Pasi ra Muri i Berlinit ndryshuan edhe luftërat
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, bota shpresonte për një epokë paqeje. Mirëpo, gjërat dolën ndryshe. Tani, 30 vjet pas rënies historike të Murit të Berlinit, që zhvendosi ekuilibrat e fuqive, luftërat janë më komplekse se kurrë më parë.
Shekulli XX u mbizotërua nga luftërat. Rreth 80 milionë njerëz vdiqën në dy luftëra botërore. Pastaj ishte Lufta e Ftohtë: një garë armësh midis ShBA-së dhe Rusisë. Në Evropë dhe pjesë të mëdha të botës, dy palë armiqësore u përballën me njëra-tjetrën. Fuqitë globale financuan luftëra të përgjakshme në Azi, Lindjen e Mesme, Afrikë dhe Amerikën e Jugut, transmeton “Telegrafi”.
Revolucionet paqësore më në fund e rrëzuan Perden e Hekurt në vitin 1989. Lufta e Ftohtë u shpall e mbyllur. “Ne shpresuam që pas mbarimit të Luftës së Ftohtë të ketë një epokë paqeje”, ka thënë Sarah Brockmeier, paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në Institutin Global të Politikave Publike, një institucion me qendër në Berlin, shkruan “Deutsche Welle”.
A ka më pak luftëra sot se sa më parë?
Sidoqoftë, kjo shpresë shpejt u vërtetua e pabazuar. Ende ka shumë konflikte, në të gjithë botën. Që nga mesi i viteve 2000 numri i tyre është rritur përsëri.
Sipas Brockmeier: “Ne kemi parë më shumë konflikte, më shumë dhunë dhe, veçanërisht, që nga fillimi i luftës siriane, më shumë vdekje në konflikte”.
Numri i konflikteve është rritur sërish që nga viti 2000.
Luftërat me rreth 100 vdekje në vit, si dhe konfliktet e vogla gjatë kohës
Kjo është kryesisht për shkak të konflikteve brendashtetërore të vitit 1990, të cilat askush nuk i paramendonte pas rënies së Murit të Berlinit, ka thënë Brockmeier.
Midis tyre janë luftërat në Jugosllavi si dhe konfliktet në Sierra Leone dhe Republikën Demokratike të Kongos.
Lufta në Mali që filloi në vitin 2012 dhe lufta e vazhdueshme në Siri, e cila filloi në vitin 2011, duket se do të vazhdojë në këtë formë.
Vetëm në dhjetë vjetët e fundit studiuesit nga Departamenti i Paqes dhe Kërkimit të Konflikteve në Universitetin Uppsala kanë numëruar 23 luftëra dhe 162 konflikte të vogla me më pak se 100 vdekje në vit. Sipas Brockmeierit, ne jemi bërë më të mirë në njohjen e shenjave paralajmëruese të konflikteve. Megjithatë, ne shpesh nuk jemi në gjendje t’i parandalojmë. “Ne nuk kemi mësuar mësimet e mobilizimit të vullnetit politik, për të ndërhyrë më herët, para se të shpërthejë dhuna e armatosur”.
Konfliktet po bëhen më komplekse dhe internacionale
Me globalizimin në rritje, luftërat janë bërë më komplekse që nga rënia e Murit të Berlinit. Përveç modelit të konflikteve dypalëshe, me dy palë kundërshtare, shpesh ka palë të tjera që, gjithashtu, përfshihen, duke dërguar trupa ose furnizojnë me armë, ekspertiza ose trajnime.
Deri në fillim të vitit 2000, mesatarisht dy ose tri palë të jashtme merrnin pjesë në konfliktet që zhvilloheshin, transmeton “Telegrafi” raportin e “Deutsche Welle”-s.
Në vitet në vijim kjo mesatare u rrit në mes katër dhe pesë. Arsyeja kryesore për këto janë konfliktet komplekse në Lindjen e Mesme: Në vitin 2009, 46 “lojtarë të jashtëm” u përfshinë në luftën kundër talebanëve në Afganistan.
Këto përfshijnë vendet në aleanca ndërkombëtare siç është NATO, që në rastin e Afganistanit drejtoi Forcën Ndërkombëtare të Ndihmës për Sigurinë.
Lufta që po vazhdon të zhvillohet në Siri është po aq komplekse: Bloomberg numëroi në fillim të tetorit të këtij viti deri në dhjetë pjesëmarrës të ndryshëm, në rrjetin e interesave që ndryshojnë vazhdimisht.
Shteti kundër një grupi, përjashta kufijve të brendshëm. Shteti kundër grupeve rebele të ndërkombëtarizuara
Shpenzimet ushtarake janë më të ulëtat ndonjëherë
Shërbimet ushtarake në nivel global po zvogëlohen. Në vitin 2017 shtetet në mbarë botën investuan së bashku rreth 1.8 trilion euro në ushtritë e tyre. Kjo shkon deri në rreth 2 për qind të Produktit të Brendshëm Bruto në botë, duke shënuar një tjetër rekord të ulët. Madje, shpenzimet relative ushtarake globale kanë rënë në mënyrë të vazhdueshme gjatë dekadave të fundit.