Pastrohet qyteza e bukur e Janjevës
Dhjetëra vullnetarë, banorë e zyrtarë komunalë i janë bashkuar të dielën aksionit në Janjevë, ku janë larguar dhjetëra thasë me mbeturina përgjatë brezit rrugor si dhe pesë kamionë me mbetje të përziera nga një deponi e madhe.
Aksioni në Janjevë është realizuar në kuadër të fushatës më të madhe në vend “Ta pastrojmë Kosovën”, ka filluar nga shkolla fillore “Shtjefën Gjeqovi”.
Besnik Shabiu nga “Let’s Do It Kosova”, ka bërë me dije se në kuadër të kësaj fushate deri më tani janë pastruar 350 deponi ilegale të mbeturinave në gjithë Kosovën.
Ndërsa, kryetari i Komunës së Lipjanit, Imri Ahmeti, ka thënë se nëpërmjet këtyre aksioneve synohet përçimi i mesazheve se sa e rëndësishme është mirëmbajtja e ambientit.
Në anën, tjetër, kryetari i Janjevës, Behxhet Kongjeli, ka kërkuar vetëdijesimin e qytetarëve për ruajtjen e mjedisit, në mënyrë që të mos hedhen mbeturinat vend e pa vend.
Në kuadër të fushatës “Ta pastrojmë Kosovën” të shtunën dhe të dielën, në Komunën e Istogut është mbajtur trajnimi “Ngritja e kapaciteteve të mësimdhënësve në fushën e mjedisit jetësor”, i cili synon rritjen e fokusit të mësimdhënësve në temat që lidhen me edukimin mjedisor si dhe zhvillimin e aktiviteteve konkrete që promovojnë rëndësinë e ruajtjes së mjedisit jetësor.
/Epoka e re/