Pas vizitës së Trump Jr. në Serbi, Xhelili shkon në ShBA: Do ta dëshmojë të kundërtën e deklaratave të bëra në Beograd

15 mars 2025 | 21:06

Kandidati për deputet nga radhët e PDK-së, Selver Xhelili, ka reaguar pas vizitës së Donald Trump Jr. në Beograd dhe deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, duke i cilësuar ato si të pavërteta.

Xhelili në një prononcim për GazetaBlic, njofton se përmes mundësive personale dhe kontakteve të tij në SHBA, ka arritur të sigurojë një vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës gjatë muajit prill, ku do të takohet me Erik Trump, djalin e dytë të ish-presidentit amerikan Donald Trump.

Ai ka theksuar se kjo vizitë ka për qëllim të dëshmojë të kundërtën e deklaratave të bëra në Beograd, duke sjellë fakte që vërtetojnë angazhimin e SHBA-ve për çlirimin e Kosovës.

Ndër të tjera ai ka potencuar se Kosova ka paguar me shumë gjak për lirinë e saj, dhe se ky kontribut duhet të respektohet nga të gjitha palët, përfshirë liderët e Kosovës.

“Pas vizitës së djalit të Donald Trump, Donald Trump Jr., në Beograd, dhe deklaratave të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të cilat ishin krejtësisht të pavërteta, unë, me mundësinë time private dhe përmes miqve të mi në SHBA, mora konfirmimin për një vizitë gjatë muajit prill në SHBA, për t’u takuar me djalin e dytë të Donald Trump, Erikun, të cilin kam dëshirë ta takoj dhe të jap kontributin tim për vendin tim, Kosovën, për t’ia dëshmuar të kundërtën e deklaratave në Beograd, duke u bazuar në fakte dhe duke dëshmuar se për çlirimin e Kosovës, duke u mbështetur nga SHBA, kemi dhënë shumë gjak dhe shumë të vrarë, kemi paguar me gjak lirinë tonë që na takon dhe na takon ende”, tha ai.

Xhelili ka apeluar për bashkim të liderëve të Kosovës dhe vendosjen e interesave të vendit para atyre politike.

Tutje ai shton se Kosova nuk ka qenë kurrë më në rrezik se tani.

“Kosova, me gjithë liderët e saj, duke filluar nga Kryeministri në detyrë i Kosovës, duhet ta dinë se koha po ecën mbrapsht për ne. Ata duhet të bashkohen, duke vënë interesin e Kosovës para interesave politike dhe ta ndihmojmë këtë proces sa më shumë që mundemi. Kosova nuk ka qenë kurrë më në rrezik se tani”, përfundoi Xhelili për GazetaBlic.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Disa informacione për organizimin e një proteste edhe në veri…