Patriarku lutet rrugëve të Moskës për ta ndaluar koronavirusin
Patriarku i Kishës Ortodokse Ruse, Kirill, doli nëpër rrugët e Moskës mëngjesin e së premtes me një ikonë të shenjtë, për t’u lutur për ndalimin e koronavirusit.
Ikona e shenjtë e Virgjëreshës Mari përshkoi 106 kilometra në rrugët e kryeqytetit rus, në një procesion me makina të zeza që u transmetua nga televizioni shtetëror përpara se të kthehej në katedrale, ku u mbajt edhe një shërbesë.
Patriarku Kirill deklaroi se do ta vazhdojë këtë lloj lutje në rrugët e Moskës dhe u bëri thirrje qytetarëve që t’i respektojnë masat kufizuese, të vendosura nga autoritetet, për ta parandaluar përhapjen e pandemisë.
Moska konsiderohet epiqendra e COVID-it në Rusi dhe që prej të hënës ka ndërmarrë masa shtrënguese. Deri tani në Rusi regjistrohen 34 viktima nga koronavirusi dhe mbi 4 140 persona të infektuar./A2CNN