Pasojat e pandemisë, britanikët: Kina të na paguajë 350 miliard paund

21 prill 2020 | 09:27

Më shumë se 80 përqind e britanikëve dëshirojnë që Boris Johnson të kërkojë një hetim ndërkombëtar për Kinën për mënyrën se si e trajtoi shpërthimin e koronavirusit. Kjo shifër ka dalë nga një sondazh i kryer së fundi dhe ku ka rezultuar se 71 përqind e publikut donin që ministrat ta padisnin qeverinë kineze për dëmet nëse vërtetohet se administrata e Presidentit Xi ka shkelur ligjet ndërkombëtare në reagimin ndaj koronavirusit.

Sondazhi, i kryer javën e kaluar nga Henry Jackson Society, një qendër mendimi neokonservatore, e specializuar për punët e jashtme britanike, tregoi gjithashtu se 74 përqind e publikut në Mbretërinë e Bashkuar mendonin se Kina kishte faj për lejimin e përhapjes së Covid-19.

Javën e kaluar Downing Street për herë të parë e quajti në mënyrë të qartë Kinën si burimin e virusit. Dominic Raab, sekretari i jashtëm, paralajmëroi se Mbretëria e Bashkuar nuk mund të ketë më “marrëdhënie të njëjta ” me Kinën. “Ne do të duhet të bëjmë pyetjet e vështira në lidhje me atë se si ndodhi dhe se si nuk u ndalua pandemia më herët,” ka thënë ai.

Deputetët konservatorë po ashtu, po bëjnë thirrje që Britania të ndërmarrë një qasje të re strategjike në marrëdhëniet me Kinën. Ata kërkojnë që Downing Street të rishikojë miratimin e dhënë për gjigantin e telekomit kinez Huawei për të furnizuar me infrastrukturën 5G të Mbretërisë së Bashkuar, një hap që sipas tyre sjell shqetësime për sigurinë. Kompania mohon që ajo paraqet një rrezik të tillë. Çështja duket se ka shqetësuar edhe publikun, pasi sondazhi zbuloi se 40 përqind e britanikëve kundërshtojnë paketën e Huaweit. Vetëm 27 përqind ishin pro, ndërsa 26 përqind abstenuan.

OKB po përballet me thirrje për të zhvilluar një hetim se si filloi virusi në qytetin kinez Wuhan dhe se si u përhap kaq shpejt. Presidenti Trump tha në fundjavë se SHBA po kryen hetimet e veta dhe se Kina duhet të përballet me pasoja nëse konstatohet se “ishte me vetëdije përgjegjëse” për shpërthimin.

Disa republikanë kanë hartuar një projekt-ligj që mund ti hapë rrugë qeverisë amerikane të padisë Kinën për dëmet. Veprime të tilla kundër Kinës përfshijnë edhe shumë se 40 vende të tjera përveç Britanisë dhe SHBA. Ata kërkojnë që Kina të paguajë dëme me vlerë triliona dollarë, duke e akuzuar atë për neglizhencë në reagimin kundër përhapjes së sëmundjes.

Henry Jackson Society ka vlerësuar se qeveria britanike mund të kërkojë pagesën e dëmit në vlerë 350 miliardë paund nga Kina. Në një raport, të botuar këtë muaj, pretendohet se Kina ka shkelur drejtpërdrejt përgjegjësitë dhe traktatet ndërkombëtare të kujdesit shëndetësor.

Alan Mendoza, drejtor ekzekutiv i Henry Jackson Society, tha dje se sondazhi tregoi se publiku britanik është “qartësisht dakord që kërkimi i drejtësisë mbi trajtimin e krizës nga Kina duhet të jetë përparësi.

Tani i takon qeverisë të veprojë sipas premtimit të saj “se nuk mund të ketë më marrëdhënie të njëjta” me Kinën post-pandemike “. Zyrtarët kinezë akuzohen për fshehje të informacionit për modelin e transmetimit dhe numrin lokal të vdekjeve në fazën fillestare të shpërthimit, duke penguar kështu përpjekjet e hershme për të kuptuar rrezikun e sëmundjes. /Mapo/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
ADEM GASHI (Ese) S’e di pse e kam pasur një…