Patriot Krasniqi zgjedhet kryetar i këshillit për organizimin e degës së PDK-së në Itali!
“Patriot Krasniqi është zgjedhur kryetar i këshillit për organizimin e degës së PDK-së në Itali”, kështu ka bërë të ditur Deputeti i Kuvendit të Kosovës, Elmi Reçica, njëherit koordinator për Organizimin e PDK-së në Mërgatë.
Reçica së bashku me nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, kanë marrë pjesë në zyrtarizimin e këshillit për organizimin e degës së PDK-së për Itali.
Njoftimi i plotë i Reçicës:
Së bashku me nënkryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Enver Hoxhaj, ishim të nderuar të mernim pjesë në zyrtarizimin e këshillit për organizimin e degës së PDK-së për Itali.
Në praninë e shumë veprimtarëve të shquar, intelektualëve e afaristëve të suksesshëm nga të gjitha regjionet e Italisë, si dhe në praninë e mërgimëtarëve të suksesshëm si Besnik Veselaj, themelues i shoqatës “Zëri i atdheut” në Montebeluno dhe kryetarit të shoqatës Isuf Zenelaj, kryetar u zgjodh afaristi i suksesshëm nga qyteti i Firencës, me prejardhje nga një familje atdhetare nga Prizreni, Patriot Krasniqi, nënkryetar Agim Fetaj, afarist në Padova, sekretar Admir Zogaj, afarist në Treviso i diplomuar në Itali.
Morëm pjesë edhe në kuvendin zgjedhor të themelimit të nëndegës së Toskanës, e cila është nëndega e parë e zgjedhur në një proces shumë demokratik dhe me pjesëmarrje masive të mërgatës nga ky regjion.
Kryetar i nëndegës së PDK-së, për Toskanë u zgjodh Qëndrim Ajgeraj, nënkryetar Fadil Berisha dhe sekretar Përparim Krasniqi.
Mosprania jonë si strukturë, për ta thënë të vërtetën rreth zhvillimeve në vend dhe për PDK-në, ka ndikuar që një pjesë e mërgatës sonë të fillojë të besojë në trillime, gënjeshtra dhe shpifje, efekti i të cilave është manifestuar në rezultatin zgjedhor të PDK-së në Itali dhe fuqizimin e një lëvizje politike e cila është dëshmuar me fakte dhe argumente si parti antishtetërore.
Prandaj, riorganizimi partiak i Partisë Demokratike të Kosovës në Itali është i rëndësishëm, i nevojshëm, dhe i domosdoshëm.
Vizioni ynë është që mërgata në vazhdimësi të jetë e informuar dhe e përgatitur që të veprojë së pari për të mirën e Kosovës, të mirën e vet dhe të PDK-së.
Misioni i saj derivon nga mundësia e shfrytëzimit të potencialit të mërgimtarëve për zhvillimin e vendit, qoftë përmes burimeve njerëzore apo edhe të kapitalit.
Kontributi i mërgimtarëve edhe në Itali është i njohur, i sprovuar në të gjitha etapat kohore, në të cilat ka kaluar vendi. Këtë kontribut e kemi parë dhe ndjerë para, gjatë dhe pasluftës.
Pa ndihmën e mërgatës edhe nga Italia, familjet në Kosovë do ta kishin shumë më të vështirë përballjen me jetën. Vështirësi do të kishte edhe shteti dhe shoqëria, andaj u jam përherë mirënjohës.
Në veçanti, konsiderojmë se diplomacia politike, ekonomike dhe kulturore, nuk mund të fuqizohet pa proaktivitetin e diasporës.
Rikthimi i PDK-së në qeverisje fillon këtu, me rikthimin e PDK-së, fuqishëm në Itali dhe në të gjitha vendet ku është mërgata e shtetit tonë.