Pastrohet shtrati i lumit Mirusha në Malishevë
Në kuadër të mirëmbajtjes së hapësirave publike të premten ka filluar pastrimi i shtratit të lumit Mirusha, përkatësisht shtrati i lumit në rrjedhën përgjatë qytetit në Malishevë.
Pastrimi i shtratit të lumit është bërë me qëllim të largimit të mbetjeve të ndryshme nga shtrati, përfshirë gjërat që hidhen nga personat e pakujdesshëm, pastaj mbetjet që mbesin nga përmbytjet, si dhe bimët që dalin në ujëra të cilat e pengojnë rrjedhën e ujit.
Përveç pamjes më të mirë që merr shtrati i lumit, pastrimi i lumit është bërë edhe për shkak të parandalimit të përmbytjeve, që eventualisht mund të bëhen gjatë shirave të rrëmbyeshëm.
Pastrimin e lumit e ka parë nga afër edhe nënkryetari i Komunës së Malishevës, Hajdin Berisha, i cili është ndarë i kënaqur me punën që është duke u bërë.
“Pavarësisht këtyre faktorëve ne po mundohemi ta mirëmbajmë dhe shumë shpejt besojmë se do të fillojmë edhe me rregullimin e pjesës tjetër të lumit, ku përveç parandalimit të përmbytjeve, do të krijohet edhe një hapësirë e mirë, me shtigje për ecje dhe relaksim”, ka thënë Berisha.
/Epoka e re/