Pasi ua ndaloi hixhabin, Taxhikistani jep udhëzime çfarë duhet të veshin gratë
Veshjet e grave janë ndër prioritetet kryesore në agjendën e Qeverisë në Taxhikistan, ku autoritetet dhe klerikët fetarë janë duke punuar në udhëzimet e reja se çfarë duhet të veshin gratë në punë dhe në kohën e lirë.
Kodi i ri i veshjes – i dyti i këtij lloji në gjashtë vjet – pritet të bëhet publik brenda ditësh dhe është paralajmëruar se do të organizohet një ngjarje speciale në Dushanbe, në gusht, për t’i prezantuar rrobat e pranueshme.
Sulaimon Davlatzoda, udhëheqës i Komitetit shtetëror për Çështje Fetare dhe Rregullim të Traditave, ka thënë në një konferencë për media se “task forca e përbashkët e Ministrisë së Kulturës, Komitetit të Grave dhe Komitetit për Çështje Fetare, është duke punuar për të vlerësuar se cilat veshje janë më të përafërta me vlerat dhe traditat tona kombëtare”.
Kodi i ri i veshjes vjen pasi Taxhikistani i ka ndaluar zyrtarisht në qershor “veshjet e huaja për kulturën taxhike”, shprehje e përdorur gjerësisht për të përshkruar fustanin islamik, të cilin e konsideron si shenjë të jashtme të ekstremizmit të mundshëm fetar.
Më herët gjatë javës, Këshilli i Ulemave, që mbështetet nga shteti, e ka lëshuar një fatva – verdikt fetar – kundër “rrobave të zeza” si dhe “rrobave të ngushta dhe të tejdukshme” për gratë.
Në Taxhikistan, shprehja “rroba të ngushta” përbën eufemizëm për hixhabin islamik.
Në fatvan e 26 korrikut është thënë se ngjyra e zezë nuk është e përshtatshme për “karakteristikat tona kombëtare dhe gjeografike”.
Duke i dhënë jehonë qëndrimit të ditur tashmë qeveritar për veshjet e grave, në fatva është promovuar një kostum kombëtar për gratë taxhike, që përbëhet prej një fustani, pantallonave dhe një shamie, raporton rel.
Në fatva është thënë se ky kostum me tri pjesë është tërësisht në linjë me praktikat islamike që parashohin fshehjen e gjithë trupit të grave, përveç fytyrës, duarve dhe shputave.