Pas zjarreve, Greqia goditet nga përmbytjet masive, një i vdekur dhe një i zhdukur
Vetëm pak ditë pasi raportuan se kishin arritur të shuanin zjarret më të mëdha dhe më shkatërruese në historinë e tyre, Greqia është duke u përballur me përmbytjet nga moti i keq.
Gjatë ditës së sotme, reshje të shumta shiu nga stuhia “Daniel” kanë shkaktuar vërshime dhe përmbytje të mëdha në Thesali dhe Evia.
Aktualisht autoritetet e vendit fqinj raportojnë për një fermer të vdekur për shkak të motit të keq, ndërsa një person tjetër është deklaruar i zhdukur.
Volos dhe Pelion janë zonat më të prekura, prej të cilave vijnë pamjet e frikshme. Uji ka vërshuar papritmas duke rrëzuar ura, teksa ka hyrë në katet e para të banesave dhe ka hedhur në det disa dhjetra makina.
Forcat e kërkim-shpëtimit janë parë të qarkullojnë me gomone përmes zonave të banuara.