Paul Pogba iu ofrua Real Madridit në merkaton e dimrit
Paul Pogba, mesfushori francez i Manchester United, iu ofrua Real Madridit në merkaton e dimrit të fundit.
Sipas “Sport Illustrated”, Mino Raiola, agjenti i futbollistit në fjalë, mori kontakt me ekipin “merengues” për të hetuar mundësinë e kalimit të ndërkombëtarit francez në “Bernabéu”, në merkaton e janarit të këtij viti.
Megjithatë, nga drejtuesit e “Los Blancos”, të cilët kanë qenë të gatshëm gjithmonë të negociojnë me Raiola, ky i fundit mori përgjigje negative. Real Madridi ka pretenduar se tashmë ka elementë të mjaftueshëm në zonën e gjerë të fushës, ku Pogba zakonisht vepron, për të justifikuar refuzimin e tij.
Pogba, i cili ka pasur disa mosmarrëveshje me Jose Mourinhon, mund të largohet nga “Old Trafford” këtë verë, megjithëse duket se agjenti i tij është përpjekur ta shpejtojë transferimin e tij disa javë më parë.