Pas vërshimeve, Aliu viziton bizneset dhe objektet e banimit privat
Kryetari i komunës së Ferizajt, Agim Aliu, ka dalë të dielën në terren për parë gjendjen në këtë komunë pas vërshimeve të shiut të përcjellë edhe me breshër.
Uji ka depërtuar në bodrume të shtëpive, vendpunishte, salla fabrikash dhe biznese të tjera duke shkaktuar dëme si në materiale ashtu edhe në veglat e punës.
Kryetari Aliu ka pohuar se një situatë e tillë me reshje kaq të dendura të shiut nuk mbahet mend kaherë në Ferizaj.
Ai ka thënë se dëmet e shkaktuara janë të mëdha, sidomos në veprimtarinë e bizneseve, kulturat bujqësore dhe objektet private të banimit.
Aliu ka thënë se të gjithë mekanizmat lokal të emergjencave janë aktivizuar që nga e shtuna, dhe sipas tij, në vazhdimisht ka raportime nga qytetarët për dëmet e pësuara ku ekipet profesionale po zhvillojnë vizita, duke vlerësuar dhe evidentuar kështu në kohë reale dëmet e shkaktuara nga stuhia.
Kryetari Aliu ka bërë me dije se ditëve të ardhshme në bazë të raportimeve nga banorët e zonave të përmbytura dhe vizitave në terren do të hartohet një raport i evidentimit të saktë të dëmeve që ka shkaktuar shiu në territorin e Ferizajt.
Ai ka falënderuar punonjësit e ndërmarrjeve publike të cilët kanë qenë të angazhuar në operacionet e pastrimit të terrenit dhe hapjes së kanaleve kulluese, si dhe gjithë banorët e zonave të përmbytura për ndihmën që po i japin ekipeve në terren për kthimin e normalitetit pas reshjeve të mëdha të shiut.