
Pastrimi i parave dëmton buxhetin e shtetit, minon sistemin ekonomik
Rrjeti Ballkanik për Gazetarinë Hulumtuese (BIRN Kosova) ka publikuar dokumentarin mbi pastrimin e parave me elemente ndërkufitare.
Ky dokumentar hedh dritë mbi praktikat dhe rrjetet ndërkufitare të pastrimit të parave si dhe ofron një perspektivë të thelluar mbi rolin e institucioneve dhe gazetarëve hulumtues në luftën kundër këtij fenomeni. Ministrja në detyrë e Drejtësisë Albulena Haxhiu, ka thënë se lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar është një betejë e rëndësishme për stabilitetin dhe të ardhmen e vendit. Ajo ka përmendur gjithashtu sfidat që paraqet mosanëtarësimi i Kosovës në Interpol dhe në Këshillin e Evropës, duke shtruar nevojën për bashkëpunim ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar.
“Lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është vetëm një çështje e drejtësisë, por është edhe një betejë për sigurinë dhe stabilitetin, por edhe për të ardhmen tonë. Pajtoheni që korrupsioni dëmton themelet e një shteti, pengon zhvillimin ekonomik dhe minon besimin e qytetarëve në institucionet publike. Ndërsa, krimi i organizuar e përdor korrupsionin si një mekanizëm për të pastruar parat e përfituara nga veprimtaritë e paligjshme dhe për të forcuar rrjetet kriminale që nuk njohin kufij shtetërorë. Prandaj, qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa të guximshëm për të luftuar këtë fenomen, duke bërë drejtësinë një prioritet. Në vitin 2024 kemi realizuar një numër rekord të ekstradimeve të individëve që përfshihen në krim të organizuar dhe krimet financiare. Nga Kosova janë ekstraduar 32 të dyshuar në vendet partnere, ndërsa 45 të tjerë janë sjellë që të përballen me drejtësinë në Kosovë. Mes tyre ka pasur individë që drejtonin rrjete kriminale të trafikut të drogës dhe grupe të përfshira në krim të organizuar. Sfidë mbetet mosanëtarësimi ynë në Interpol dhe Këshill të Evropës që kufizon kapacitetet tona për ndjekjen dhe arrestimin ndërkombëtar të kriminelëve. Por, pavarësisht këtyre pengesave Kosova ka ndërtuar ura bashkëpunimi me këto”, ka thënë ministrja Haxhiu.
Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, e ka cilësuar pastrimin e parave si një dukuri që dëmton buxhetin e shtetit dhe minon sistemin ekonomik.
“Pastrimi i parave është një prej dukurive që do të na përcjell çdo ditë e më shumë. Ne kemi aprovuar që të zbatojmë të gjitha standardet ndërkombëtare për luftimin e pastrimit të parave, duke përfshirë edhe parandalimin e kësaj dukurie. Jemi ndër vendet më të suksesshme në raportet e Këshillit të Evropës për parandalim dhe luftim të kësaj dukurie. Ne kemi identifikuar dhe po identifikojmë çdo ditë njerëz nga fusha të ndryshme, biznese të ndryshme nga ato legale dhe ilegale që lakmojnë për të pastruar para për përfitime të ndryshme. Më vjen mirë që Prokuroria Speciale ka pasur prioritet parandalimin dhe luftimin e kësaj dukurie, duke përfshirë tani me Ligjin e ri Prokurorinë Speciale dhe Prokurorinë Themelore që janë kompetente për këto vepra”, ka thënë Kelmendi.
Kurse Kreshnik Gashi nga BIRN Kosova, ka theksuar rëndësinë e ndryshimit të mentalitetit rajonal rreth pastrimit të parave dhe ndikimin e tij negativ në shoqëri. “Kur jemi ulur me ekspertët e ambasadës britanike të zhvillojmë idenë qëllimi i krejt kësaj pune ka qenë ndryshimi i mentalitetit ballkanik, i cili e sheh shpëlarjen e parasë si mundësi për ta zhvilluar vendin, ekonominë, arsimin, shëndetësinë dhe krejt jetën publike dhe politike të vendit tonë. Dëshmitë tona, dokumentimi ynë tregojnë që tolerimi i shpëlarjes së parave në krejt rajonin e Ballkanit në asnjë rast nuk është një storie suksesi, nuk ka sjell zhvillim, nuk ka sjell demokraci. Shpëlarja e parave na ka sjell vetëm varfëri”, ka thënë Gashi.