Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, LDK-ja kërkon dorëheqjen e Qeverisë
Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për ekipin negociator, drejtues të LDK-së kanë kërkuar dorëheqjen e menjëhershme të këtij ekipi dhe të Qeverisë së Kosovës.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, ka vlerësuar se Gjykata Kushtetuese ka folur qartë se Ligji për dialogun është antikushtetues.
“Këtë e ka thënë LDK-ja që nga dita e parë se Kosova është dëmtuar shumë nga pazaret antikushtetuese të koalicionit PAN. Shkelje është bërë edhe me draft rezolutën që është miratuar në Qeveri që dialogu i ka kaluar presidentit”, ka thënë Hoti.
Ai ka thënë se sot ekipi negociator dhe Qeveria duhet të japin dorëheqje dhe vendi duhet të shkojë në zgjedhje.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, ka thënë se ky vendim ka sqaruar që kompetencat e Qeverisë për ta zbatuar politikën e jashtme nënkuptojnë përgjegjësi shtetërore.
Në anën tjetër, deputeti Driton Selmanaj, ka thënë se çdo ditë i vazhdimit të kësaj qeverie, është dëmtim për vendin.
Hoti, Osmani e Selmanaj ka thënë se dialogun duhet ta udhëheq vetëm një qeveri legjitime.