Patriarku Kirill takon Metën: Shqipëria, bashkëjetesë e mrekullueshme fetare
Patriarku Kirill ka vlerësuar gjatë takimit me kreun e shtetit, Ilir Meta lartësimin e mëtejshëm të besimeve fetare në Shqipëri, çmoi lart harmoninë e bashkëjetesën mrekullueshme fetare dhe punën e shkëlqyer të klerikëve shqiptarë në këtë drejtim.
Duke çmuar punën e jashtëzakonshme të kryepeshkopit Anastas në veçanti, Patriarku Kirill ka shprehur mirënjohjen edhe për të gjithë drejtuesit e besimeve fetare në vend, që e nderuan gjatë kësaj vizite.
Ndërsa presidenti Meta, në vlerësim të kësaj vizite historike, nënvizoi mesazhet e rëndësishme që ajo përcjell, në dobi të paqes, mirëkuptimit, solidaritetit e harmonisë fetare.
Ai vlerësoi kontributin e Patriarkut Kirill në funksion të këtij misioni universal, referuar edhe takimit historik të Havanës, së dy viteve më parë, mes tij dhe Atit të Shenjtë, Papa Franceskut dhe mesazheve të përbashkëta që ata përcollën, jo vetëm për besimtarët e krishterë por për mbarë njerëzimin.
Presidenti Meta theksoi se roli i besimeve fetare është i pazëvendësueshëm për paqen, bashkëjetesën dhe harmoninë midis popujve dhe kombeve.