PASQYRA E HEROIZMIT DHE E LUFTËS SË NJË FAMILJEJE

27 shtator 2018 | 16:20

Nuri BEXHETI

Ky botim mbi jetën dhe veprimtarinë e Ahmet Alush Pantina ka për qëllim pasurimin e mikro-historisë së Kosovës, duke kombinuar një ngjarje lokale me një biografi të një dëshmori të kombit, historinë e familjes së tij. Që nga vitet 1970-ta historiografia moderne perëndimore, është duke theksuar njësitë e vogla historike, ndër të cilat hynë historia lokale, historia individuale, historia e përditshme, etj. Megjithëse mikro-historia nuk është një alternativë ndaj makro-historisë, mbase ajo merr parasysh kontekstin më të gjerë, meqë pikëpamja e saj nuk është e kufizuar vetëm në njësinë e vogël të hulumtimit, por gjithmonë i referohet pyetjeve apo njësive më të mëdha kërkimore.

Historia e Ahmetit nuk fillon me aktivitetet e tij në kuadër të UÇK-së dhe rënies së tij heroike, por ai është trashëgimtar i traditës së gjatë familjare që e ka luftuar çdo formë të pushtimit, duke filluar nga stërgjyshi i tij, Hajrë Pantina, i cili ishte një ithtar i mirënjohur i çështjes shqiptare. Hajra kishte bërë haptas thirrje për t’u ngritur në luftë kundër pushtuesit dhe okupatorit bullgar, të cilët arrijnë që ta arrestojnë atë. Por shkathtësia dhe trimëria e tij, ia mundësojnë që të lirohet nga prangat dhe të arratiset, duke lënë të vdekur dy xhandarë. Ai kudo që kishte shkuar iu kishte thënë bashkëvendësve të vet se: “Ne jemi të zotët e kësaj toke dhe po të bëhemi bashkë mund t’i mundim armiqtë tanë”.

Gjatë qëndrimit të Azem Bejtës në malet e Gllarevës dhe përreth, Hajrë Pantina dhe djali i axhës së tij Ymer Pantina atë dhe luftëtarët e tij, jo vetëm që i kishin përkahur, por edhe i kishin furnizuar me ushqim, veshmbathje dhe gjëra të tjera.
Po ashtu edhe Miftari, gjyshi i Ahmetit, dhunën dhe terrorin e kohës ndaj popullit të vet e kundërshtoi me pushkë në dorë. Ai u radhit në çetën e luftëtarit dhe udhëheqësit të njohur Alush Smajlit nga Llozica, të cilin e kishte dajë të nënës. Pushteti, ua kishte djegur kullën dhe shtëpinë, si formë presioni e ndëshkimi.

Për shkak se gjyshi i Ahmetit, Miftari, e kishte luftuar pushtuesin serb, fëmijët e tij ishin të detyruar që të shkonin në shtete tjera si Gjermania, Bosnja, Maqedonia, Kroacia, etj., për të punuar apo për t’u shkolluar. Arsyeja kryesore për një gjë të tillë ishte, se me gjenerata të tëra familja Pantina nuk u nënshtrohej sundimtarëve. Edhe se ishin larg vendlindjes, djemtë e Miftarit nuk i ndërpresin aktivitetet për të vetëdijesuar popullin, duke ndihmuar në financimin e aktiviteteve të kohës që konsideroheshin ilegale nga Beogradi. Disa nga djemtë e Miftarit ishin edhe anëtarë të LPK-së, për cilën arsye duhej të largoheshin nga vendi. Po ashtu, edhe spiunët i kryenin detyrat e tyre me vëmendje të shtuar mbi familjen Pantina, duke e njohur historinë e saj.
Paraardhësit e Ahmetit, përkatësisht familja Pantina e vendosur në Gllarevë gjithmonë ishte në përcjellje të organeve të pushtetit, sidomos atij serb, bullgar, jugosllav. Kjo dëshmohet me burgosje, bastisje, keqtrajtime, përndjekje dhe forma të tjera të dhunës e terrorit.
Për shkak se mixha i Ahmetit, Beqiri, ishte ndër organizatorët e demonstratave të vitit 1981, ai kërkohej nga Beogradi dhe u dënua në arrati me burg shumëvjeçar. Miftarin e kishin kërcënuar policia serbe, se nëse djemtë e tij do të vazhdojnë të punojnë kundër “shtetit dhe rendit komunist jugosllav”, ata do t’i burgosin dhe vrasin.

Prindërit e Ahmetit ishin largpamës, mbase e kishin kuptuar qartë domosdoshmërinë e edukimit të brezit të ri, përkatësisht fëmijëve të tyre. Ata e dinin se bërthama bazë e shoqërisë është familja. Interesi i prindërve dhe i familjes në edukim është parësor dhe përcaktues. Angazhimi, puna dhe përkushtimi i prindërve të Ahmetit ndaj tij dhe fëmijëve të tjerë kanë ndikuar në të ardhmen e fëmijëve të tyre. Pra, prindërit e Ahmetit, fëmijët e tyre i kanë rritur dhe edukuar që të jenë njerëz të denjë, modest e të dobishëm për familjen, farefisninë, kombin dhe shoqërinë.

Alushi ishte një shembull për Ahmetin dhe fëmijët tjerë, mbase përherë iu kishte dalë në ndihmë në forma të ndryshme, shokëve, bashkëluftëtarëve, miqve, fqinjëve e tjerëve. Modestia e familjes dhe dashuria ndaj atdheut tregohet pas mbarimit të luftës së fundit kundër agresorit serb. Alushi vazhdoi jetën modeste e të ndershme në fshat, duke punuar në pronën e tij bujqësore. Me ato të ardhura që krijonte shkollonte fëmijët e tij. Nuk deshi që të ketë përfitime e privilegje për luftën që kishte bëra ai, familja e tij dhe posaçërisht djali i tij dëshmor Ahmeti.

Në rrethana të tilla i rritur dhe frymëzuar, Ahmeti nuk kishte se si të vepronte ndryshe dhe zgjodhi rrugën e paraardhësve të tij, duke u aktivizuar në kohën më të vështirë për popullin tonë. Ai dhe shumë të tjerë u bënë pjesë e një lëvizje që i doli përballë një armiku të fuqishëm, duke shpresuar se një ditë ky vend do të frymonte lirë. Djemtë si Ahmet Pantina ishin ata që kishin kurajë për të na sjell lirinë të cilën sot e shijojmë.
Po citoj këtu këtë pjesë të fjalimit të Hashim Thaçit, më 25.09.2008: Në mesin e trimave ishte edhe Ahmet Pantina, një ushtar trim që e kisha njohur edhe personalisht. Shtëpia e Alush Pantinës ishte bazë e ilegalëve dhe strehë e anëtarëve të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së që nga vitet e hershme. Familja Pantina ishte një vatër tipike shqiptare, që në kohë të vështira të ofron strehë, e në sprova madhore nga pragu i saj dalin ushtarë, luftëtarë dhe dëshmorë. Ahmet Pantina me nder dhe krenari e kreu detyrën në kuadër të Brigadës 113, të prirë nga komandanti Mujë Krasniqi, i cili edhe i plagosur qëndronte në front.

Personalisht unë kam këtë mendim: Një hero vdes vërtet, atëherë kur ai harrohet.

Ky libër nuk është vetëm një histori për një djalosh, i cili ka luftuar heroikisht deri në frymën e fundit kundër forcave ushtarake serbe. Kjo biografi për Ahmetin është një pasqyrë e heroizmit dhe luftës së një familjeje me gjenerata të tëra kundër okupatorëve të kohës dhe pasurim për historiografinë moderne shqiptare.

(Ky fjalim është mbajtur me rastin e promovimit të librit monografik “Djaloshi me shikim lirie – Ahmet Alush Pantina”, kushtuar dëshmorit Ahmet Pantina)

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s ka vendosur që Gjermania do të…