Pas vendimit kushtetues gjerman, kërcënon një luftë e gjykatësve në BE?

12 maj 2020 | 10:40

Barbara Wesel

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese gjermane për kompetencat e Bankës Qendrore Evropiane ka shkaktuar dallgë të forta. Komisioni Evropian kërcënon Gjermaninë me procedurë për shkelje marrëveshjesh, e Berlini ndodhet në dilemë.

Vendimi nuk është marrë ende, ka thënë zëdhënësi i Komisionit Evropian. Por shërbimi juridik në BE është duke verifikuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese Federale në Gjermani për efektet e tij e pas kësaj kolegji në Bruksel do të vendosë, nëse procedura për shkelje të marrëveshjeve të BE është rruga e duhur për të gjetur një zgjidhje për konfliktin. Ky konflikt lindi pasi instanca më e lartë e ligjit në Gjermani, Gjykata Kushtetuese në Karlsruhe kundërshtoi vendimin e Gjykatës Evropiane për blerjen e obligacioneve nga Banka Qendrore Evropiane, megjithëse është vartëse e saj.

Fillimisht një shkrepje paralajmëruese

Kjo deklaratë e zëdhënësit do të thotë fillimisht një ulje e toneve pas valës së shokut që shkaktoi vendimi gjerman në Bruksel. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen kishte marrë qëndrim për vendimin e marrë në Karlsruhe: do të shohim hapat e tjerë, që përmbajnë edhe “mundësinë e nisjes së një procedure për shkelje të marrëveshjeve”.

Bëhet fjalë për tre parime bazë: Politika financiare e BE ndodhet tërësisht në kompetencat e Bankës Qendrore Evropiane, e drejta e BE ka përparësi para së drejtës nacionale, dhe vendimet e Gjykatës Evropiane janë detyruese për të gjitha gjykata kombëtare. Edhe në fund një fjali tjetër parimore: “Fjala e fundit për të drejtën evropiane flitet në Luksemburg. Askund tjetër.”

Gjermanja Ursula von der Leyen ndodhet nën presion për të provuar pavarësinë e saj politike kundrejt vendeve jugore të BE. Ajo gjithmonë shihet me dyshim, se fshehtazi komandohet nga qeveria gjermane. Me qëndrimin e saj të qartë, ajo donte të tregonte, se është “mbrojtëse e marrëveshjeve evropiane”.

Pyetja që shtrohet është – ka shkelur Gjykata Kushtetuese gjermane të drejtën e BE me gjykimin e saj të ashpër për një vendim bazë të Gjykatës Europiane të vitit 2018 mbi kompetencat e Bankës Qendrore Evropiane – duke e cilësuar atë “metodikisht të papranueshëm”? A mundet të zgjidhë problemin një procedurë për shkelje marrëveshjesh?

Kërcënon një luftë e gjykatësve?

Një procedurë për shkelje marrëveshjesh përfundon në Gjykatën Evropiane, kur pala ankimuese, në këtë rast qeveria gjermane, nuk arrin të heqë qafe akuzën. Kjo do të çonte në një situatë pak a shumë absurde, që gjykatësit më të lartë në Luksemburg në fund të vendosin për veten lidhur me vendimin e vitit 2018. Nga ana tjetër qëndrojnë gjykatësit konstitucionalistë gjermanë me gjykimin e tyre, se Gjykata Evropiane ka tejkaluar kompetencat e saj, kur i dha një si të thuash leje juridike Bankës Qendrore Evropiane me blerjen e obligacioneve.

Gjykata në Luksemburg po fillon të bëhet gati. Pas një heshtjeje disaditore gjykata shkroi, se “nuk komentohen vendimet e gjykatave kombëtare”, por pastaj prapë komentoi, edhe pse “vetëm në përgjithësi”. Vendimet si ai në Karlsruhe rrezikojnë unitetin e së drejtës së BE e sigurinë juridike, thuhet më tej. Problemi këtu qëndron, se përparësia që ka e drejta evropiane përplaset me kushtetutën e Republikës Federale gjermane. Ose të paktën kështu e shohin konstitucionalistët në Karlsruhe. Deri më tani ky problem u zgjidh, përmes të ashtuquajturit dialog të gjykatësve më të lartë, që debatonin aq gjatë derisa gjendej më në fund një zgjidhje e kënaqshme.

Por pas goditjes nga Karlsruhe grindja kërcënon të kthehet në një luftë të hapur mes gjykatësve të lartë, një skenar i padëshiruar nga ana politike. Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki u gëzua për këtë “vendim më të rëndësishmin në historinë e Bashkimit Evropian”. Kundër qeverisë së partisë PiS në Poloni janë në vazhdim katër procedura për shkelje të marrëveshjeve të BE-së.

Qeveria gjermane në dilemë

Për qeverinë gjermane vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte vendimi i gabuar në kohën më të gabuar të mundshme. Nga 1 korriku Gjermania merr përsipër presidencën e radhës në BE e duhet të koordinojë masat për shpëtimin e ekonomisë në BE pas krizës së Koronës. Këtu nuk bën pjesë vetëm një fond i gjerë ndihme, që duhet financuar përmes borxheve, por edhe programi i Bankës Qendrore Evropiane për blerjen e mëtejshme të obligacioneve shtetërore për vendet në krizë.

Kancelarja gjermane ndodhet në një pozitë të vështirë. Ajo është nga njëra anë e detyruar të respektojë vendimet e Gjykatës Kushtetuese. Nga ana tjetër ajo nuk do e as nuk mund të verë në pikëpyetje përparësinë e të drejtës evropiane, mbi të cilën bazohet siguria juridike e BE. Shpresa e Berlinit mund të jetë vetëm të mënjanojë disi sherrin e hapur. A do ketë në muajt e ardhshëm një pozicionim të Bankës Qendrore Evropiane, apo në vend të saj të Bankës Federale ndoshta për të qetësuar shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese? Me këtë mund të mënjanohej edhe grindja me Gjykatën Evropiane e të kalonte në debat profesional publikimesh zyrtare.

Banka Qendrore Evropiane deri më tani ka bërë vetëm të ditur, se nuk lejon urdhra nga Karlsruhe dhe do të vazhdojë blerjen e obligacioneve. Drejtoresha e bankënotave në BQE, Isabel Schnabel ka bërë të ditur në bisedë me “Repubblica”, gazetën italiane, se vetëm Gjykata Evropiane mund të flasë për të drejtën e Bankës Qendrore Evropiane. Pozicionet në të dyja anët e hendekut juridik janë të qarta. Tani duhet të fillojnë nga puna ekspertët e çaktivizimit të bombave politike. /Dw

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Sulmuesi i Kosovës në fitboll, Vedat Muriqi po kërkohet edhe…