Pas Uashingtonit, Hoti dhe Vuçiq takohen të hënën në Bruksel

02 shtator 2020 | 14:01

Zëdhënësi i BE-së për Çështje të Jashtme dhe të Sigurisë, Peter Stano, ka konfirmuar se do të vazhdojë dialogu mes Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian më 5, 6 dhe 7 shtator.

Sipas tij, të hënën do të zhvillohet takimi në nivel të lartë, në mes të kryeministrit të Kosovës, Avdullah Hoti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa gjatë kësaj fundjave do të zhvillohen bisedime në nivel të ekspertëve.

Ai ka thënë se liderët politikë të hënën do të priten nga Përfaqësuesi i lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri Josep Borrell dhe Përfaqësuesi i Posaçëm për dialog, Mirosllav Lajçak.

Stano ka paralajmëruar se në takimin e së hënës, do të diskutohen çështjet që kanë të bëjnë me aranzhimet për komunitetet jo shumicë dhe çështjet e kërkesave financiare dhe të pronësisë nga ana palëve.

Ai nuk ka dashur të tregojë hollësi rreth këtyre temave. “Qëllimi i BE-së është që të diskutohet të gjitha temat e hapura dhe të arrihet marrëveshje e pranueshme për të dy palët sa më parë që të jetë e mundur dhe një zgjidhje ligjore obligative për të gjitha temat e hapura”, ka thënë Stano.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Mjekët e ORL-së në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës i…