojnë Hazirin
Pas tragjedisë që ka ndodhur dje në Gjilan, kryetari i kësaj komune, Lutfi Haziri, ka pritur sot në takim ministrin e Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, Agim Veliu dhe drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj.
Me këtë rast, Haziri ka bërë me dije se janë duke u përgatitur për ceremoninë varrimit të pesë anëtarëve të familjes Bllaca.
“E falënderoj ministrin e Brendshëm, mikun tim Agim Veliu, i cili sot është në vizitë për të parë nga afër zhvillimet pas tragjedisë që e përjetuam dje. Trupat e pajetë janë në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion. Ne po presim që një pjesë e familjes të vinë nga Kanada në Gjilan dhe po përgatitemi për ceremoninë e varrimit bashkë me komunitetin e Cernicës dhe familjen Bllaca”, është shprehur Haziri.
Ndërsa Veliu u ka shprehur ngushëllime gjilanasve për këtë ngjarje tragjike.
“Ju shpreh ndjenjën e keqardhjes për rastin që ka ndodhur dje. Kryetarit Haziri i shpreha ngushëllime dhe luta që familjes së gjerë Bllaca t’ua përcjell ngushëllimet për shuarjen e një familje. Rasti është shkaktuar nga një punonjës i policisë dhe po bëjmë përpjekje që ta trajtojmë ashtu sikurse kërkohet në bazë të ligjeve”.
“Ne do të kemi kujdes që të punojmë shumë edhe në ligjin për policinë, për pensionimin e parakohshëm të policëve, të cilët janë me sëmundje të ndryshme dhe për shkak të ligjeve të ekzistuese, tash për tash nuk mund të merren masa. Këtë rast do ta trajtojmë ashtu si duhet dhe të nxjerrim mësime, në mënyrë që të mos përsëriten raste të tilla”, ka deklaruar Veliu.