Pastrohet liqeni i Batllavës

11 tetor 2018 | 17:44

Mbi 150 thasë me mbeturina dhe tetë tonë mbetje interte janë larguar gjatë aksionit të së enjtes te liqeni i Batllavës, ku u pastruan tri deponi të mbeturinave si dhe një hapësirë përreth Liqenit (500 metra gjatësi).

Në aksionin për pastrimin e liqenit të Batllavës morën pjesë mbi 100 vullnetarë, pjesëtarë të komunitetit lokal dhe një grup nxënësish.

Aksioni u realizua në kuadër të projektit “Improved Waste Management for Improved Water and Environment Protection”, që financohet nga Ambasada e Kanadasë.

Drejtori ekzekutiv i Let’s Do It Kosova, Luan Hasanaj, ka thënë se hapësirat përreth liqenit të Batllavës janë në gjendje jo të mirë, pavarësisht që janë pastruar disa herë.

“Ne nuk po pajtohemi me këtë situatë dhe po mundohemi që disa herë të vijmë dhe të pastrojmë këtu. Qëllimi kryesor i krejt kësaj është që të provokojmë debat dhe të mundohemi t’iu tregojmë qytetarëve që ju duhet me qenë më të kujdesshëm, më të vetëdijshëm, që duhet ta ruajmë këtë hapësirë, duhet ta ruajmë mjedisin ku ne jetojmë, sepse është vend që ne e shfrytëzojmë të gjithë. Nëse e dëmtojmë dhe e krijojmë si kjo këtu, nuk e di se çfarë e ardhme na pret ne dhe gjeneratave që vijnë”, ka thënë Hasanaj.

Ai ka thënë se po bëjnë përpjekje që te liqeni i Batllavës të vendosen ulëse dhe shporta.

Ky aksion është organizuar në bashkëpunim me Task Forcën lokale të Komunës së Podujevës, e cila është themeluar në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”.

Gjithashtu në këtë aksion morën pjesë edhe vullnetarë nga Organizata Joqeveritare “Sundimi i Demokracisë” .

Po ashtu, në këtë aksion për pastrimin e liqenit të Batllavës është angazhuar edhe kompania “Natyra” me ekskavatorë dhe kamionë për largimin e mbeturinave.

/Epoka e re/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Në kuadër të projektit “Përfshirja e burrave në atësi”, të…