Paskal Milo: Kjo ngjarje ishte një pikë kthese në historinë e Kosovës
Ekspozita e demonstratave të pranverës të vitit 1981, të cilat dyzet vjet më parë shpërthyen në Prishtinë, në Mensën e Studentëve, e përgatitur nga Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës (AShAK), nga kryeshefi i saj Bedri Zyberaj dhe disa punonjës të kësaj agjencie, tri ditë ka qenë e rihapur edhe në Tiranë, te Pazari i Ri. Këtë ekspozitë që nga marsi AShAK e ka rihapur edhe në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë, pastaj në Gjakovë, në Ferizaj, kurse ka ndërmend që gjatë këtij viti ta ekspozojë edhe në disa qytete të Kosovës dhe të Shqipërisë.
Kjo ekspozitë, me titull “Vullkani i Republikës”, të cilën e kanë vizituar mijëra qytetarë, ngërthen në vete ngjarje të rëndësishme për çështjen e Kosovës. Kryeshefi i AShAK-ut thotë se “kjo ekspozitë që shënon këtë jubile u hap pikërisht në Mensën e Studentëve, aty ku nisi gjithçka më 11 mars të vitit 1981. Protesta e studentëve kishte karakter më tepër social, por ajo brenda pak ditësh u rrit, pasi më 26 mars të po atij viti studentët nga qendra e tyre dolën rrugëve të Prishtinës dhe ftuan e më pas iu bashkuan një pjesë e mirë e rinisë shkollore të asaj kohe”.
Ndërkaq Ardit Bido, drejtor i përgjithshëm i Arkivave të Shqipërisë, ka thënë se “kjo është një ekspozitë shumë e rëndësishme e organizuar nga AShAK-u e cila vendosi ta sjellë edhe në Tiranë si një mundësi që edhe shqiptarët të kenë një qasje ndaj dokumenteve, gazetave të kohës të një prej momenteve më të rëndësishme të historisë bashkëkohore”. “Ato rindezën pas aspiratën kombëtare të saj që do të realizohej pas tri dekadash, pavarësia e Kosovës”, ka thënë ai.
I pranishëm në hapjen e ekspozitës ishte edhe historiani Paskal Milo, i cili ka folur për ngjarjet që ndodhnin në Tiranën e vitit 1981 lidhur me këtë çast historik. “Kam qenë bashkëkohës në Tiranë, pedagog në universitet dhe si ligjërues i historisë së vendeve të Ballkanit, rrjedhimisht edhe historisë së Kosovës. Politikisht në atë kohë, Shqipëria u angazhua e gjitha dhe kam parasysh si opinionin publik por edhe çdo gjë tjetër, shtypi i kohës por edhe takimeve, mbledhjeve… për ta shprehur solidaritetin me studentët e Kosovës. Është një ngjarje e madhe në historinë e Kosovës, një pikë kthese! Dhe jo vetëm për të, por edhe për ish-Jugosllavinë”, ka thënë Paskal Milo.
“VULLKANI” I REPUBLIKËS
I.
Ngjarjet e vitit 1981, të cilat filluan në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, konkretisht në vendin ku, sot, ASHAK po hap ekspozitën ,,Vullkani” i Republikës, janë të një rëndësie të veçantë për historinë e re jo vetëm të Kosovës dhe të shqiptarëve, por edhe për atë përtej tyre.
11 marsi i vitit 1981 ishte dita e parë që, siç njoftonte atëbotë TANJUG-u, ,,ishte prish rendi publik nga ana e një grupi studentësh”, për të vazhduar më tej njoftimi: ,,Ndodhi kështu kur disa elementë armiqësorë u përpoqën të shfrytëzonin pakënaqësinë e një numri studentësh për shkak të ushqimit në mensën e tyre”.
Ajo që të bie në sy në këtë njoftim është përpjekja e kësaj Agjencie, që ishte zëdhënësja e politikës zyrtare e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë, për ta minimizuar sa më shumë këtë ngjarjeje dhe për ta fshehur të vërtetën e shuar kureshtjen e opinionit të gjerë, i cili interesohej të dinte çfarë kishte ndodhur në të vërtetë, në Mensën e Studentëve, në mbrëmjen e asaj nate.
Nuk vonoi dhe ajo e vërtetë, edhe më dukshëm, edhe më fuqishëm, nxori kokën e vet!
,,Vallja”, që kishte zënë fill dhe ishte luajtur në Mensën e Studentëve atë mbrëmje, më dt. 26 të muajit të njëjtë, kishte dalë jashtë saj dhe ishte shtrirë e po luhej rrugëve të Prishtinës. Ngaqë u kishte pëlqyer, asaj i ishte bashkuar pjesa tjetër e rinisë (sidomos shkollarët) për t’u pasuar pastaj edhe më furishëm më 1 e 2 prill, duke e bërë demonstratën më gjithëpërfshirëse për nga mosha e përkatësia sociale e pjesëmarrësve, dhe më të artikuluar e më të zëshme për nga synimet politike, duke e shndërruar atë në një ,,vullkan” aktiv që, siç do ta dëshmojë koha e mëvonshme, nuk do të ketë të ndalur për rreth tre dhjetëvjetësh, derisa u bë çlirimi i Kosovës më 1999 në sajë të luftës së përbashkët të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe NATO-s.
Pas Prishtinës, revolta kishte zënë të shtrihej në gjithë Kosovën.
Shteti dhe pushteti jugosllav nuk kishin qëndruar duarkryq. Kundër atij shpërthimi ishte lëshuar e gjithë Jugosllavia e asaj kohe duke vënë në përdorim arsenalin e vet policor, ushtarak, politik dhe propagandistik për ndëshkimin dhe dënimin (me synim zhdukjen) e ,,nacionalizmit dhe irredentizmit shqiptar” tek i cili shihte armikun më të madh dhe faktorin kryesor për shkatërrimin e saj (Jugosllavisë).
Arrestimet dhe dënimet e pjesëmarrësve në atë revoltë popullore, veçan ato që u ishin shqiptuar organizatorëve të tyre, kishin qenë të mëdha, të rënda, të gjata me burgime e vuajtje.
Sa më të shumta që bëheshin arrestimet, aq më shumë shtohej pakënaqësia, sa më të rënda që jepeshin dënimet aq më shumë rritej zemërimi; sa më të ashpra bëheshin masat aq më shumë forcohej revolta; sa më të paqena bëheshin etiketimet aq më shumë zgjerohej rezistenca.
Për t’i demonizuar dhe izoluar organizatorët dhe pjesëmarrësit e asaj revolte, nëpërmjet propagandës, organet drejtuese të organizatave shoqërore-politike të kohës, në krye me Komitetin Qendror të Lidhjes së Komunistëve të Jugosllavisë, së bashku me organet shtetërore, kishin gjurmuar epitete nga më të ndryshmet dhe ua kishin veshur atyre që të vetmen armë kishin guximin dhe përkushtimin për t’i kërkuar të drejtat e ligjshme, por që këto kërkesa u shtypeshin me tanke, me autoblinda dhe me zjarr armësh.
Dhuna e shfrenuar, kundër ,,armiqve nacionalistë dhe irredentistë shqiptarë”, kishte qenë e papërmbajtur. Ajo, përveç shpërfaqjes së egër rrugëve të Prishtinës dhe qyteteve të tjera të Kosovës në të cilat, demonstruesit kishin defiluar për t’i artikuluar fuqishëm kërkesat për të drejtat që u mohoheshin dhe u shkeleshin barbarisht, brenda pak ditësh kishte zënë të shtrihej edhe në fshatrat e Kosovës, fakt ky që, revoltës së atij viti, i jep një dimension tjetër, përtej kufijve të asaj që mund të nënkuptojë emërtimi demonstratë.
Mund dhe duhet të thuhet kështu, sepse nuk ka qytet dhe fshat, nuk ka institucion publik, ku, në një formë ose në një tjetër, nuk ishte ndier prania e asaj magmës së vullkanit që kishte shpërthyer këtu, me 11 mars 1981. Por, edhe masat e shtetit që kishte ndërmarr kundër tyre, sidomos pas shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme në Kosovë, shkonin në çdo cep të Kosovë.
Ndër më të papërmbajturat kishte qenë përleshja e skalioneve të policisë jugosllave, më 13 maj 1981, në Prekazin e Ahmet Delisë të dikurshëm e të Adem Jasharit të mëvonshëm, kundër familjes së Nebih dhe Tahir Mehës. Në ato luftime, përveç rënies të Tahir dhe Nebih Mehës, ishin vrarë edhe katër pjesëtarë të formacionit të policisë elitare jugosllave.
Babë e bir, duke besuar në të drejtën hyjnore për të qenë të mbrojtur në shtëpinë e vet, meqë nuk i kishin bërë keq askujt, kishin qëndruar aty. Por, kishin qenë të mashtruar, sepse më 13 maj, skalione të shumta të njësive speciale të milicisë jugosllave, pasi kishin përshkuar një pjesë të Kosovës, veçmas të Drenicës, duke e dhunuar më shumë me qëllimin sesa me zinxhirët e tankeve, kishin arritur në Prekaz dhe e kishin filluar sulmin mbi një familje, për t’i dhënë fund vetëm atëherë kur, pronarëve të atij trualli, ua kishin marr jetën.
Kështu, ajo që kishte shpërthyer me 11 mars 1981 si protestë, brenda dy muajsh, kishte dal jashtë kornizës së asaj që nënkupton demonstrata dhe po tangonte kufijtë e një kryengritjeje.
Kundrejt atyre masave për shtypjen e revoltës së atij viti dhe dënimeve të rënda që pushtetit e shtetit jugosllav ua shqiptonte të rinjve dhe të rejave shqiptarë, kishin ngritur zërin e arsyes vetëm shteti shqiptar dhe mediat e lira botërore, sidomos ato të vendeve perëndimore.
Motivet, mbase mund të kenë qenë të ndryshme, por qasja ndaj Pranverës ’81 i kishte nxjerr në një rrugë të përbashkët.
II.
Dokumentet e përzgjedhura për këtë ekspozitë janë fotografi, aktgjykime nga proceset e shumta, lajme gazetash dhe revistash legale e ilegale, raporte për shkrimet e mediave të huaja, pankarta dhe parulla që shpërndaheshin gjithandej Kosovës së asaj kohe, ndonjë letër dorëshkrim që, kryesisht, në një formë ose në një tjetër, i përkasin vitit 1981 apo janë rrjedhojë e tij.
Meqë fillimi i epokës së Pranverës ’81 që i dha vulë gjithë kohës që pasoi dhe që u finalizua me luftën e UÇK-së (1997-1999), kishte zënë fill pikërisht në këtë vend (Mensën e Studentëve në Prishtinë), Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës e ka vlerësuar të nevojshme ta shënojë këtë jubile duke e hapur ekspozitën ,,Vullkani” i Republikës, po këtu, ku ai shpërtheu, 40 vjet më parë.
Bedri Zyberaj,
Kryeshef Ekzekutiv
Agjencia Shtetërore e Arkivave e Kosovës