Pas votimit në Asamblenë Parlamentare, Sejdiu: Vendim historik që then barrierat dhe paragjykimet për Kosovën
Ish presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu ka mirëpritur vendim që Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës.
“Vendim historik që then barrierat dhe paragjykimet për Kosovën”, shkroi Sejdiu në Facebook.
“Sonte Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës pas debatit që e zhvilloi, me vendimin që mori i dha një mbështetje të fuqishme Kosovës duke e miratuar kërkesën e e saj për të qenë anëtare e KiE. Vendimi i tillë do t’i dorëzohet Këshillit të Ministrave të BE-së. Duke vlerësuar lartë angazhimin e deputetëve të Asamblesë Parlamentare në mbështegje Republikës së Kosovës, me plot bindje besoj se edhe Këshilli i ministrave do të vendosë pozitivisht për Kosovën”, shkroi tutje ai.
Vendimi i sotëm, thotë Sejdiu, duke theksuar në veçanti raportin mbështetës të Dora Bakoyanis-it si dhe diskutimet e deputetëve që e mbështetën atë, mund të thuhet se u thyen barrierat dhe paragjykimet për Kosovën, kërkesën e së cilës e mbështetën edhe deputetë nga vende që ende nuk e kanë njohur.
“Krahas, kësaj mbështetjeje, me subjektivitetin e saj si shtet sovran ajo do të ketë mundësi të plota të dëshmojë aftësinë e saj që të shprehë qëndrueshmërinë e saj si vend sovran dhe demokratik. Urime Kosovë !”, përfundoi Sejdiu.
Shumica e deputetëve të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës mbështeti anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.
Për votuan 131 deputetë, kundër ishin 29, kurse 11 abstenuan.
Asnjë nga amendamentet e propozuara nga Serbia nuk u miratuan.