Pastrohet lokacioni afër kampusit universitar, gjenden edhe shiringa e mbetje shtazore
Mbi 60 thasë me mbeturina janë larguar nga aksioni i së enjtes në Prishtinë, të cilit iu bashkuan dhjetëra vullnetarë për pastrimin e brezit të rrugës “Xhorxh Bush” dhe hapësirave afër Radio Kosovës dhe Kampusit Universitar.
Aksioni u realizua në kuadër të Fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila nga 15 shtatori deri më tani ka rezultuar me pastrimi e mbi 400 deponive ilegale të mbeturinave në tërë Kosovën.
Për ekipin e “Let’s Do It” shqetësuese ka qenë identifikimi i shiringave dhe mbetjeve shtazore në një hapësirë kaq të frekuentuar të kryeqytetit, ku kalojnë çdo ditë me qindra qytetarë.
Drejtori ekzekutiv i “Let’s Do It”, Luan Hasanaj, ka apeluar te qytetarët që të jenë të kujdesshëm me mjedisin dhe t’u bashkohen aksioneve të pastrimit që po realizohen në kuadër të Fushatës.
“Sot, jemi këtu në mes të qendrës së kryeqytetit, ku po shohim numër të madh të mbeturinave. Është pikërisht vend ku kalojnë numër i madh i qytetarëve. Vet ne, qytetarët dhe institucionet duhet të kemi kujdes me pastrimin dhe mirëmbajtjen e ambientit sepse nëse nuk kemi atëherë nuk kemi nevojë as ta pastrojmë. Aksioni ta pastrojmë Kosovën po vazhdon deri tash janë heq mbi 400 deponi”, ka thënë Hasanaj.
Ai ka bërë me dije se të mërkurën ka përfunduar aksioni disa ditor në Komunën e Vushtrrisë për pastrimin e deponisë më të madhe të mbeturinave në këtë Komunë, nga ku janë larguar mbi 300 kamionë me mbeturina.
Po ashtu përfaqësues të “Let’s Do It” kanë njoftuar se çdo ditë po vazhdojnë aktivitetet në kuadër të fushatës “Ta Pastrojmë Kosovën”, për pastrimin e deponive më të mëdha ilegale në tërë territorin e Kosovës si dhe aktivitetet e tjera për ngritjen e vetëdijes te qytetarët për ruajtjen e mjedisit dhe hedhjen e mbeturinave vetëm në vendet e lejuara.
Fushata “Ta Pastrojmë Kosovën”, e cila nisi më 15 shtator do të vazhdojë deri më 15 dhjetor.
/Epoka e re/