Pasurohet me tituj të rinj biblioteka e qytetit të Klinës
Drejtoresha për Kulturë, Rini dhe Sport në komunën e Klinës, Fatjona Gashi, ishte e pranishme në hapësirën e bibliotekës së qytetit “Kongresi i Manastirit”, ku bashkë me stafin e kësaj biblioteke ka pranuar donacion nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, rreth 1 000 ekzemplarë të librave, me gjithsej 415 tituj të rinj.
Bibliotekës “Kongresi i Manastirit” i janë shtuar edhe 990 ekzemplarë me rreth 110 tituj të tjerë të rinj nga buxheti i kësaj drejtorie.
Drejtoresha Gashi me këtë rast falënderoi Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit për donacionin në fjalë dhe theksoi se bashkëpunime të tilla nuk do të mungojnë asnjëherë nga Departamenti që ajo udhëheq. Gjithashtu, znj. Gashi shtoi se ndihet e lumtur që bibliotekës së qytetit çdo vit po i shtohen investimet dhe për dëshirën e gjithë lexuesve, njoftoi se janë paraparë edhe projekte të tjera në muajt në vazhdim.