Pasi përfundon lufta të gjithë shkruajmë histori
Arif Molliqi
1.
a është iluzion ta ëndërroi Deçanin
duke marrë në thua në kujtimet e luftës
kur çdo gjë ishte solemne në varrimin e luftëtarit
që e zhbëri kohën e shkuar
kaq e lehtë ta thuash se ishte e shëmtuar ajo kohë
e ndyrë sa s´thuhet
ishte një kohë idiote më pamje eksodi
ah, ajo që erdhi më bëri të jetoj në Parajsën e imagjinuar
që ta shkruaj këtë histori nëpër ditënetët e pasosura
kur ekspozojmë veç varre
data të gdhendura në rrasa mermeri
kur dikush e shkruan historinë më një grusht trishtim
për shtëpitë e djegura, varret, burgosjet, dhomat, kthinat, birucat,
qelitë me hekura dhe kolona eksodi…
për pafajësinë tonë kam frikë nga ata njerëz që lehin
në qetësinë tonë të palëvizshme
gjithçka që ka ndodh s´është për herë të parë
në i shohim si trishtohen evropianet edhe miqtë
kur s´mund ta kuptojnë gjuhen e gjarprit
2.
derisa ta mësojmë himnin e pashkruar të atdheut
po e mësojmë lumin që nuk ka emër e që ecë nëpër emër
që ecë nëpër shtratin i ftohtë bashkë më ujin e verdhë
bashkë më kufoma të dekompozuara
kur memecet ia vodhën rrjedhën ia vodhën gurin kryengritës
e ç´kuptim ka të thuash përshembull
veç natyra sikur ishte më lumin…
sidoqoftë nga hija e njeriut u shtjerr lumi pa emër.
3.
atëherë kur njerëzit u kthyen nëpër hirin e mbetur
gjinkallat, mizat e dheut krimbat çdo gjë e gjallë
i shikonin pikturat nëpër shtëpitë e djegura
zogjtë nëpër dritare pa xhama i shikonin muret e nxira
dhomat e trishtuara që rrëfenin mizori
shikonin një gjeth rrushi që gjethon n´shtratin e vet
në kopsht një lule qau kur e pa një mrekulli
një lindje që filloi më rilindë
4.
në muajin e gjashtë të atij viti
nëpër shtëpitë e zbrazura të djegura s´ka data në kalendar
vitet janë aty plotë mall kujtimet po ato
se pas erës së shkrumbit erë flladitëse vjen
më kohë afër Zotit si të dashurit e tij do të jemi
se njeriu i mizorive iku e ata që ranë në beteja
i kujtojmë në mermer
veç kolaboracionistet po e blejnë ndërgjegjen
për të ruajt sëpaku marrëzinë e shpirtit
e ç´t´ju them për ta që marrin në thua n´liri
për hatër të dashurisë për hatër të ushtarëve të vdekur
po heshti
që kohën e maten me moshën e vdekjes së tyre
edhe lodrat që kishin shpëtuar
lumturohen kur e dëgjojnë zërin e fëmijëve në oborr
5.
Atë ditë ra shumë shi që ta pastroj tokën,
rrugët, varret, kullat e djegura, shpirtrat e gjallë dhe të vdekur,
e ndoshta për t´i pastruar udhët e lindjes të atyre të pa lindurve
lumenjve t´iu epet më shumë ujë, lisave t´ua shton shtatin
shiu atë ditë ndoshta ua fshinte gjurmët vrasësve
derisa largoheshin nga qyteza ime Deçani
atë ditë ura mbi lumin e pa emër dukej se po tkurrej
kur një kolonë makinash të përhimëta plot vrastarë po iknin
bashkë më zhurmën e më poshtërimet e bëra…
(mes tyre e njoha një njërin të kërrusur në mes kamioni,
Ishte fshehur mes grave prapa një gruaje të trashe
të gjerë dhe të bëshme,
me tule të fryrë e të zeza që po ia zinte frymën
dhe për herë të parë kishte menduar:
lufta paska qenë diçka e çuditshme e mjegullt
paska qenë diçka kur i gjalli ia ka lakmi të vdekurve…)
Janar, 2022