Pas vendosjes së ambasadës, tre fëmijë nga Kosova shkojnë për shërim në Izrael
Tre fëmijë nga Kosova gjatë ditëve të ardhshme do të shkojnë për shërim në Izrael, të shoqëruar edhe nga nënat e tyre.
E Ngarkuara me Punë e Republikës së Kosovës në Izrael, Ines Demiri, e ka takuar drejtorin e organizatës “Save a Child’s Heart”, Simon Fisher, pas të cilit takim bëri të ditur se si fryt i bashkëpunimit mes Fisher dhe ambasadorit Dan Oryan kanë arritur të sigurojnë këtë udhëtim.
Përmes një postimi në Facebook, Demiri tha se takimi me Simon Fisher, Drejtor Ekzekutiv i organizatës humanitare “Save a Child’s Heart” me seli në Holon të Izraelit, dhe me Ambasadorin Dan Oryan – Drejtor pranë Departamentit për Ballkan në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Izraelit ka qenë shumë i frytshëm.
“E mirëprita kërkesën e z. Fisher dhe ambasadorit z. Oryan për bashkëpunim të ngushtë me ambasadën tonë në Jerusalem. Si fryt i këtij bashkëpunimi, tre fëmijë nga Kosova, të shoqëruar nga nënat e tyre, gjatë ditëve në vijim, do të vijnë për shërim në Izrael”, thuhet në njoftim.
Ajo ka falënderuar Fisher, ambasadorin Dan Oryan dhe Shtetin e Izraelit për ndihmën e ofruar për shërimin e fëmijëve dhe për gatishmërinë për bashkëpunim të ngushtë në të gjitha fushat mes shteteve tona.