Pas vendimi të Apelit për aktivistët e LV-së, reagojnë Gashi e Molliqaj
Pasi Gjykata e Apelit ua ka ndërprerë masën e paraburgimit aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Atdhe Arifi, Frashër Krasniqi dhe Egzon Haliti, kanë reaguar avokati Tomë Gashi dhe deputeti i LV-së, Dardan Molliqaj.
Tomë Gashi, avokat i deputetit Frashër Krasniqi, ka thënë se ky vendim i Apelit është vetëm fillimi i përmirësimit të padrejtësisë ndaj tyre. “Ndërprerja e masës së paraburgimit për aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje është vetëm fillimi i përmirësimit të padrejtësisë ndaj tyre. Gjithçka edhe mund të përmirësohet, por kush do të jep përgjegjësi për vrasjen e Astrit Deharit!”, ka shkruar Gashi në profilin e tij në “Facebook”.
Edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj, në reagimin e tij ka përmendur aktivistin e ndjerë të kësaj lëvizje Astrit Deharin. “Lirohen nga paraburgimi Atdheu, Egzoni dhe Frashëri. Pikërisht sot, në ditëlindjen e Astrit Deharit, kur ai do të duhej të ishte në mesin tonë duke festuar ditëlindjen e tij. Kjo përndjekje e montuar politike ndaj aktivistëve tanë duhet dhe do të përfundoj duke i sjell para drejtësisë ata që padrejtësisht arrestuan aktivistët dhe si pasojë na e morën Astritin”, ka shkruar Molliqaj në llogarinë e vet në “Facebook”.