Pastrohet nga minat Parku Kombëtar Zatra, Hovenier: ShBA ndihmoi që nga 99-ta

04 tetor 2024 | 15:48

Ambasadori amerikan, Jeff Hovenier, ka thënë se pastrimi i suksesshëm i minave në Parkun Kombëtar Zatra na sjell më afër qëllimit për një Kosovë pa mina.

Ai tha se vendi i tij ka ndihmuar aktivitetet e pastrimit të minave që nga viti 1999, të cilat kanë pastruar mbi 23 milionë metra katrorë tokë deri më tani.

“Që nga viti 1999, Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur aktivitetet e çminimit në Kosovë, nga të cilat janë pastruar mbi 23 milionë metra katrorë tokë dhe kanë demonstruar një përkushtim afatgjatë për një Kosovë pa mina. Pastrimi i suksesshëm i Parkut Kombëtar Zatra na sjell një hap më afër qëllimit”, ka shkruar Hovenier.

Ndërkaq, ambasada amerikane në një njoftim në faqen e saj ka treguar se më shumë se 400,000 metra katrorë tokë janë pastruar plotësisht nga minat, një proces që zgjati katër vjet, duke e bërë zyrtarisht Parkun Kombëtar Zatra të pastër nga mbetjet shpërthyese të luftës dhe t’u kthehet qytetarëve të Kosovës.

Pjesë të mëdha të Parkut Kombëtar Zatra nuk ishin të qasshme për t’u përdorur nga qytetarët e Kosovës për shkak të rrezikut të mjeteve të pashpërthyera.

Që nga viti 1999, më shumë se 500 njerëz janë vrarë ose plagosur nga minat tokësore dhe mbetjet eksplozive të luftës në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara thanë se kanë investuar mbi 45.6 milionë dollarë në aktivitetet e çminimit në Kosovë që nga viti 1999, duke ndihmuar në financimin e pastrimit të përafërsisht 23 milionë metra katrorë tokë, duke demonstruar një përkushtim afatgjatë ndaj kësaj kauze.

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Komiteti Paralimpik i Kosovës ka festuar një vjetorin e anëtarësimit…