Pasqyrat e Narçizit

06 shkurt 2022 | 09:06

Albanë Mehmetaj

 1.

 Tregimet moderne të Ernest Koliqit janë shembulli më përfaqësues i tendencave për t’i gjurmuar persona­zhet për­brenda qenies psikike të tyre. Këtë tendencë e vërejmë në të tre librat me tregime të tij, më haptas duket te Pasqyrat e Narçizit dhe pikërisht këtë vepër do ta trajtojmë në këtë pjesë të studimit tonë. Analiza jonë do të fokusohet te personazhi për të parë se si ëndërron ai dhe se si ëndrra bëhet veçori e poetikës së Koliqit dhe një veçori e stilit të tij. Meqë Pasqyrat e Narçizit është vepër autobiografike, personazhi e përfa­qëson autorin dhe ëndrrat e tij lexohen si ëndrra të autorit në shembullin e psikanalizës tradicionale. Ne trajtën e ëndrrës e konsiderojmë vetëm një figurë të ëndrrës së autorit dhe në mbështetje të kësaj pikëpa­mjeje është jo vetëm teoria psika­nalitike, por edhe zhanri i Pasqyrave të Narçizit si vepër auto­biografike.

Metoda jonë do të jetë psikanaliza letrare, e cila e ka një traditë edhe te ne, që nga Krist Maloki. Baza e kësaj metode është teoria e Frojdit mbi ëndrrën, por metoda është zhvilluar edhe në drejtime të tjera, si në atë të semiotikës dhe të analizës së tekstit, prandaj edhe ne do të përpiqemi që analiza të kombinohet me elemente të semiotikës dhe të gjuhës së veprës në përgjithësi.

Pasqyrat e Narçizit është një formë e veçantë artistike në të cilën hetohet fuqia e figurës, fuqia narrative dhe fuqia psikologjike e veprës që jepet në monolog të brendshëm, duke pasur objekt ëndrrën e kahershme të dëshirave të ndrydhura. Kjo vijë narrative strukturo­het në shtatë tregime të shkurtra, të cilat mund të lexohen në vete, por edhe si tërësi, duke i dhënë fuqi vështrimit estetik, të cilat hetohen që në titull: Ujët e pusit, Pasqyrë e vjetër shkodrane, Kroni i Bardhanjorvet, Prrue në Dukagjin, Një çuterr në Helveti, Vala e detit, Xhami i dritores sime. Shtatë tregimet implikojnë botën shpirtërore e psikike të poetit, të cilat manifestohen si variante të njëra-tjetrës, prandaj rrëfehen si imazhe të ëndrrës poetike, pa strukturë të fortë dramatike, pa personazhe të shumtë, duke bërë që edhe fabula të ketë rrjedhë tjetër të zhvillimit e të jetë në funksion të botës psikike të narratorit-personazh. Ky dimension tekstor merr elemente psikanalitike, pasi që realizohet si kërkesë e shfaqjes së brendshme të vet shkrimtarit, duke pasur esencë shkrimore realitetin e kontekstit kohor: hapësirat etnike, traditën tipike dhe zbërthimin e identitetit autorial. Në këtë mënyrë tregimet janë autobiografike, të drejtuara drejt psikikës së personazhit, duke shpaluar një histori njerëzore në formë të kuj­timit, ëndrrës, përmallimit, brengës dhe mërzisë. Të gjitha këto kategori zbërthehen nëpërmjet interpre­timit të ëndrrës të personazhit, prandaj ëndrra në leximin e integruar reflekton motivueshëm edhe në procesin e interpretimit të tekstit.

Rrëfimtari rrëfen për identitetin si për një ëndërr, në të cilën një temë e madhe rrëfehet në pamje dhe plane të vogla e të këndshme, me përshtypje idilike, duke pasur objekt poetik kujtesën, e cila simbolizohet me jetësimin artistik të perso­nazhit që shfaq një mënyrë të veçantë jetese. Ernest Koliqi përdor figurën e personazhit të tij për të jetësuar në novelë ambientin e fëmijërisë së tij, të cilën tashmë e kujton me nostalgji dhe si në ëndërr.

Poetët na prekin sepse më kryeveprat e tyre dhe me frymëzimet e fuqishme hyjnë thellë e më thellë në pavetëdijen kolektive dhe thonë me zë të lartë gjëra që të tjerët vetëm i përmendin trubullt. Poetët flasin më zë të artë duke i dhënë formë simbolit që ngjall tek autori një kënaqësi estetike, pa e vënë në kuptimin e tij të vërtetë[1], thotë C. G. Jung te Tipat psikologjikë. Prandaj, për ta hapur kontekstin e tregimeve duhet përmendur relacionin e veprës me jetën si një gjë primare, e cila prodhon tekstin si shfaqje të vetes, duke lexuar psikikën. Dukuria shpjegohet sipas teorisë së Frojdit, duke pasur si bazë ngacmimet shpirtërore që nxitin ëndrrat, por te Koliqi realizohen me shenja nacionale poetike, me theks në të kaluarën kombëtare dhe kulturën shqiptare, të dhëna si refle­ktim psikologjik.

Te tregimet e Koliqit është e rëndësishme të hetohet psikikja përkrah analizës artistike, duke pasur parasysh jetën e vet Koliqit, i cili kishte fatin të jetë mërgimtar i përjetshëm. Ndaj, vendlindjen vetëm e ëndërronte dhe e kujtonte nëpërmes formave të ndryshme letrare, si te Pasqyrat e Narçizit e botimit të dytë, duke e kërkuar atë në shtatë variante e duke pasur si temë psikologjinë e personazhit. Këto shtatë variante kanë si reflektim përjetimin e shtatë ëndrrave të cilat marrin formën e halucinacioneve, duke plotësuar temën e veprës. Sipas Frojdit, ëndrrat që rrjedhin nga izolimi prej botës së jashtme nuk mund të shpjegojnë tërësisht qëndrimin e huaj të ëndrrave nga vetëdija jonë, në rast të kundërt do të kishte qenë e mundur të bënim shndërrimin e anasjelltë të halucinacioneve të ëndrrave në operacione mendore e në këtë mënyrë do të zgjidhnim problemin e interpretimit të ëndrrave.[2] Psika­naliza e vërteton se është funksioni ndryshe që bën personi e në rastin tonë personazhi, të mos jetë ai që duket, por ai që fshihet, prandaj personazhi i Koliqit fshihet pas gjetjes së kërkimit të identitetit krijues, e kërkimit të gjetjes së rrënjëve të etnisë. Realiteti psikik i personazhit të Koliqit dëshmon për një ndrydhje shpirtërore e psikike që vjen si pasojë e një mungese të madhe. Njeriu që është privuar nga aftësia për të ëndërruar në të vërtetë duhet të luajë mendsh sepse në trurin e tij grumbullohen shumë mendime të turbullta e përshtypje të shpejta nën barrën e të cilave do të mund të fikej ajo që duhej të ngulitej në kujtesë në formën e një të tëre të gatshme. Ëndrra i shërben trurit të ngarkuar si një valvule sigurimi.[3]

Sipas Frojdit, ëndrrat kanë një fuqi shkarkuese shpë­timtare, prandaj në këtë kontekst të ndrydhjes dhe të lirive të kufi­zuara, siç vëren psikanaliza, uni i Koliqit realizohet në vepër përmes fantazisë së ëndrrës e të shkruarit bukur. Fantazisë së ëndrrës i mungon gjuha e nocioneve dhe atë që do të thotë ajo e vizaton me pamje e figura dhe meqë këtu nocioni nuk ka ndikim dobësues, ai i vizaton gjërat e plota, madhështore e gjithë fuqi.[4]

Fantazia, sipas Frojdit, provon një fantazi të brend­shme, që në një shkallë më të madhe ose më të vogël të bashkojë me to “Unin” e njeriut që ëndërron e në këtë mënyrë të tregojë veprimin duke u realizuar si përmbushje dëshirash. Prandaj, nga kjo pikëpamje, shtatë rrëfimet e Koliqit depozitohen në tekst si rrëfim i një jete dhe ëndrre tashmë të përfunduar, duke krijuar idenë e dëshirës e të mallit të përjetshëm. Marrë për­gjithësisht, nga këtu mund të dalë se qëllimi i veprës artistike është i njëjtë me atë që psikanaliza e konsi­deron qëllim të ëndrrës: të kënaqurit e një dëshire të fshehtë, të ndaluar, në nënvetëdije a ndërdije[5] dhe në këtë vijë të ilu­strimit të botës psikologjike, të figuruar në një periudhë të caktuar kohore, shtrihet i gjithë teksti i Koliqit, i cili jetën e rrëfen si ëndërr.

2.

Koliqi, duke përdorur mitin e Narcizit si referencë simbo­like, në një dimension krejt tjetër, ndërton një Narciz të ri, Narcizin që zbulon identitetin krijues e kombëtar e që dashu­rohet përjetësisht në dheun e të parëve. Prandaj, teksti ndër­tohet nga një fill narrativ me strukturë të monologut, në të cilin narratori shënjon ambientin dhe idetë, ëndrrat dhe ndjesitë. Kjo mund të shihet që në tregimin e parë Ujët e pusit:

Dashunova prrallën e Narçizit me të tanë hovin e gjakut tim prendveruer. E gjithëkund e gjithëkah kërkojshem pasqyrat ku m’u pasqyrue.

Narçiz e quejta veten ndër ditët e rinis së parë, tue mos pandieasokohe sa trishtim mâ vonë do të më shkaktonte ky emën luluer. Mandej, kur rritemi në moshë, a nuk i përsërisim me tjera mend, don me thanë përnjimend? E atherë nuk zhvillohen të njoma e të pastra si dikur, por të trubullta e trubulluese edhe dobësuese të trupit e të shpirtit.

Qysh në fmijní dashunova ujant si të rrjedhshëm ashtu t’amullt, valët pasqyruese, sipërfaqet kristalore shumë tërhjekse për Narçizin andërrtar.[6]

Në këtë fragment dalin shenjat që identifikojnë psi­kologjinë e autorit duke orientuar drejt zbërthimit të ëndrrës që ka fillin në fëmijëri. Kështu, mund të lexojmë psikikën e autorit-narra­tor duke lexuar pamjet dhe situatat që i jep ai vetë në tekst qëllimshëm. Janë këto pasazhe të vogla, por që në një kuptim përfaqësojnë krejt jetën si pasqyrë që del në shtatë variante kujtimore.

Rruga kërkimore e Koliqit, siç dhe u përmend, ndër­tohet përmes emrit të Narçizit, me të cilin narrator e quan veten, duke menduar se i përshtatet veprës së tij si burim për ta pas­qyruar qenësinë shqiptare ndër shekuj: U prira mbi çdo pasqyrë xixilluese për me kundrue bukurin e andrrës s’eme.[7] Koliqi, sikurse Narçizi ëndë­rrimtar, shpalos thellësinë e shpirtit, ëndërron e dashu­ron jo vetveten, por artin, krijimin artistik dhe botën arbërore.

 3.

Kritiku psikanalist e trajton tekstin letrar si një analog të ëndrrës dhe beson se nëpërmjet një analize të hollë­sishme të funksionimit të tij me qëllim që të zbulojë psikologjinë e krijuesit të vet. Në tekstin tonë, për ta hetuar marrëdhënien e tekstit me autorin, na bëhet e mundshme nëpërmjet gjuhës së Koliqit. Për fat të mirë, është stili që e shquan Koliqin si autor modern e autor i veçantë të letërsisë shqipe. Në këtë pikë është e rëndësishme të përmendet që arsyeja pse pranohet që psikanaliza mund të flasë rreth letërsisë qëndron në pikëpa­mjen, sipas së cilës, ka diçka që duhet thënë rreth gjuhës. Do të thotë, është ligjërimi letrar faktori më i rëndësishëm që bashkon veprën artistike me psikanalizën, pasi që e para, nëpërmjet fantazisë dhe gjuhës. krijon tekstin letrar imagji­nativ (shpeshherë duke pasur referencë jetën reale të autorit), ndërsa e dyta, po ashtu, nëpërmjet rrëfimit real, por që shpesh kalon në imagjinatë, rrëfen për ëndrrën e për jetën. Të gjitha këto lidhen me psikologjinë e autorit dhe figura­tivisht me referenca reale shënjojnë jetën në kode dhe rrethana të ndry­shme. Kështu, dy rrafshet, edhe konotacioni letrar, edhe dëshmia për jetën, kanë si esencë çështjen e rrëfimit dhe të leximit, duke krijuar raportin autor-tekst-lexues. Duke rrëfyer për ngjarjen, për histori jetësore dhe për dëshirat, edhe vepra letrare krijon një botë të tyre përmes lojës së gjuhës dhe të fjalëve. Prandaj, kërkimi letrar mund të bëhet nga pikëpamja filozofike si një perspektivë e duhur për vështrimin e artit dhe të problemeve të tjera njerëzore, duke zbuluar psikikën e autorit, ëndrrat dhe fshehtësitë e tyre.

Hollani i sheh tekstet letrare si vende të fshehta, sisteme të koduara, që hiqen si maskim, si dhe e sheh veprën si skenë e marrëveshjes së fshehtë midis autorit dhe lexuesit, rreth së cilës ai krijon një përgjigje estetike. Qasja e drejtpërdrejtë për ta lexuar tërësinë e kupti­meve të fshehta të tekstit, temës, gjuhës e kodit të saj, është metodë semiologjike. E kështu teksti i Koliqit ndërtohet si tekst i ri, duke kujtuar shenjat që nga fëmi­jëria, të cilat të lidhura shpërfaqin ambient, kulturë, trashëgimi, etni dhe identitet, duke dhënë pamjen e një jete të tërë me të gjitha karakteristikat shqiptare. Këto shenja të shikuara nga një kohë e tashme aktua­lizojnë fuqishëm formimin letrar të autorit.

Por vepra e Koliqit mund të interpretohet edhe, siç theksuam më lart, si rrëfim i ëndrrës dhe i dëshirave të parealizuara ose si përpjekje për ta kuptuar realitetin nëpërmjet ndërtimit imagjinar. Kështu, figura te Pasqyrat e Narçizit e ndërtojnë një bosht tek i cili fokusohet qenësia emocionale, formale e ideore e tekstit nga të cilat mund të hulumtohen fshehtësitë e sek­reteve auto­riale thellë në shtresat e tekstit. Mund të bëhen edhe lexime të tjera, të shumta, të veprës pasi autori qëllim­shëm i lë hapur për të dëshmuar modelin evropian dhe gjuhën simbolike.

Prandaj, mund të themi edhe se Pasqyrat e Narçizit e rrëfen vetminë si gjendje kërkimi në të cilën persona­zhi hulumton rrënjët e veta, të shkuarën e të tashmen e tij, si kërkim i vetes së tij e si rrëfim për të tjerët. Titulli pra përbëhet nga dy koncepte: vetmia dhe kërkimi, që në të vërtetë ndërtojnë gjithë tekstin, duke u bazuar në simbolikën e Narçizit, por tash jo në kupti­min e dashurimit në vetvete, por të dashurisë ndaj letërsisë e krijimit letrar.

Me anë të figurave, të stilit dhe të “mjegullave të arta të simbolizmit”, Koliqi e rrëfen kërkimin e vetes si në një ëndërr, me qëllim që t’ia lerë lexuesit mundë­sinë që ta interpretojë kërkimin dhe atë që gjen Koliqi për identifikim.

Shtatë pasqyrat e Narçizit shquhen në radhë të parë me mënyrën se si thuhen, andaj Koliqi rrëfen nëpërmjet shenjave, për të zbuluar të bukurën, sublimen dhe madhështoren. Prandaj, të shtatë tekstet pasqyruese ndërtohen në një sistem, pra si thurje shenjash, duke ndërtuar një botë që kërkon identitetin, e kështu duke ndërtuar relacionet midis shenjave si të lidhura.

Rrëfimi semiotik koliqian nis nga dëshmimi i për­vojave letrare imagjinative, me disa nuanca të reales, për të shkrirë sa më bindshëm emocionin që prodhon vetmia autoriale. I shënjuari dhe shënjuesi këtu, pra autori dhe identiteti, krijojnë relacion analogjie, duke qenë tërësisht të motivueshëm e të besueshëm. E kjo pikë mund të vërehet në çdo faqe të tekstit të kësaj proze poetike, duke filluar që nga tregimi i parë Ujët e pusit.

Këtu personazhi del si shenjë, i cili lidh nyjëtimet struktu­rale në vazhdimësi, në tregime të tjera, duke qenë ai boshti për t’u dhënë kuptime të reja shenjave të vjetra. Përmes rikuj­tesës së personazhit simbol, zhvillohet e tërë ngjarja përshkri­more duke u lidhur me situata të ndryshme e që duken krejt si ëndrra, por zbërthehen nëpërmjet leximit të kodeve.

Ujët e pusit është tregimi i parë që hap rrethin semi­otik e që përbëhet nga shenjat që duhen lidhur gjatë tërë tekstit si, p. sh.:

Dashurova përrallën e Narçizit”, “Narçizi andërrtar”, “Shqipní, nuse e ujnavet, âmbëlsija e gjallë e jote freskon ândrrat e netve të mija”, “gjaku shqiptar qi nuk shterret kurr por, si ecin valët e Drinit prej grykës e prej lugjes në lugje, edh’ai rrjedh prej katraqyshavet ndër nipa, mot në mot”; “rrëfimi i dadës”; “Shkodrën qi shtrîhej përtej mureve t’oborrit si e rrëmbyeme në nji ândërr”, “fytyra e poezisë nuse e shpirtit tim”, “rrnoftë ândra e bukur që gënjen”, “vuejtja vetëm vuejtja i dhuron dritë përvojës”‘, urtî hyjneshë e moshës së pjekun”; “Floçka” etj.

Pra janë këto figurat bosht, e që secila mund të inter­pretohet gjatë e më gjatë, por së bashku formojnë tërë­sinë e rrethit kërkimor e imagjinar të Koliqit, duke u veçuar në eksplikimin e simbolikave dhe lidhjen e figurave në përgjithësi. Kur këto simbole të fshehura zbulohen, atëherë tekstin mund ta inter­pretojmë deri në fund, edhe pse simbolet fshihen duke u zbuluar, duke na lënë mundësi të ndryshme interpretimi.

Ujët e pusit në çdo fjali figurat janë të lidhura, duke pasur objekt natyrën dhe eksplikimin e bukurive të saj, që si vijë lidhëse kanë zbulimin e identitetit. Ëndërrueshëm rrëfehet gjithçka nga rrëfimtari, i cili duket se do t’i shpalosë thellësitë e fshehura të shpirtit.

Është Floçka e Pusit ajo që e ndihmon personazhin ta kthje­llojë tërë mendimin, ta ndihmojë Narçizin tonë ëndërrimtar për zbërthimin e identitetit të tij letrar dhe kulturor. Rrëfimi ndërtohet nga një pamje reale e jashtme e cila përcillet nga një zgjim dhe mallëngjim shpirtëror derisa flet Floçka, e cila këshillon persona­zhin simbol që të kërkojë veten në shtigjet e ashpra të jetës. Ajo e vetëdijeson se pa mundime nuk arrihet Urtia dhe që i tërë brezi mbështetet në të për të lule­zuar gjaku arbnor. Prandaj shfaqet kërkesa që të hapen sytë e Narçizit ëndërrimtar, e kështu të kërkohet fytyra e vërtetë përmjet poezisë, siç e quan autori nuses Poezi, sepse vetëm poezia është forma që mund ta ruajë dhe ta pasurojë këtë trashëgimi. Në këtë kontekst, poezia del si forma që nuk mund të cenohet, prandaj i gjithë kërkimi mbështetet në të e promovohet në të.

Prania e autorit në vepër ndërtohet shkallë-shkallë, dmth. është më se e hapur, prandaj rrëfimi dhe shpj­egimi bëhen më të qartë dhe tingëllojnë si shumë të vërteta. Dihet se autori nëpërmjet figurave e përvojës personale, mbi të gjitha dijes, di të ndërfutë mjaft mirë imagjinaren, duke e thurur mallin për vendlindjen nëpërmjet një estetike që merr shkas nga realja për të dalë tek ideja, duke u zbërthyer nëpër figura stilistike.

Zbresin gëzueshëm prej bjeshke në jallí Drini e Mati e Arzeni e Semeni e Vjosa tue endun valle si krushq djalosharë të kapun dora dora. E kurr kanga e tyne nuk mên. Edhe në ditët mâ të zeza mjerimi, ajo kângë kumbon e përhapet si nji epithalam urimtar.[8]

Kështu, i gjithë teksti artikulon thellë shtresë-shtresë një pasqyrim dhe një rinjohje të brendshme autoriale, po ashtu të jashtme kur ajo jepet nëpërmjet bukurisë natyrore.

Shqipní, nuse e ujnavet dhe poezi, nuse e shpirtit tim janë dy kodet bazë të tekstit të Koliqit të cilat si ndërtim dhe dome­thënie kanë një mesazh shumë të ndjeshëm dhe personal. Realisht janë dy shtylla të forta jo vetëm të këtij tregimi, por të tërë prozës poetike. Pra, janë dy kode që në tekstin poetik kalojnë në nivel të identifiki­mit, që nëpërmjet semiozave krijojnë autobiografinë e shkrimtarit, edhe pse i gjithë teksti rrjedh si imagjinatë, si përzierje e ëndrrës me kujtesën. Së këndejmi, janë këto dy konceptet kryesore të filozofisë jetë­sore dhe imagjinative të Koliqit të cilat nëpërmjet simbolit të Narçizit kërkojnë dhe pasqyrojnë fytyrën e shpirtin si proces krijimi.

Koliqi shenjat e identitetit krijues i rendit në mënyrë strategjike dhe figurative në mënyrë që domethëniet të sjellin përmbajtje sa më të mjegulluar të cilat shpesh­herë reflektojnë si të fshehura nga lexuesi.

Për shembull, te tregimi i dytë Pasqyrë e vjetër shkodrane nëpërmjet një rrëfimi që bëhet nga pjesë të vogla e të imëta të jetës njerëzore autori kthehet mbrapa në kohë për të përshkruar të kaluarën dhe mallin për jetën fëmijërore. Pra, teksti lexohet duke u nisur nga kujtimet për jetën e fëmijërisë, vetëm se ky kujtim, ashtu siç e duan simbolistët, herë duket si halucina­cion, herë si ngjarje që ka ndodhur, herë si diçka që po ndodh tash, herë si kujtim që ka ekzistuar, herë si diçka që vetëm po imagjinohet e dëshirohet. Prandaj estetika e tekstit krijon efek­te të mjegulluara, duke lënë të kuptojmë se narratori sikurse dëshiron ta jetojë edhe një herë të kaluarën, e cila tashmë është e pamundur. Kjo jetë vetëm mund të imagji­nohet, prandaj ai do që përmes kujtimeve të vjetra, ngjarjeve dhe pamjeve, t’u japë sot përmbajtje të re. Shkurt, ato kohë dëshiron t’i jetojë sot.

Oda shkodrane është objekti i cili prodhon shumë kuptime. Ajo identifikohet me të kaluarën e personazhit, duke përfshirë tërë ambientin e Shkodrës, shtëpinë, të gjitha orenditë, shërbë­toret që kujdeseshin për të etj. Dhe, pikëllimi del nga kjo pikë kur narratori është i vetëdijshëm që ajo kohë tashmë ka kaluar, që ai nuk është më fëmijë dhe koha nuk mund më të kthehet, por vetëm mund të kujtohet. E mënyra se si e kujton ai këtë kohë është esenca e gjithë tekstit të Pasqyrave të Narçizit.

Personazhi e di mirë se jeta madhështore e Shkodrës tashmë e ka robëruar dhe më nuk mund të lirohet nga ajo ndjenjë. Ajo shtëpí, ajo odë, ato orendí, të gjitha ato sende të heshtuna dikur ishin qênë plot jetë.[9] Përveç për­shkrimit të ambientit të odës e të shtëpisë, Koliqi këtu merret edhe me historinë dhe gjeografinë e Shqipërisë, duke kujtuar nën “zhegun” shkodran gjithë punët e tregtisë që bëheshin në Shkodër. Duke dalluar veçantitë, autori dëshiron ta jetësojë atë odë, kërkon t’i vijnë ngjyrat e dikurshme, kërkon një zë që ta ringjallë zërin e tij. Autori i kërkon shenjat e jetës së fëmijërisë për t’i bërë sa më të vërteta ngjarjet në mënyrë që edhe t’i ndiejë ato.

Autori do që ta shuajë hovin e gjakut rinor, në ritmin e ngadalshëm që ka, e kështu duke iu afruar pasqyrës, nuk ka kohë ta shikojë fytyrën e vet, sepse i bie në sy që pasqyra që nuk e ka më atë dritën që e kishte pasur në kohën e fëmijërisë së tij. Prandaj, përjetimi është i dhembshëm, dhe asgjë nuk jepet më qartë përpos disa pamjeve si hije, të mistershme e të përcjella me një mërzi të thellë.

Do të thotë, tregimi Pasqyrë e vjetër shkodrane është pasqyrim i ri i autorit në të kaluarën nëpërmjet pasqy­rimit të vjetër i cili e mund këtë të riun me hijeshinë dhe domethënien që kishte e që nuk mund ta ketë ky sot:

Pasqyra s’e kishte mâ at dritë të qartë qi pat në kohën e fmijnís s’ime. Do avuj të zbardhukët i a mjegullojshin fundet e mysterhme ku pásh tue ardhun e tue shkrue, përherë mâ qartas, do ftyra trimash e grásh. U solla me shpejtí po askush nuk gjindej n’odë, veç meje.[10]

Prandaj, teksti del si një lloj malli i bukur, me nuanca të dësh­përimit që nuk mund të kthehet pamja dhe përjetimi fëmijëror i gjërave të ambientit të tij, e kjo dëshirohet me tërë qenien e Koliqit.

Dëshira për të jetuar edhe një herë kohën fëmijërore bëhet në nivel shpirtëror e metafizik përmes ëndrrës e paramendimit, duke tingëlluar shumë i veçantë zëri i autorit përmes gjuhës së figuruar dhe varianteve të ndryshme të shprehjes së ndjenjës dhe përmallimit.

Figura e Zanës si krijesë mitologjike shqiptare te teksti i Koliqit del si simbol i frymëzimit të personazhit autor, për të krijuar poezi e për ta ruajtur identitetin shqiptar. Edhe te ky tekst, si në të parin, provohet ky funksion madhështor i Zanës kur personazhi sheh që nga pasqyrat e vjetra dalin Zanat që rreshtohen për­para së bashku me fytyrat e zonjave dhe zotërinjve që tashmë s’janë. Në këtë mjegullnajë ndërhyn personazhi duke thënë:

Jeni strukë aty në fund të pasqyrës për me rréjt Dekën. Keni ndéj me vjet e vjet tue më pritë. E s’mbrami kujtuet se erdhi dita juej. Jo, poeti s’e humbë jetën e vet për me ringjallë t’uejen. Gëzimët e idhnimet, qi ju tronditen, qenë teper të ngusha. Unë kam deshire mâ të gjâna e mâ te nalta. Lumnija qi ju shijuet motit më duket e pakrypë. Në kët breshnuer të marrun drite unë due me kundrue ftyrën t’ime të ré jo fytyrat e jueja të vjetra.[11]

Është Zana ajo që ia ndërron mendimin personazhit duke i thënë që ai është i gjinkuar nga Zanat përjetë, që gojëdhënat e tyre të vazhdojnë në të e në poezinë e tij. Pra, ai është i zgjedhuri i Zanave për ta ruajtur trashëgiminë, zakonet dhe gjakun shqiptar. Zanat janë përtërirë në personazhin objekt, andaj ai do ta ndjekë rrugën e misionit deri në fund, qoftë vetëm si ëndërr.

Niveli tjetër i kërkimit të identiteti e pasqyrimit të autorit del në tregimin e radhës Kroni i bardhanjorvet në të cilin shfaqet personazhi përsëri në kohën e shkuar, duke kujtuar fëmijërinë nëpërmjet një udhëtimi “epik” siç e quan ai te kushërinjtë e tij. Do të thotë, nga ky udhëtim i shkurtër ai arrin të ilustrojë objektin e kërkimit të tij. E gjitha ndodh nga shëtitja që bën me gjyshin nëpër tokën e stërgjyshërve të tij, kah Kroni i bar­dhanjorve dhe nga bashkëbisedimi që ka me një moshatare të tij. Në këtë pikë autori kujton kohën dhe rikujton fjalët, duke konsideruar se atëherë shqisat ishin të njoma dhe nuk e kishin receptuar mirë domethënien, prandaj ai thekson disa herë që urtia vjen në moshën e pjekurisë. Nëpërmjet bisedës që kishte me vajzën dhe trimërisë që ia dha ajo, te ky tekst për herë të parë ai heton që ishte zgjuar edhe një e fshehtë e shpirtit të tij: dashuria për të parët, për frymën e vendit e për zërin e Shqipërisë.

Fëmijëria është periudhë shumë domethënëse për autorin narrator, prandaj kësaj hapësire i jep një rën­dësi të madhe për të parë reflektimin derisa vjen te procesi i krijimit, do të thotë te pika qendrore. E kjo arrihet nëpërmjet një udhëtimi simbolik të narratorit i cili plotësohet në tregimin e radhës Prrue në Dukagjin.

Titulli në këtë tregim shenjëzon një ambient të caktuar shqiptar, më shumë shpirtëror të narratorit, duke u përshkruar me shenja reale në vepër. Motivimi i Koliqit këtu del për t’u pasqyruar edhe një herë dhe për të kërkuar fytyrën e identitetit dhe për ta pasqyruar vuajtjen fisnike, por edhe krenarinë. Gjitha këto marrin kupti­min e tillë në pamjen e dhënë, pra në paraqitjen e bukurisë malësore, e cila prek majat e bukurisë kur në të shfaqet femra malësore të cilën autori e krahason me femrën e Dantes. I zhytur kështu në kujtimet personale për ambientin natyror, për malësitë të cilat afrohen bukur me pamjen e realitetit, duke bërë që të joshin autorin tonë për t’i lëmuar. Kjo ndjenjë dhe kjo kënaqësi përshkon gjithë tekstin, duke zbuluar shkallë-shkallë adhurimin që ka autori për vendin.

Tregimin Nji Çuterr në Helveti Koliqi fillimisht e ndërton nga kategoria e trishtimit, hidhërimit dhe mërzisë për të shenjë­zuar gjendjen e tij krijuese. Pra, janë këto tri gjendjet theme­lore të tij, të artikuluara qartë, të cilat tregojnë gjendje shpirtë­rore personale. Në fillim të tekstit del ky formulim:

 A e mjef ti, or vëllá, at dobësim shpirtnuer qi me nji fjalë të përditshme quhet mërzí?Idhnimi e trishtimi janë pjellorë. Mërzija të veshkë ndiesít mâ të njoma, të thanë fuqít mâ të thella. Ăsht e shterpë.[12]

Këto tri kategori krijojnë portretin e Koliqit, të krijuesit të përvuajtur, të cilat herë i ndihmojnë të krijojnë e herë e ndalojnë të tërin, kur mbështillet nga mërzia e zezë. Këtu autori, derisa është në nivel të personales, kalon në nivel të kolektivit për ta kërkuar fytyrën e tij të vërtetë, e në këtë sfond e ndihmon poezia për të kërkuar gjakun arbëror dhe gjakun e stërgjyshërve të tij. Poezia i ndërron gjendjen autorit duke e kthyer nga gjendja e dëshpërimit në atë të ëndërrimit e të shpresës, pra në një kuptim misterioz, duke i harmoni­zuar idetë për ta krijuar domethënien.

Mërzinë e cila ia tundon shpirtin dhe e lë pa shpresë, duke i mbyllur të gjitha dyert, ia mund poezia e cila i vjen si mjaltë e prillit duke i dhënë ngjyrë shpirtit të tij. Pjesa dërrmuese e tekstit është pjesë e ëndrrës së zgjimit, e cila krijon metamor­fozën e autorit duke e kthyer në bimë, në gurë, në lëndë, për të artikuluar thirrjen e tij si projekt për t’i kërkuar fijet e atdheut dhe këngët autentike shqiptare. Do të thotë, poezia si mjeti i vetëm i komunikimit i mundëson edhe këtu të shpërthejë ndjenjat personale, duke i dhënë mundësi edhe të gjykojë botën përreth.

Edhe në tregimin e gjashtë Vala e detit qenësinë e tekstit e përbën rrëfimi në mes të ëndrrës dhe të reali­tetit, duke u artikuluar përsëri ideja se lumturia duhet të burojë vetëm nga liria. E lulëzimi i rí i jetës s’onë mbi rrâjë të vjetra ka me mrekullue anijetarët e huej lundërtuesa gjatë këtij bregu deri dje rrethue me mjegull të mugët.[13] Kërkimi i tij i përhershëm i lirisë shpaloset nëpërmjet lirisë së gjerë të detit, pra autori e do lirinë, lirinë e pafundme dhe të pacenueshme, prandaj e krahason me detin.

Në këtë vështrim vala e detit është vetëm figurë për ta dhënë sa më qartë ndjeshmërinë autoriale dhe për të krijuar efektin estetiko-artistik, ndërsa rrëfimi trego­het njëtrajtshëm, ashtu siç di vetëm Koliqi, duke e thurur tekstin si bisedë në mes të narratorit dhe shoqes së tij. Mjegullueshëm del edhe kjo bisedë, duke e bërë të paqartë se a është shoqe, apo dikush tjetër, si dhe duke krijuar paqartësi në fillim se a do të merret teksti me procesin e kërkimit të gjetjes së fytyrës së tij të vërtetë, apo do të ndryshojë kah duke u zhytur në dashuri.

Në tregimin e fundit Xhami i dritores s’ime Koliqi, pas gjashtë varianteve të kërkimit të identitetit, e gjen fytyrën e vërtetë. Identitetin ai e zbulon nëpërmjet sugjeri­mit që i krijon syri i mendjes, duke e bërë t’i kapërcejë pengesat për t’i kaluar rrathët e shtëpisë, të Shqipërisë e të Gjithësisë. Kështu, autori zbulon identitetin e kri­jimit duke e bërë të fluturojë e t’i heqë të gjitha ndale­sat deri në vezullim të shpirtit e në kufij të rruzullimit.

Duke kënduar identitetin krijues e duke iu gëzuar zbulimit, Koliqi gjen bukurinë e vërtetë të sendeve të botës me anë të shpirtit, të përvojave jetësore e të vetëdijes së lartë krijuese, prandaj ai mund të kalojë krejt kufijtë e gjithësisë.

Tepër i tronditun, mora m’u largue nga dritorja. Në xham të saj, ndërsa po sielleshëm, vezullou fytyra e ime. E shikova më vërejtje e u çudita për do vija të reja qi spikatëshin në tê. Deshiret e asaj mbasditje së ndritëshme me flakën e tyne bujare kishn djegë ndër skâje të buzve shêjet e papastra t’epsheve. Nji dritë e pastër derdhej prej syve të rrëmbyem kha goja. E vûna roe edhe dallova, në buzët e mija qi nuk livrojshin, bashkue njâna me tjetrën, at ambëlsí fisnike qi kanë duert e dashuna të nânës s’ime kur ngjiten për m’u lutë.[14]

Gjithçka që mund të shihet në planin e temës te Pasqyrat e Narçizit është kërkimi i identitetit artistik të cilin Koliqi e gjen të plotë krejt në fund, duke i krijuar edhe vetes qetësimin e kahershëm shpirtëror. Shtatë pasqyrat të cilat për nga kodi tematik dalin si variante të njëra-tjetrës japin qartë shtatë mënyrat e kërkimit nëpërmjet shenjave kombëtare, traditës, vlerave kultu­rore, gërshetimit të së kaluarës me të tashmen, rrëfi­meve të bukura fiktive dhe reale fëmijërore.

Aventura kërkimore e Koliqit del e plotë kur lexo­hen tekstet së bashku, por ato mund të lexohen edhe të ndara, dhe se secili tregim në fund të tekstit e ka hapur tipin e kërkimit, p. sh., te tregimi i parë:

Ishte terr. Tash e’kuptoj se po të m’ishte dhânë mundësija m’u pasqyrue n’ujin atje në fund të pusit, asi shtegu unë do t’a kishem ndoshta gjetë fytyrën t’ime të vërtetë.[15]

Te tregimi i dytë kemi: Bukurija e zbét e jetës shkodrane të dikurshme mbet e robnueme n’avujt e nji pasqyre së vjetër, ku unë s’deshta m’u pasqyrue.[16]

Te tregimi i tretë:

Syt veçse ndritshin tue qitun do shkëndija të mysterëshme. Sigurisht në fytyrën t’ime aty përtríheshin typaret e ndoj stërgjyshi barí.[17]

Te tregimi i katërt kemi:

N’uj t’atij prroni njofta ndoshta fytyrën t’ime të vërtetë.[18]

Te tregimi i pestë kemi:

 Kur syni i im këthei m’u kundrue në pasyqrë t’ujit të huej, unë s’e njofta mâ veten t’ime e: njimijë fytyra përmblidhe­shin në fytyrë t’ime.[19]

Te tregimi i gjashtë kemi kërkimin e identitetit në liri:

Po, vetëm në lirí lulzon lumnija, por n’at lirí në të cilën dridhet përherë lângu gjallnuer i rrâjve qi na lidhin me dhén e etënvet e me gojdhânat e tija.[20]

Është tregimi i shtatë që përmbyll këtë kërkim, duke e gjetur fytyrën e vërtetë në literaturë, në krijimin artistik, e cila është e vetmja rrugë që hap dyert kudo, e vetmja rrugë që mundëson njohjen e vetes dhe të vendit tënd, dhe e vetmja rrugë që ndihmon për gjetjen e pushimit shpirtëror përballë trazirave të shumta në të cilat gjendet Koliqi.

Hapësira e letërsisë e Koliqit ka vlerë të veçantë kur hetohet gjuha e figurshme e tij e cila lidh rrëfimin për­mes simbolit e metaforës, duke projektuar kuptimet letrare si figura, siç dësh­mohet edhe me Narcisin sim­bolik. Do të thotë, autori, me anë të një motivimi të brendshëm, e ndërton figurën e Narcizit e cila si ide shpërfaq dashurinë për letërsinë dhe identitetin krijues. Prandaj, identiteti krijues shenjëzohet nga ëndrrat, ndërsa interpretimi i saj në një tekst letrar është inter­pretim i një simptome identitare.

 

[1] C. G. Jung, Tipat psikologjikë, Uegen, Tiranë, 2014, f. 195

[2] Sigmund Frojd, Interpretimi i ëndrrave, Fan Noli, Tiranë, 2010, f. 57

[3] Po aty f. 79

[4] Po aty f. 84

[5] Agim Vinca, Metoda letrare, Libri shkollor, Prishtinë, 2016, f. 67

[6] Ernest Koliqi, Vepra 2, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 317

[7] Po aty f. 321

[8] Ernest Koliqi, Vepra 2, Faik Konica, Prishtinë, 2003, f. 318

[9] Po aty f. 325

[10] Po aty f. 325

[11] Po aty f. 326

[12] Po aty f. 345

[13] Po aty f. 354

[14] Po aty f. 359

[15] Po aty f. 322

[16] Po aty f. 327

[17] Po aty f. 338

[18] Po aty f. 344

[19] Po aty f. 349

[20] Po aty f. 354

 

Marrë nga numri i 13-të i revistës “Akademia”

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Uran Krasniqi  Ai ishte gjyshi im të cilin e njoha…