Pasojat e Covid-19 në Kinë, 80 milionë njerëz të papunë
Derisa Kina po përpiqet t’i rikthehet normalitetit pas betejës me pandeminë e Covid-19, problem serioz për vendin raportohet tw jenw miliona të papunët prej masave kundër koronavirusit.
Shpërthimi i sëmundjes në muajin janar detyroi përkohësisht pezullimin e aktiviteteve tregtare dhe futjen në karantinë të ekonomisë së dytë më të madhe të botës.
Për pasojë, CNN raporton se gjatë kësaj periudhe 80 milionë punëtorë mund të kenë humbur vendet e punës.
Shifrat marrin për bazë statistikat zyrtare të Pekinit se niveli i papunësisë në zonat urbane në muajin mars u rrit në 5.9 për qind. Sipas statistikave, të njëjtin fat kanë pasur edhe miliona punëtorët emigrantë në komunitetet rurale që punojnë në sektorët e ndërtimit dhe manifakturës.
Ekspertët presin që rrethanat të vështirësohen veçanërisht në javët e ardhshme pasi gati 9 milionë studentë diplomohen në shkolla dhe në universitete, kur tregu i punës ende vuan nga politikat kundër koronavirusit.
Ekonomia kineze në tremujorin e parë të vitit po ashtu raportoi se në kulmin e pandemisë u tkurr me 6.8 për qind, për herë të parë që nga vitet 90-ta.
Megjithatë të dhënat tregojnë se aktiviteti në ndërmarrjet e vogla dhe të mëdha ka nisur rikuperimin e shpejtë në javët e fundit.
Teksa numri i të infektuarve aktivë me koronavirus qëndron i ulët, lehtësimi i masave të karantinës po shtyn gjithnjë e më shumë qytetarë drejt bizneseve ndërsa transporti dhe turizmi i brendshëm janë gjallëruar, edhe me mbështetjen e shtetit. /Ora News.tv/