Patozi: Nuk na ndalin dot, pavarësisht kërcënimeve
Koordinatori Bindjes Demokratike, Astrit Patozi, ka reaguar pas largimeve të disa kandidatëve të kësaj partie në garën për kryebashkiakë në zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri.
Ai në llogarinë e vet në “Facebook”, ka shkruar se askush nuk mund ti ndal në rrugën e nisur, pavarësisht kërcënimeve.
Postimi i plotë i Patozit:
NUK NA NDALIN DOT, NDAJ JANË TËRBUAR NGA DËSHPËRIMI
Krenarë për atë që kemi bërë në kaq pak ditë dhe mirënjohës për gjithkënd që mbështeti dhe besoi tek Bindja Demokratike. Sot jemi realisht shumë më tepër dhe shumë më të fortë se në ditën e parë.
Asnjë peng për ata që u ndanë prej nesh për shkak se u kapën për fyti dhe u lidhën prej këmbësh nga të dëshpëruarit e sistemit, të cilët ndjehen tmerrësisht të kërcënuar nga era e Bindjes Demokratike.
Shikojeni vetë si janë shpërfytyruar, sa kanë nisur me tërbim një fushatë të egër kundër nesh, që të kujton gjuetinë e nazistëve ndaj hebrenjve, para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Kurrë më parë nuk ka ndodhur që një partie politike, ndonëse fare e re, t’i sulmohen, përgjohen dhe merren peng, që nga firmëtarët e deri tek kandidatët e saj për zgjedhjet e 30 qershorit.
Është e pashembullt kjo që po ndodh, por ajo konfirmon gjithashtu se ne kemi bërë gjënë e duhur në kohën e duhur.
E kanë kot. Sepse nuk na ndalin dot, ndaj edhe janë kaq të acaruar. Nuk ia vlen të merreni me inkuizitorët, ndonëse i njohim me emra, ua dimë edhe zyrat ku i kanë thirrur të penduarit, në prani të dëshmitarëve mediatikë.
Sepse koha e tyre po skadon me shpejtësi. Është koha e Bindjes Demokratike.
/Epoka e re/
https://www.facebook.com/Astrit.Patozi/photos/a.1451089961617569/2368291289897427/?type=3&theater