“Patriotë të devotshëm”, Topalli flet për ish-komandantët e UÇK-së, Zahir Pajaziti e Sali Çekaj

22 maj 2022 | 00:30

Stërvitjet e grupit të parë nga Kosova për luftë guerile zgjatën rreth një muaj, që nga data 1 tetor e vitit 1991 deri më 20 tetor të vitit të njëjtë.

Në mesin e 52 ushtarëve të këtij grupi bënin pjesë edhe dy ish-komandantët e UÇK-së, Zahir Pajaziti dhe Sali Çekaj, mirëpo cili ishte roli i tyre në këtë grup?

Ish i burgosuri politik, njëkohësisht pjesëtar i grupit të lartpërmendur, Ylber Topalli, i ftuar në emisionin n’Demos ka shpalosur detaje rreth veprimtarisë së këtyre dy figurave të njohura.

Ai tha se asnjëri nga ta nuk e ka udhëhequr grupin e parë të stërvitur në Shqipëri, ani pse ekzistojnë thashetheme mbi këtë dhe se çështja e udhëheqjes së grupit ka marrë një konotacion politik.

“Ajo çka është më e rëndësishmja edhe Sali Çekaj edhe Zahir Pajaziti kanë qenë bartës të shumë aktiviteteve dhe patriotë të devotshëm, të cilët në fund e dëshmuan edhe me vulën e dhënies së jetës së tyre dhe kanë statusin e heroit, por në Shqipëri nuk ka pasur komandantë të grupeve, të gjithë ushtarët 52 kanë qenë ushtarë të barabartë”, potencoi ish i burgosuri politik.

Më tej Topalli bëri të ditur se Zahir Pajazitin dhe Sali Çekajn nuk i kishte njohur para se të ishin bashkë në grupin e parë, ku poashtu tregoi pak për karakterin e tyre, derisa i vlerësoi si njerëz të qetë.

“Ajo çka më bëri përshtypje tek ta ishte entuziazmi dhe këmbëngulësia për të absorbuar sa më shumë artin luftarak, spjegimet e sqarimet që jepnin eprorët e Shqipërisë, dhe në mënyrë të veçantë më ka bërë përshtypje heshtja e tyre, qetësia e tyre”, theksoi ai në emisionin n’Demos.

Dëshmitari i Masakrës së Dubravës tha se Pajaziti edhe Çekaj ani pse ishin më të tërhequr, kishin të dy veçantinë e tyre.

“Mund të them se ata kanë qenë persona në vetvete të tërhjekur, që kur bisedonim diçka vetëvetiu ngritej një shqetësim ku e kanë mendjen, çka janë tu mendu. Kishin një parafytyrim për të ardhmen, e kanë pasur veçantinë e vetë”, bëri të ditur ai në emisionin n’Demos.

Ylber Topalli i cili rrëfeu për të gjitha përjetimet e tij që nga formimi i grupit të parë e deri te Masakra e Dubravës, ishte i burgosur në burgun e Beogradit dhe Dubravës.

Ai rrjedh nga një familje me traditë të gjatë patriotike, e cila brez pas brezi ka dhënë dëshmorë.

Topalli formësimin patriotik e ka zhvilluar në shkollë te mesme përmes aktiviteteve të ndryshme, pastaj gjatë kohës së studimeve dhe në protestat e vitit 81.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Kongresisti amerikan Ritchie Torres ka takuar afaristin e njohur kosovar…