“Pas Trump radhën e kishte Biden”, FBI: Thomas Matthew Crooks ka vepruar i vetëm
Pas shumë hetimesh, FBI dhe agjencia e inteligjencës amerikane kanë arritur në përfundimin se Thomas Matthew Crooks, personi që tentoi të vriste Donald Trump ka vepruar i vetëm dhe pa ndonjë ideologji të caktuar.
Me këto rezultate, citon CNN, bie poshtë teoria se ndaj ish Presidentit amerikan ka pasur ndonjë komplot për ta eliminuar.
Hetuesit kanë arritur të kryejnë një hetim të thelluar edhe në telefonin e agresorit ku rezulton se Thomas Matthew Crooks ishte një person i vetmuar, inteligjent, modest, i cili shprehte një interes për armët dhe ishte larg të qenit i interesuar për politikën.
Por, profili i shfaqur i Crooks gati një javë pas të shtënave i ka lënë autoritetet në mëdyshje rreth një motivi të sulmit të tij dhe ka bërë që hetuesit të spekulojnë se qëllimet e tij mund të kenë qenë më pak të motivuara politikisht dhe më shumë për të sulmuar objektiva të profilit më të lartë.
Hetimi mbetet në fazat e para, paralajmërojnë zyrtarët. Megjithatë, Crooks duket i ngjashëm me dhjetëra të rinj të tjerë që kanë kryer vrasje masive në të gjithë SHBA-në.
Ai kishte pak miq të ngushtë, ai shpesh shkonte të gjuante në një poligon dhe nuk dukej se shfaqte pikëpamje të forta që do të sugjeronin një vrasje të shtyrë politikisht, citin CNN, bazuar nga të dhënat e shërbimit të inteligjencës.
Përveç ish-presidentit, Crooks kishte bërë kërkime të thelluar për Presidentin Joe Biden dhe kishte foto në telefonin e tij të figurave të tjera të shquara nga të dyja palët.
Ai lokalizoi vendndodhjen e tubimit të Trump, si dhe Konventën e ardhshme Kombëtare Demokratike, thonë burime për CNN, dhe zbuloi se Trump kishte planifikuar të shfaqej vetëm një orë me makinë larg shtëpisë së tij në periferi të Pitsburgut.
“Edhe pse ai nuk e arriti objektivin e tij kryesor, sulmuesi ishte i suksesshëm në shumë mënyra, sepse ai u afrua për të bërë diçka që askush nuk e ka bërë në dekada”, tha një zyrtar federal për CNN, duke iu referuar vrasjes së një kandidati presidencial.
Hetimet sipas FBI janë në fazën intensive, pasi janë duke u pyetur edhe të afërmit e agresorit. Por ndryshe nga agresorët e tjerë që shpesh lënë pas shkrime për të shpjeguar sulmet e tyre, autoritetet deri më tani kanë gjetur pak të dhëna, në dhomën e gjumit të Crooks ose në internet.