Pastrohet ambienti përreth liqenit të Badovcit
Një numër qytetarësh i janë bashkuar grupit për mbrojtjen e liqenit të Badovcit, ku në mënyrë vullnetare kanë zhvilluar të dielën një aksionin për pastrimin e liqenit.
Përveç pastrimit, qëllim i këtij aksioni ishte edhe ngritja e vetëdijes së qytetarëve për ruajtjen e ambientit dhe moshedhjen e mbeturinave rreth liqenit të Badovcit, liqen ky i cili furnizon banorët e Prishtinës me ujë të pijshëm.
Nga grupi i vullnetareve, Milot Kurshumlia, ka theksuar se aksioni për pastrimin e liqenit të Badovcit është organizuar nga vullnetarë, të cilët janë duke e shfrytëzuar rënien e nivelit të uji në mënyrë që ta pastrojnë në thellësi liqenin.
Kurshumlia ka thënë se pastrimi i liqenit nuk është organizuar si shenjë pakënaqësie rreth ndërtimeve që priten të fillojnë afër liqenit të Badovcit, por për një ambient të pastër.
Ndërsa kryeshefi ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit (KRU) “Prishtina”, Ilir Avdullahu, ka thënë se kjo kompani ka përkrahur këtë iniciativë të qytetarëve dhe iu është bashkangjitur asaj.
Sipas tij, në të ardhmen disa segmente të Badovcit duhet të rrethohen në mënyrë që liqeni të mos ketë telashe çdo vit me mbeturinat.