Pasi nisin punimet në restaurimin e gjimnazit ‘Ismail Qemali’ në Ferizaj, i vihet flaka
14 mars 2023
| 13:06
Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, ka bërë me dije se pasi filluan punimet në restaurimin e gjimnazit të vjetër ‘Ismail Qemali’ në Ferizaj, sot në orët e para të mëngjesit iu vu flaka.
“Kontratën për restaurimin e gjimnazit të vjetër e patëm nënshkruar javën e kaluar. Dje kanë nisur punimet, ndërsa sot në orët e para të mëngjesit ia vunë flakën. Ky është krim. Përgjegjësit duhet të përballen me drejtësinë”, ka shkruar Çeku në “Facebook”.
Ai ka theksuar se gjimnazi i vjetër “Ismail Qemali” në Ferizaj do të restaurohet, i pëlqeu apo jo keqbërësve.
“Trashëgimia jonë kulturore është më e rëndësishme se interesat tuaja të ngushta. Metodat e porositë mafioze nuk na ndalin”, ka shkruar ministri Çeku.