Pasi lirohet, sërish arrestohet i dyshuari për sulmin seksual ndaj 80-vjeçares në Vushtrri
Dje u raportua për arrestimin e Bujar Bajramit, i njohur edhe si Bugja, pasi i njëjti dyshohet se ka sulmuar seksualisht një grua të moshuar në fshatin Prelluzhë të Vushtrrisë.
Fillimisht, Bajramit i ishte caktuar masa e ndalimit policor, por burimet e Sinjali brenda Prokurorisë bëjnë me dije se ai është liruar gjatë ditës së djeshme dhe rasti ka kaluar në procedurë të rregullt.
E pas kësaj, më vonë 42-vjeçari është ftuar sërish që të intervistohet dhe më pas Prokurori i Shtetit ka urdhëruar që ai prapë të dërgohet në mbajtje.
Si ndodhi rasti?
Bajrami dyshohet se ka hyrë me forcë brenda shtëpisë së 80-vjeçares J.T., e cila ishte e vetme në shtëpinë e saj dhe të njëjtës i ka kërkuar t’ia japë disa para të cilat pretendonte se ia ka borxh.
Në momentin që viktima ka refuzuar t’ia japë paratë, 42-vjeçari dyshohet se e ka sulmuar fizikisht dhe më pas ka hequr pantallonat e tij dhe ka filluar ta zhvesh me dhunë të moshuarën.
Viktima ka kërkuar ndihmën e Policisë së Kosovës, ku ka rrëfyer në detaje gjithë tmerrin që e bëri ta përjetojë Bujar Bajrami.
I dyshuari fillimisht ishte larguar në drejtim të panjohur, ndërsa më vonë është arritur që të arrestohet.