Pas vendimit të qeverisë Kurti për pagat, KGjK-ja mban mbledhje të jashtëzakonshme
Pas vendimit të Qeverisë së Kosovë për uljen e pagave të gjykatësve dhe prokurorëve, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGjK), do të mbajë sot (e mërkurë) mbledhje të jashtëzakonshme.
Qëllimi i kësaj mbledhje është diskutimi i situatës së krijuar pas vendimit të qeverisë Kurti për pagat dhe hapat që KGjK-ja do të ndërmarrë në lidhje me këtë vendim.
“Ju njoftojmë se mbledhja e jashtëzakonshme e Këshillit Gjyqësor të Kosovës (e mbyllur), do të mbahet sot, datë 23 nëntor 2022 (e mërkurë) nga ora 16:00, në sallën e takimeve të KGjK-së”, është thënë në njoftimin e KGjK-së.
Ndryshe, në mbledhjen e qeverisë, kryeministri Albin Kurti ka marrë vendim me të cilin, pagat në sistemin e drejtësisë u kthyen siç ishin para vendimit të marrë në vitin 2017, nga qeveria Haradinaj.
“Kushti i paraparë për përjashtim të këtij ligji është plotësuar me nxjerrjen e aktgjykimit nga Gjykata Kushtetuese me ligjin e atëhershëm për paga, rrjedhimisht për të sjellë ligjshmëri plotësojmë këtë vendim duke shfuqizuar nenet relevante”, ka thënë Kurti.
Pas miratimit të Projektligjit për pagat, kryeministri Kurti, ka thënë se ky projektligj krijon sistem të unifikuar të pagave.