Qeveria e Kosovës dënon vrasjen e Oliver Ivanoviqit
16 janar 2018
| 10:43
Qeveria e Republikës së Kosovës dënon ashpër aktin e vrasjes me armë zjarri të politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, përpara selisë së partisë së tij në pjesën veriore të Mitrovicës.
Qeveria e Republikës së Kosovës vlerëson se akti i vrasjes së Oliver Ivanoviqit sfidon sundimin e ligjit dhe çdo përpjekje për të vendosur rendin në gjithë territorin e Kosovës.
“Dhuna është e papranueshme pa marrë parasysh nga kush vjen dhe ndaj kujt drejtohet”, thuhet në reagimin e Qeverisë.
Qeveria fton të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me organet e rendit në zbardhjen e rastit dhe njëkohësisht nga mekanizmat e sigurisë kërkon që të kapin autorët e krimit dhe t’i sjellin ata përpara drejtësisë.