Pavarësia dhe sovraniteti i pushtetit shtetëror

24 dhjetor 2021 | 17:44

Prof.Dr.Fejzulla BERISHA

(Funksioni i Sovranitetit të Brendshëm dhe Funksioni i Sovranitetit të Jashtëm)

Pushteti shtetëror dallohet nga veprimtaritë e tjera shoqërore sepse çdo gjë që është shoqërore mund të mos jetë shtetërore. Funksioni i shtetit dhe së drejtës është specifik në shoqëri, shteti dhe e drejta kanë për detyrë ose mision të ruajnë rendin dhe qetësinë, të realizojnë drejtësinë, mbrojnë liritë dhe të drejtat e njeriut etj. Përcaktimi i funksionit të shtetit është ndër çështjet më primare jo vetëm si nocion por edhe si veprimtari ku përcaktohen kahet kryesore të aparatit shtetëror, dinamik dhe detyrat kryesore si mjet i realizimit të veprimtarisë së saj. Sipas disa teoricientëve,  funksionet e shtetit bazohen ekskluzivisht në veprimtarinë shtetërore,  çdo gjë që është veprimtari shtetërore llogaritet si funksion shtetëror. Veprimtaria shtetërore përfshin: veprimtarinë legjislative, ekzekutive, gjyqësore, por në korpusin e përgjithshëm të veprimtarisë shtetërore kemi veprimtaritë: ushtarake, policore, juridike, ekonomike, kulturore, sociale, edukative – arsimore, shëndetësore etj. Për veprimtarinë – funksionet shtetërore kemi kuptime dhe teori të ndryshme. Lidhur me këtë kemi kuptimin teologjik, ku në kuadër të këtij kuptimi shteti paraqitet institucion që e realizon të drejtën.  Veprimtaria e shtetit është veprimtari konkrete dhe vepron për interesin e përgjithshëm  për shoqërinë. Shteti dhe e drejta kanë mision – detyrë për qëllim të caktuar.

Funksioni i shtetit përbën ato funksione që janë të lidhura me interesin e përgjithshëm shoqëror. Shteti dhe e drejta janë veprimtari shtetërore, për ruajtjen e interesit shtetëror dhe këtë e realizon nëpërmjet monopolit të forcës fizike. Shteti dhe e drejta mbrojnë dhe realizojnë marrëdhëniet politike, ekonomike, pronësore, shëndetin publik etj. Funksioni i shtetit dhe së drejtës nga ana  tjetër paraqitet si funksion detyrimi shtetëror, që e realizon nëse është e domosdoshme, nëpërmjet monopolit të dhunës fizike, me fjalë të tjera nëpërmjet detyrimit, si forcë e organizuar shtetërore. Shteti është një organizatë që ka në dispozitiv monopolin e detyrimit fizik, përkatësisht pushtetin sovran, që shërben për ruajtjen e interesave të shtetit. E drejta është tërësi normash juridike që janë të organizuara nga shteti-aparati shtetëror.

Pavarësia dhe sovraniteti i pushtetit shtetëror nga çdo pushtet tjetër

Ky nocion nënkupton që pushteti shtetëror është i lirë në marrjen e  vendimeve të veta ndaj çdo ndërhyrjeje të huaj nga jashtë, d.m.th. pushteti shtetëror vepron në mënyrë të pavarur në marrëdhëniet me shtetet e tjera, kuptohet gjithnjë duke u mbështetur në autoritetin dhe forcën e vet, të cilin pushteti është i lirë ta ushtrojë në bazë të së drejtës ndërkombëtare, përkatësisht marrëveshjeve ndërkombëtare, marrëveshje të cilat i dedikohen të drejtës së brendshme, si e drejtë nacionale. Vendosja e rendit juridik është një e drejtë ekskluzive e pushtetit  shtetëror. Asnjë organizatë tjetër politike brenda vendit dhe asnjë organizatë e shteteve të tjera nuk e ka këtë prerogativë brenda territorit të një shteti sovran. Si rregull Deklarata e Pavarësisë së Kosovës ka mbështetje në të drejtën pozitive ndërkombëtare, pra në përputhje me Kartën e OKB-së 1945, Deklaratën Universale të OKB-së 1948, paktet ndërkombëtare për të Drejtat Ekonomike Shoqërore, Kulturore dhe Sociale si dhe me Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike dhe Politike, të gjitha këto të miratuara nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së më 1966 nenet 1 të këtyre pakteve, Dokumentin e Helsinkit 1975 dhe Kartën e Re të Parisit 1990 për një Evropë të Re dhe të Bashkuar, që kemi të bëjmë me Rendin e Ri Botëror.  Në këtë kontekst pushteti shtetëror është i pavarur nga çdo pushtet tjetër në marrjen e vendimeve të ndryshme, nuk i dëgjon, nuk i nënshtrohet urdhrave të huaj.

Domethënë, gjatë nxjerrjes së vendimeve, pushteti shtetëror nuk është i obliguar të dëgjojë apo t`u bindet urdhrave nga ndonjë pushtet i jashtëm. Shtetet e jashtme  nuk mund të përzihen në punët e brendshme të shtetit dhe ndërhyrja e çdo pushteti të jashtëm në pushtetin e brendshëm paraqet rrezikimin e sovranitetit mbi të cilin zbatohet.

Shteti identifikohet përherë me ushtrimin e autoritetit të pushtetit shtetëror, ku nëpërmjet këtij pushteti, ai prodhon dhe modifikon të drejtën. Shteti funksionet përkatëse shtetërore i realizon me anë të pushtetit, i cili është mekanizëm për kryerjen e funksioneve përkatëse të tij. Koncepti i pushtetit është koncept shoqëror, që mund të kuptohet vetëm si një marrëdhënie ndërmjet dy subjekteve, ndërmjet dy vullneteve. Pushteti është aftësia për t’ia imponuar një urdhër, një rregull, sjellje një tjetrit, në rast se  ky i fundit nuk e zbaton vullnetshëm normën përkatëse, përkatësisht të drejtën. Ushtrimi i pushtetit shtetëror nuk është asgjë tjetër përveçse lidhet me krijimin dhe aplikimin, përkatësisht zbatimin e së drejtës. Në kuadër të pushtetit shtetëror, apo për të kuptuar më mirë pushtetin, duhet nisur nga karakteri i përgjithshëm i tij. Pra, vëmë re se në praktikë spikasin disa lloj pushtetesh: ai familjar, shkollor, shëndetësor, fetar, kulturor – sportiv etj. Nocioni i pushteteve mund të kuptohet si raport ndërmjet dy subjekteve, dy vullneteve. Pushteti është urdhër për sjelljen e tjetrit. Çdo pushtet është një lloj detyrimi, varësie nga tjetri. Kur kemi të bëjmë me pushtetin shtetëror do të duhej të kihet parasysh si një lloj pushteti shtetëror që ka në disponim shtrëngimin fizik, që është aparat i posaçëm, që me këtë shtrëngim realizon qëllimin e dedikuar. Por detyrimi i pushtetit mund të jetë i dyfishtë: me mjete morale pa përdorimin e forcës së vullnetshme, sjellje të vullnetshme ndaj normës juridike dhe në anën tjetër detyrimi mund të jetë në pajtim me urdhrin, pa përdorimin e forcës dhe me përdorimin e forcës fizike.

Sovraniteti shtetëror është një ndër çështjet më të rëndësishme të shtetit. Fjala “sovranitet” e ka origjinën nga latinishtja “supremus, superanus” supreme dhe nga e drejta franceze “sovran” dhe ka të bëjë me atë se shënon kuptimin e subjektit si sovran – suprem, përkatësisht të pavarur nga të tjerët.

Sipas nenit 2.të Kushtetutës së Republikës së  Kosovës 1.Sovraniteti i Republikës së Kosovës buron nga populli, i takon popullit dhe ushtrohet, në pajtim me Kushtetutën, nëpërmjet përfaqësuesve të zgjedhur, me referendum, si dhe në forma tjera, në pajtim me dispozitat e kësaj Kushtetute.2.Sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pacenueshëm, i patjetërsueshëm dhe i pandashëm dhe mbrohet me të gjitha mjetet e përcaktuara me ketë Kushtetutë dhe me ligj.3. Republika e Kosovës, me qëllim të ruajtjes së paqes dhe mbrojtjes së interesave shtetërore. Sovraniteti është një koncept themelor i së drejtës, sidomos i së drejtës kushtetuese dhe asaj ndërkombëtare. Koncepti i sovranitetit të pushtetit shtetëror, si koncept i së drejtës, ka dy kuptime: si koncept në të drejtën e brendshme që është i rregulluar me të drejtën kushtetuese dhe si koncept në të drejtën ndërkombëtare që këtë fenomen – kategori e trajton e drejta ndërkombëtare publike. Si rregull sovraniteti është një ndër çështjet e pushtetit shtetëror, pa të cilën as që mund të ngërthehet termi shtet, në kuptimin e brendshëm dhe të jashtëm. Pushteti shtetëror mbështetet në monopolin që  do të thotë sovran më i lartë, suprem nga të tjerët, i pavarur. Si rregull nocioni i sovranitetit lidhet me shtetin – pushtetin shtetëror, ku sipas mendimtarit Lojesau, autor francez, shprehet se: “Sovraniteti shtetëror është forma që  i jep shpirt shtetit”. Nëse do të referohemi në fjalorin politik të Oksfordit, me nocionin sovranitet nënkuptohet ” kërkesë për të  qenë autoritet i fundit politik që nuk i nënshtrohet asnjë pushteti më të lartë për sa i përket marrjes dhe zbatimit të vendimeve politike”. Sovraniteti shtetëror, zakonisht, konsiderohet si sovranitet në tre elemente të domosdoshme: në pavarësinë ndaj pushtetit të çdo shteti tjetër, mungesën e çdo kufizimi formal për pushtetin shtetëror në nxjerrjen e atyre dispozitave që  atij i duken të arsyeshme, epërsinë që ka pushteti shtetëror në territorin ku ai shtrihet, mbi çdo pushtet tjetër. Sovraniteti i pushtetit shtetëror ka dy  veti të pushtetit  shtetëror: pushtet shtetëror në tërë territorin e  vet, duke disponuar me forcë imponimin për realizimin e qëllimeve të caktuara në njërën anë, por pushteti shtetëror disponon edhe me sovranitet të jashtëm, nëse ai shtet është anëtar i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, atëherë shteti ka “sovranitet të barabartë” sepse ky sovranitet i barabartë është i garantuar dhe njihet me Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara.

Sovraniteti i pushtetit shtetëror mund të shpjegohet në kuptimin juridik dhe politik. Në kuptimin juridik sovraniteti shtetëror nënkupton pavarësinë e pushtetit nga jashtë, nga faktorët e jashtëm që s’mund të ndikojnë në çështjet e caktuara të shtetit, në njërën anë, por kemi edhe epërsinë e këtij pushteti ndaj gjithë  faktorëve të brendshëm. Ndërsa në kuptimin politik, për sa i përket sovranitetit të pushtetit shtetëror, kemi të bëjmë me raportin ndërmjet pushtetit politik dhe pushtetit shtetëror. Çështjen e sovranitetit të pushtetit shtetëror, e drejta ndërkombëtare përkatësisht rendi i ri ndërkombëtar, e trajton si një ndër kategoritë kryesore të shtetit dhe pavarësisë së tij. Pavarësia pa sovranitet do të ishte tepër dekorative dhe deklarative, veprimet e pushtetit shtetëror s’do të kishin efekt juridik.

Sovraniteti i pushtetit shtetëror, rezulton se shteti nëpërmjet organeve më të larta shtetërore ka një pozitë të  lartë – superiore në vendimmarrje, zbatueshmërinë e tyre, ku në aspektin juridik dhe politik nuk varet nga askush në marrjen dhe zbatimin e çdo vendimi. Për funksionin e  shtetit do të ndalemi tek dy elementet e tij si: elementi – funksion i brendshëm dhe elementi – funksioni  i jashtëm.

I Elementi-funksionet-sovraniteti i brendshëm i shtetit. Elementi – funksioni i brendshëm i shtetit dhe së drejtës janë të lidhura tërësisht me realizimin e detyrave shtetërore në aspektin e brendshëm, por në kuadër të funksionit të brendshëm shteti kryen këto veprimtari: në funksionin shtet formues dhe mbështetje të rendit juridik: sigurimin e të drejtave pronësore juridike, private, mbron liritë dhe të drejtat e qytetarëve, ushtron veprimtarinë ekonomike, kulturore, sociale, ekologjike, shëndetësore, ushtarake, policore, arsimore edukative etj. Funksioni i brendshëm i shtetit ndërlidhet ekskluzivisht me mbrojtjen e lirive dh të drejtave të njeriut. Ky funksion njësohet ndër funksionet kryesore sepse në vete realizon detyrën e tij më kryesore, ruajtjen e sundimit të parimit të kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë, ku duke ushtruar këtë funksion shteti realizon edhe politikën e brendshme dhe të jashtme.

Thënë ndryshe funksionet  e shtetit duhet të jenë në funksione shërbimet e mbrojtjes së lirive dhe  drejtave të njeriut, duhet të njësohet si shtet ligjor, përkatësisht shteti i së drejtës.

Për nga klasifikimi i funksioneve të shtetit, ai kryen edhe këto veprimtari të brendshme dhe të jashtme, për nga kohëzgjatja: të përhershme dhe të përkohshme, për nga rëndësia: kryesore dhe jo kryesore. Ndërsa përsa i përket zbatimit të mjeteve juridike në: veprimtari legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore. Në teoritë bashkëkohore të funksionit shtetëror dallohen dy forma të realizimit të funksioneve të shtetit: si veprimtari dhe formë juridike dhe organizative. Format juridike të veprimtarisë, përkatësisht të funksionit shtetëror, janë të lidhura në zbatimin e akteve juridike, të cilat  i kanë krijuar organet me autoritetin më të lartë shtetëror. Krahas krijimit të akteve për miratim, kemi zbatimin, realizimin e akteve normative nëpërmjet zbatimit të ligjeve gjithnjë me karakter dhe veprimtari administrative. Ndërsa, për sa i përket veprimtarisë  organizative, formës organizative, organizimit të administratës shtetërore, kjo kushtëzohet drejtpërsëdrejti nga rendi shoqëror i një vendi dhe organizimi i tij shtetëror. Pastaj kemi teorinë mbi ndarjen e pushtetit shtetëror, si funksion shtetëror, ku sipas Monteskjesë, pushteti shtetëror është i ndashëm. Bazat e një parimi të tillë hidhen nga Xhon Loku dhe Monteskje në veprën e tij “Fryma e ligjeve”. Pushteti kategorizohet në: pushtetin legjislativ, pushtetin ekzekutiv dhe pushtetin gjyqësor. Këto tre pushtete  kanë një lloj pavarësie të balancuar. Funksioni ekzekutiv me atë administrativ, në një mënyrë e kanë një funksion të përbashkët. Por ka vende dhe që bëjnë dallimin e tyre. Funksionin ekzekutiv e ushtrojnë organet ekzekutive, ndërsa funksionin administrativ, organet e administratës shtetërore. Është karakteristikë për të theksuar se funksionin administrativ, përveç që kryejnë organet qendrore shtetërore, mund të ushtrojnë edhe organizatat, të cilat ushtrojnë punët për njësi administrative, ekskluzivisht institucionet të cilat kanë autorizime publike.

Elementi-funksionet-sovraniteti i jashtëm i shtetit. Sovraniteti i jashtëm është një nder çështjet më të rëndësishme të së drejtës ndërkombëtare, ndersa respektimi i sovranitetit njësohet ndër bazat e sistemit ndërkombëtar. Shteti i kryen këto funksione: ruajtjen e paqes dhe koekzistencës paqësore, mundësinë e bashkëpunimit me jashtë, mbrojtjen e sovranitetit shtetëror nga agresionet e jashtme etj. Duke u bazuar në gjendjen aktuale të Kosovës, Kosova ende është gjysmë sovrane, ku  në të drejtën e brendshme mbi 20% e territorit të Kosovës dhunohet nga strukturat kriminale të Serbisë hegjemoniste. Në atë pjesë të territorit të Republikës së Kosovës i kemi të them një sërë pushtetesh: Pushtetin e UNMIK-ut, Eulexit, pushtetin e Beogradit- (me heshtjen e faktorit ndërkombëtar) dhe pushtetin e Republikës së Kosovë, pushtet që me shumë është dekorativ dhe deklarativ, se sa funksional. Si rregull e rregullt juridike është pushteti i Republikës së Kosovës, bazuar në Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës duhet të kenë efekt juridik në tërë territorin e saj. Kosovës i nevojitët sovraniteti i jashtëm, kjo arrihet me integrimin-ingranimin në strukturat e fuqishme  ndërkombëtare, në veçanti, Kosovës duhet të i sigurohet sovraniteti i jashtëm, kjo  arrihet kur të pranohet  anëtare e barabartë në OKB dhe BE. Pa sovranitet të jashtëm Kosova nuk mund të jetë në cilësinë e shtetit funksional, qoftë në të drejtën e brendshme dhe atë ndërkombëtare. Me këtë nënkuptohet  se drejta e brendshme aplikohet brenda një sfere  territoriale, duke ju nënshtruar rendit juridik ndërkombëtar, me fjale të tjera e drejta e brendshme si rregull është në varësi të drejtës ndërkombëtare pozitive. Si rregull raportet ndermet të drejtës së brendshme dhe së drejtës ndërkombëtare rregullohen me kushtetutë. Sipas Prof.Dr.Zejnulla GRUDES, sovraniteti përmban në vete pavarësinë e anëtarëve te vet nga sulmi i jashtëm, kurse  Karta e OKB-së ndalon çfarëdo kërcënimi me forcë, ose përdorimit të forcës, i cili do të ishte kundër integritetit  territorial dhe pavarësisë politike të cilit do shtet tjetër.(Ne i 2,alineja 4) e Kartës së OKB-së. Thënë ndryshe e drejta e sovranitetit ndërlidhet me rregullat e së drejtës  e të drejtës ndërkombëtare, siç janë: respektimi i sovranitetit shtetëror, supermecioni territorial dhe paprekshmëria territoriale, pavarësia politike, barazia territoriale dhe paprekshmëria territoriale, ndalimi i përdorimit të forcës dhe mosndërhyrja në punë e brendshme të shteteve tjera.Sovraniteti i jashtëm ngerthen në vete pavarësin e shtetit nga shtetet tjera, d.m.th  pavarësinë e plotë në raport me shtetet tjera. Si rregull e rregullt në raportet ndërkombëtare shteti është sovran  dhe i lirë të vendos, të mbajë ose të mos lidhë ndonjë marrëveshje ndërkombëtare, te bëhet apo të mos bëhet anëtar i ndonjë organizate ndërkombëtare, pa asnjë imponim nga jashtë.

Epërsia-supërmacioni i pushtetit  shtetëror

Në aspektin juridik supermacia e shtetit paraqet formën konstituive kushtetutë dhënëse – legjislative dhe të përgjithshme mbi të gjitha pushtetet që pasojnë pas tij. Shih: A.V. Malko.1,kreu 3. Aparati shtetëror krijohet dhe organizon veprimtarinë e vet, pavarësisht nga çfarëdo pushteti tjetër shoqëror brenda vendit. Kjo do të thotë se në  territorin e vet, shteti është suprem – mbizotërues mbi të gjitha pushtetet e tjera, d.m.th. pushteti më i lartë, vullnetin e vet ia imponon pushteteve të tjera dhe ndaj atyre është mbizotërues. Në këtë kontekst të gjitha pushtetet tjera janë të detyruara të  dëgjojnë pushtetin qendror.

Supermacioni, përkatësisht mbizotërimi, është më i fuqishëm sipër pushteteve të tjera në kuadër të territorit të tij. P.sh. marrim organin më të lartë shtetëror, parlamentin si organ legjislativ, ku të gjitha pushtetet tjera që pasojnë pas tij, siç është ai ekzekutiv dhe gjyqësor, janë varës ndaj pushtetit qendror shtetëror. Nuk mund të anashkalojmë  pa e shtjelluar edhe mbartjen e sovranitetit shtetëror në kompetencat e organizatave të ndryshme ndërkombëtare. Luan OMARI “Parime dhe Institucione të së drejtës Publike” botimi i dhjetë, Shtëpta botuese “Elena Gjika”Tiranë,2007. Republika, në bazë të marrëveshjeve të ratifikuara ndërkombëtare, për çështje të caktuara mund të kalojë kompetencat shtetërore të organizatave ndërkombëtare. Nëse një marrëveshje anëtarësimi i ratifikuar nga Republika e Kosovës për pjesëmarrje në organizata ndërkombëtare në mënyrë eksplicite kërkon zbatim të drejtpërdrejtë të normave të kësaj organizate, ligji me të cilin ratifikohet marrëveshja e anëtarësisë miratohet me votat e dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit dhe ato norma kanë epërsi ndaj ligjeve të Republikës së Kosovës. Kohëve të fundit, kufizimi i sovranitetit shtetëror rritet me aderimin e shumë vendeve evropiane në organizatat mbinacionale, si pë shembull bashkimin Evropian (EU).Shtetet anëtare transferojnë të tilla kuota sovraniteti në të tilla organizëm, transferojnë gjithnjë e më shumë sovranitet, duke u atribuuar atyre si kompetencën në krijimin e normave juridikisht të varura, ashtu edhe pushtetin për të adoptuar politika të përbashkëta, të cilat gjithnjë kanë qenë të rezervuara vendimeve sovrane të shteteve anëtare  deri me tani bëhet  fjalë për politikat e përbashkëta monetare, bujqësore etj.

Pushteti shtetëror dhe sovraniteti relativ i pushtetit shtetëror

Koncepti i pushtetit  është një koncept shoqëror, që mund  të kuptohet vetëm si një marrëdhënie ndërmjet dy subjekteve, ndërmjet dy vullneteve. Pushteti është aftësia për t’i imponuar një urdhërim, një rregull sjellje një tjetri, pavarësisht ky i fundit këtë e zbaton me dashje apo me pahir. Hyrje në të drejtën Publike, Romeo Gurakuqi, Arenca Trashani, Shkodër -Tiranë 2009.Vendosja e rendit juridik dhe organizimi i mbrojtjes së tij është e drejtë ekskluzive e pushtetit shtetëror. Asnjë organizatë tjetër politike, brenda të drejtës së brendshme shtetërore, nuk e ka këtë prerogativë, me këtë mund të themi se shteti gjithmonë ka pavarësi të plotë nga organizatat tjera. Për sa i përket këtij parimi, që ngërthyem më lart, del se vetëm organet shtetërore kanë në dispozitiv mjetet përkatëse për ta bërë të detyrueshëm këtë vullnet, dhe kjo është e drejtë ekskluzive e pushtetit shtetëror e një vendi, që nuk e ka asnjë organizatë tjetër e shteteve tjera. Këtu kemi përjashtim me rastin e shpërbërjes së ish Jugosllavisë: së pari, në Bosnje – Hercegovinë, ku pushteti vendës ishte nën mbikëqyrjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), së dyti në Kosovë, ku forcat e NATO-s ndërhynë ushtarakisht në mars 1999, pasi qeveria e Beogradit nuk nënshkroi marrëveshjen e përgatitur në Rambuje – Francë, duke vazhduar gjenocidin kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Luan Omari,”Parime dhe Institucione të së drejtës Publike, ”botimi i  dhjetë, Shtëpia botuese “Elena Gjika, Tiranë 2007. Rrjedhojë e fitores ushtarake të NATO-s ishte vendosja në Kosovë e një administrimi që vepron në emër të OKB-së dhe mbështetet po  në trupat e NATO-s (KFOR), UNMIK etj., duke shkëputur praktikisht dhe përfundimisht Kosovën nga juridiksioni i ish Jugosllavisë-Jugosllavisë federale-Serbi-mali i ZI, dhe vënien, përkatësisht zëvendësimin e këtij administrimi në administrim të akteve të nxjerra nga autoritetet përkatëse të Kosovës, aktualisht të Republikës së Kosovës. Sovraniteti i pushtetit shtetëror i Republikës së Kosovës është shprehje juridike e monopolit të vullnetit politik të popullit të Kosovës. Thënë me fjalë të tjera, sovraniteti i shtetit është i barabartë me liritë dhe të drejtat e njeriut. Sovraniteti i shtetit ngërthen në vete edhe aspekte të tjera siç janë: aspekti ekonomik, si sovranitet shtetëror, aspekti politik, si sovranitet i shtetit dhe aspekti juridik i shtetit, ku ky i fundit paraqet formën konstituive, sa i përket lëmit legjislativ.

Thënë ndryshe, pushteti shtetëror është më i fuqishmi nga të gjitha pushtetet tjera në shoqëri, sepse të gjitha ato me anën e monopolit të forcës fizike mund t’i nënshtrojë, t’i detyrojë që t`i binden.

Pas mbarimit të konfliktit të armatosur, që nga 12 qershori 1999, Kosova gjendet nën administrimin heterogjen dhe të pakonsoliduar, e ushtruar nga UNMIK-u, KFOR-i, OSBE-ja, si institucione ndërkombëtare, ku Rezoluta 1244 e vitit 1999 paraqiti nevojën e domosdoshme për përcaktimin e statusit final të Kosovës në Republikë të Pavarur. Me këtë mund të themi se sjelljet e subjekteve të së drejtës  janë të rregulluara dhe të sanksionuara me anën e normave përkatëse, të cilat duhet të respektohen, të zbatohen, t`i urdhërohen dhe kur të shkelen të dënohen. Sovraniteti shtetëror përfshin edhe bazën e dispozitave të rendit juridik, të cilat s’mund të kontestohen nga askush. Këtë sovranitet pushteti shtetëror ia imponon të tjerëve në organizim dhe në zbatimin e së drejtës nëpërmjet organit më të lartë legjislativ tek organet e tjera të pushtetit, si organe varëse, të ndërvarura. James S.Fishkin, Three Democratic Conditions, New York,1991,fq.29-42.

Sovraniteti popullor dhe ai kombëtar

Sovraniteti popullor dhe ai kombëtar radhiten menjëherë pas atij shtetëror. Sovraniteti popullor nënkupton realizimin e vullnetit politik të popullit nëpërmjet konceptit të qeverisjes së shumicës, qe realizohet drejtpërdrejt nga qytetarët, ose nëpërmjet organeve përfaqësuese, te zgjedhura drejtpërdrejt nga qytetarët. LEGJIMITETI I PUSHTETIT BURON NGA POPULLI DHE LIGJI. Populli Legjitimon pushtetin dhe organet e tij, duke u dhen votën e tij mandat për qeverisje (verdikti i popullit). Melvin I Urofsky, Bacic Reading in U.S. demokracy,. United States informacion Agency,Washington,1992. Është e vërtetë se sovranitetin popullor e kuptojmë vetëm si një cilësi të popullit, ku me fjalën popull kuptohet tërësia e qytetarëve që jetojnë në një shtet. Çështja e sovranitetit vihet në veprim, sidomos për të  dëshmuar të drejtën e popujve për vetë përcaktim – vetëvendosje deri në shkëputje që mund të njësohet si sovranitet kombëtar – shtetëror. Sovraniteti kombëtar është e drejta e një kombi për vetëvendosje deri në shkëputje, në rast se ai bën pjesë në një shtet federal, deri në formimin e shtetit të pavarur, në shtetet unitare, ku numerikisht një kombësi përbën shumicën dërrmuese, siç është rasti i Shqipërisë, Italisë, Francës, Gjermanisë, Greqisë, Portugalisë. Si rregull, sovraniteti i këtyre shteteve shtrihet dhe identifikohet me sovranitetin e kombit. Populli është tërësia e qytetarëve që i takojnë një pushteti të njëjtë shtetëror. Kombi është një bashkësi e përhershme e një numri të konsiderueshëm njerëzish që kanë jetuar shumë kohë bashkë dhe se kanë veçori të përbashkëta: në gjuhë, kulturë etj. Në një shtet populli mund të përbëhet nga disa kombe, p.sh. në njësi federale të ndërlidhura në shtetin federativ, me kombe dhe kombësi të ndryshme. Me sovranitet kombëtar kuptojmë të drejtën e kombit për të vendosur nëse do të krijojë shtetin e vet apo do t`i bashkohet shtetit të një kombi tjetër. Kombi është dhe duhet të jetë sovran se ka të drejtën e vetë përcaktimit, vetëvendosjes për të ardhmen e vet, sa i përket vendimit të atij kombi për të qenë indipedent, si një shtet i pavarur apo dëshiron të futet në një shtet shumëkombësh, siç është shteti federativ. Në kohët e mëparshme, kombet si bashkësi, u janë nënshtruar në mënyrë akorduese një sovraniteti shtetëror, me qëllim të ruajtjes dhe ngritjes së identitetit të vet, duke pasur parasysh se parimi i vetëvendosjes do të respektohej deri në shkëputje, pra e drejta për shkëputje prej shtetit të përbashkët për të realizuar të drejtën e krijimit të shtetit të ri, shtetit të pavarur dhe sovran.

Kjo e drejtë përfshin dhe të drejtën e shkëputjes nga shteti me të cilin jeton një komb me kombet e tjera. Në shtetet federale ose në shtetet e përbëra kjo çështje zgjidhet në varësi nga karakteri i federatës, sepse federata mund të jetë e dyllojshme: e detyrueshme dhe vullnetare. Në shtetet federale të formuara ose që mbahen me anë të forcës, meqenëse dikur mund të jetë formuar me vullnet të lirë të pjesëmarrësve, sovraniteti shtetëror është vetëm një formë e sanksionimit të epërsisë së kombit sundues. Raste të tilla kemi pasur me federatën jugosllave, gjatë luftës antifashiste nacionalçlirimtare të popujve të Jugosllavisë, ku krijuan mbi baza vullnetare, me pëlqimin e përfaqësuesve që ato morën statusin e republikave dhe në këtë kontekst u diskriminua  popullsia shqiptare, të cilës iu mohua qenia si subjekt i barabartë me kombet e tjera, e të qenit Republikë e Jugosllavisë. Ngjashmëri të tilla kemi edhe me Bashkimin e Republikave Socialiste Sovjetike, në krijimin dhe shkatërrimin e tyre, përkatësisht fitimin e sovranitetit kombëtar, ish njësitë e ish BRSS, ku shumica e të cilave fituan sovranitetin e tyre dhe janë të njohura, përkatësisht të pranuara në familjen e shteteve ndërkombëtarisht të njohura, kanë fituar subjektivitetin e tyre ndërkombëtar.

Nëse e vështrojmë institucionin e vetëvendosjes, si vlerë e lartë për shtetin e së drejtës, rezulton se çdokush ka të drejtat dhe liritë e shpallura, pa kurrfarë dallimesh, prandaj asnjë shprehje e kohës së fundit, e historisë njerëzore, nuk ka qenë më e privilegjuar për të mbartur misionin dhe barrën e së ardhmes njerëzore dhe shprehjen e të drejtave të njeriut. Si rregull, parimi i së drejtës së vetëvendosjes është i mbështetur në Kartën e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe i jep vlerë praktike dokumenteve, të cilat e rregullojnë këtë. Por edhe tani kur ka rëndësi të jashtëzakonshme në krijimin e shteteve të reja, parimi i vetëvendosjes së popujve, në këtë kontekst, duhet të vlejë edhe për Kosovën. Vetëvendosja, si institucion dhe kategori juridike –politike, është një ndër parimet fundamentale të së drejtës ndërkombëtare dhe një nga të drejtat kruciale kolektive që i referohet autoritetit të popullit të caktuar. “Vullneti i popullit ishte-është parim krucial dhe suprem për zgjedhjen e statusit të Kosovës”. Dr.Sc.Fejzulla BERISHA, Revista “E Drejta-Law” për çështje  juridike dhe shoqërore,nr.2-4.Prishtinë 2006. Vetëvendosje, si institucion themelor që mbështetet në sovranitetin kombëtar, ka vlerën më të lartë të demokracisë dhe duhet të jetë proces permanent dhe gjithëpërfshirës në të cilin, çdo personi, pa dallim bindjeje, feje, race duhet t`i respektohet dinjiteti i tij njerëzor. Në një shtet mund të realizohet njëkohësisht sovraniteti shtetëror, popullor dhe ai kombëtar, sepse përbëhet prej kombeve dhe kombësive të ndryshme, ku mund të pajtohen dhe të jetojnë së bashku në një shtet. Shteti kombëtar, përkatësisht sovraniteti kombëtar, njëson bashkësinë e shtetasve të një kombi që jetojnë në atë shtet nën regjim të njëjtë administrativ dhe me interesa të përbashkëta. Ndër elementet kruciale, që e përbëjnë sovranitetin kombëtar, mund të llogariten dy më kryesore: krijimi i vullnetit politik të popullit dhe realizimi i vullnetit politik, i cili paraqet vetëqeverisjen dhe sovranitetin popullor, përkatësisht sovranitetin kombëtar. Kërkesat për vetë përcaktimin e popullit – kombit ndodhin për arsye të cenimit të lirive dhe të drejtave të njeriut, grupeve të ndryshme dhe ekskluzivisht për shkak të mostrajtimit të barabartë, në aspektin material politik, kulturor etj., në krahasim me kombet shumicë në një shtet të përbashkët. Kjo shkakton pakënaqësi dhe kundërthënie në raportin me kombin numerikisht më të madh, me të cilin ushtron ndikimin nëpërmjet qeverisjes  formale dhe faktike mbi kombet ose bashkësitë e tjera njerëzore më të vogla, duke ushtruar dhunë  dhe terror shtetëror, siç kemi supermacionin e kombit serb ndaj kombeve dhe kombësive të ish-Jugosllavisë. Shkaktare e shthurjes së federatës jugosllave, e përbërë nga kombet dhe kombësitë, ishte dominimi, qeverisja  me sundim kolonial serb ndaj kombeve dhe kombësive të tjera të ish-Jugosllavisë, nga të cilat pjesa dërrmuese e tyre aktualisht e fituan të drejtën e vetëvendosjes, sovranitetin e tyre, sovranitet të cilin ua njohu bashkësia ndërkombëtare.

Pushimi i sovranitetit te pushtetit shtetëror

Pushimi i sovranitetit ka të bëjë atëherë kur pushon së ekzistuari edhe monopoli i forcës fizike dhe këtë  monopol e fiton ndonjë organizatë tjetër.. Në këtë rast parashtrohet pyetja: Kujt i takon sovraniteti? Natyrisht  sovraniteti i takon shtetit të ri, kurse shteti ekzistues e humb monopolin e fuqisë, pushon së ekzistuari si shtet. Në këtë rast, sovraniteti i pushtetit në shtetin e ri është pushtet ilegal dhe legalitetin e fiton organizata e re, që quhet shtet. Domethënë, cila organizatë është superiore ka legjitimitetin, e cila e përmbys  pushtetin e vjetër dhe atë e shpall organizata e re. Si mënyrë tjetër të pushimit të sovranitetit shtetëror kemi pushtimin ose okupimin. Me okupim (pushtim) nënkuptojmë situatën kur një pjesë e një territori ose tërësia e atij territori pushtohet nga një subjekt tjetër ndërkombëtar. Në këtë rast kemi të bëjmë me shuarjen e sovranitetit shtetëror dhe me nënshtrimin e popullit përkatës shtetit të sapokrijuar. Shteti i sapokrijuar bën strukturimin përkatës të strukturave të organizuara shtetërore në atë hapësirë të okupuar. Lidhur me këtë çështje kemi zhdukjen e shteteve, ku ka qenë historikisht si rezultat i pushtimit të territorit të një shteti (debellatio) dhe nënshtrimit të plotë të tij. Shtetet mund të aneksojnë një shtet tjetër edhe pa pushtime e pa luftë. P.sh. Prusia dhe Sardenja, kanë aneksuar (ndaj bashkëngjit) pa luftë  shtetet e ndryshme dhe në këtë mënyrë kanë realizuar bashkimin e tyre kombëtar.

Një shtet mund të zhduket me bashkimin vullnetar të dy ose më shumë shteteve në një shtet të përbashkët. Kështu Mali i Zi ka pushuar së funksionari si organizatë shtetërore dhe si subjekt i veçantë ndërkombëtar, ku asambleja e tij ka shpallur bashkimin me Serbinë më 1918, si Siria dhe Egjipti etj. Zejnullah Gruda “E drejta ndërkombëtare Publike”, botim i plotësuar dhe i përmirësuar, Furkan Shkup,2007. Shteti zhduket me ndarjen e një territori të tij në shtete të tjera, kështu më 1829 – 1830 Kolumbia e Madhe është ndarë në Venezuelë, Ekuador dhe Grenadë të Re, më 1993, Çekosllovakia është ndarë në Republikën Çeke dhe Sllovaki, më 1991 Bashkimi Sovjetik është ndarë pasi republikat baltike rifituan pavarësinë dhe republikat tjera shprehen vullnetin e tyre dhe u bënë sovrane. Ndryshe nga Çekosllovakia dhe Bashkimi Sovjetik, shpërbërja e ish-Jugosllavisë u karakterizua nga shumë marrëveshje dhe mosmarrëveshje deri tek luftërat ndërmjet njësive federale të ish-Jugosllavisë për fitimin e pavarësisë së tyre, në mbështetje të së drejtës së vetëvendosjes. Në mënyrë të shprehur qartë Këshilli i Sigurimit, si organ i posaçëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, më 1992 ka qartësuar se “shteti i njohur më parë si RSF e Jugosllavisë ka pushuar së ekzistuari”. Shuhen shtetet e tilla dhe shndërrohen në një organizatë ose shtet tjetër.  Me fjalë të tjera sovranitetin e fiton një organizatë tjetër më e fuqishme dhe bëhet mbartëse e të drejtave, detyrimeve dhe përgjegjësive, sidomos atyre në të drejtën ndërkombëtare, e legalitetit juridiko-politik.

Shtrirja e sovranitetit të pushtetit shtetëror

Veprimtaria e çdo pushteti shtetëror shtrihet dhe ka efekt juridik brenda kufijve të një territori të caktuar dhe brenda këtij territori popullsia i nënshtrohet pushtetit shtetëror përkatës. Shtrirja territoriale e pushtetit shtetëror është tridimensionale. Dimensioni i parë përfshin tokën brenda kufijve të një shteti, dimensioni i dytë përfshin hapësirën ajrore mbi sipërfaqen tokësore dhe dimensioni i tretë përfshin sipërfaqen ujore – detare. Edhe sipërfaqja ajrore mbi ujërat e brendshme territoriale është pushtet mbi njerëzit dhe se pushteti nuk është universal, d.m.th. nuk përfshin tërë njerëzimin. Territori shtetëror është hapësira që gjendet nën sovranitetin e një shteti. Ai është element qenësor për ekzistimin e tij. Juaraj Andrassy, territori shtetëror shtrihet në sipërfaqe tokësore dhe ujore brenda kufijve, toka dhe ujërat nën këtë sipërfaqe dhe ajri mbi të. Ujërat bregdetare dhe ajri konsiderohen si pjesë që i përkasin hapësirës tokësore, sepse në çdo rast ndajnë fatin e  saj.

Disa autorë, territor shtetëror konsiderojnë anijet detare dhe lumore, fluturaket ajrore dhe selitë oficiale të përfaqësive diplomatike. Sipas disa autorëve hapësira ajrore është e pafund, por praktika e përgjithshme ndërkombëtare konsideron pjesën ku mund të sigurohet dhe garantohet efekti i ushtrimit të pushtetit shtetëror. Por, edhe nëntoka konsiderohet si territor, shtrirje territoriale e pushtetit shtetëror, përkatësisht deri ku ka efekt pushteti shtetëror dhe thuhet deri në gjysmën e globit tokësor, Luan Omari” Parime dhe Institucione të së Drejtës  Publike, botimi i dhjetë, Shtëpia botuese “Elena Gjika, Tiranë 2007., por efektivisht vetëm ku mund të ushtrohet pushteti dhe kjo varet ekskluzivisht nga arritjet tekniko-teknologjike, përsosmëria e mjeteve përkatëse teknike. Në territorin që përfshin  dimensionin ujor përfshihen lumenjtë, liqenet dhe hapësira detare, hapësira që sipas së drejtës ndërkombëtare përcaktohet nga legjislacioni i çdo vendi bregdetar, duke u mbështetur në të drejtën ndërkombëtare, hapësira shkon nga 3 deri në 12 milje. Nëse e analizojmë legjislacionin shqiptar, lidhur me këtë çështje, pushteti shtetëror ka shtrirje territoriale në një lartësi prej 12 miljesh që nga bregu i detit. Në këtë kontekst, duke përjashtuar Kanalin e Korfuzit, ku ujërat tona shtrihen deri në gjysmën e largësisë në mes dy brigjeve. Kjo hapësirë detare përbën ujërat territoriale. Kjo hapësirë përfshin ujërat territoriale. Me këtë ndihet nevoja që të caktohen kufijtë ndërmjet pushteteve dhe lidhur me këtë kemi: bashkësinë hapësinore – territoriale të pushtetit shtetëror, ku të gjithë njerëzit jetojnë në një territor të caktuar. Shteti është bashkësi territoriale, kështu që në pushtetin e tij janë të gjithë njerëzit që jetojnë në territorin e tij.

Territori i shtetit është hapësira territoriale në të cilin shteti e  ushtron pushtetin e vet, ku janë të caktuar kufijtë e vet shtetërorë të shënuar me saktësi. Në kuadër të territorit shtetëror bëjnë pjesë: sipërfaqja tokësore, ujore dhe ajrore. Në pjesët përbërëse të territorit shtetëror hyjnë: toka, përfshirë nëntokën, ujërat, ajri dhe anijet. Perse i përket ujërave, në kuadër të tyre kemi ujërat territoriale (deti) ujërat e porteve, lumenjtë e brendshëm si ujëra të brendshme, ujërat e gjireve, ujërat e gjireve të brendshme, detet e brendshme, liqenet e brendshëm. Në kategorinë e ajrit, në kuadër të kësaj kategorie, hyn ajri mbi det dhe mbi tokë. Për sa i përket anijeve, që llogariten pjesë përbërëse të territorit shtetëror hyjnë: anijet detare, lumenjve si dhe fluturaket. Anijet si rregull përbëjnë pjesë të territorit shtetëror. Këto janë pjesë fiktive të territorit shtetëror: pjesët “lundruese”, pjesët “fluturuese”, ku kryesisht i nënshtrohen ligjeve dhe juridiksionit të shtetit amë. Por që këto anije fluturake të trajtohen si territor “lundrues” ose “fluturues” duhet të mbajnë flamurin, stemën e shtetit të cilit i përkasin dhe këtë pa marrë parasysh a gjenden në ujërat territoriale apo në ujërat e lira detare, detin e hapët. Kjo rregull vlen edhe për aeroplanët. Sa i përket shtrirjes territoriale të pushtetit shtetëror, përkatësisht shtrirjes së kufijve të shteteve të caktuara, kufijtë e shteteve caktohen më së lehti në sipërfaqen tokësore – tokë dhe më vështirë në sipërfaqen ujore. Në ditët e sotme është bërë rregull se vetëm një  brez i ngushtë i detit, pranë bregut të detit, dhe atë në disa  milje nga bregu i detit të konsiderohet territor nën sovranitetin e atij shteti.

Jashtë kësaj hapësire deti është i lirë, nuk përbën territorin e një shteti dhe këto quhen ujëra të lira detare ose deti i hapur i gjithkujt dhe i askujt. Këtë çështje e rregullon e drejta ndërkombëtare publike. Parimisht, çdo shtet ushtron pushtetin e vet mbi këtë territor detar, në ujërat e lira detare. Kjo ka të bëjë tek mjetet e veta lundruese. Konsiderohet se shteti ka sovranitetin territorial, pra pushtetin suprem ose me fjalë të tjera pushtetin më të lartë mbi personat qytetarët – shtetasit në territorin e vet. Sipas rregullave të së drejtës  ndërkombëtare është hapësirë e pushtetit shtetëror si pushtet sovran dhe përfshin çdo pjesë të hapësirës, ku shtrihet dhe ka efekt juridiksioni i atij vendi. Pushteti shtetëror përdor disa masa detyrimi ndaj këtyre personave, shtetasve nëse ata veprojnë në kundërshtim me rregulloren e  atij shteti, qofshin shtetas vendës apo të huaj. Shtetasit, si rregull që gëzojnë të drejtat dhe detyrimet, kanë përgjegjësi ndaj atij shteti nëse nuk iu përmbahen  përmbushjes së detyrimeve ndaj atij shteti.

Përjashtimisht, sipas së drejtës ndërkombëtare ose sipas traktateve ndërkombëtare, është e mundur që në territorin e një shteti të ushtrojë pushtetin e vet një shtet tjetër. Në këtë rast kemi të bëjmë me ekstraterritorialitetin e pushtetit shtetëror. Instituti i ekstraterritorialitetit shtetëror lidhet me konceptin e territorit të shtetit tjetër, ku kemi të bëjmë me përfaqësitë diplomatike të një shteti të huaj, ku në godinat që gjenden përfaqësitë diplomatike, nuk ushtrohet pushteti i atij shteti. Këto godina, sipas së drejtës ndërkombëtare, të drejtës diplomatike, gëzojnë imunitet territorial dhe organet përkatëse të shtetit mikpritës nuk ushtrojnë asnjë veprim të pushtetit. Për sa i përket paprekshmërisë, përkatësisht në kuadër të kësaj çështjeje, kemi dy grupe që mund t`i veçojmë: imunitetin real dhe imunitetin personal, të cilat lidhen me institutin e ekstraterritorialitetit.

Teorinë e imunitetit real e ka programuar Hugo Grocius, ku sipas kësaj teorie misioni diplomatik, lokalet e këtij misioni janë një enklavë brenda shtetit tjetër dhe si të tilla janë pjesë përbërëse e shtetit që e dërgon. Kategoria e parë dhe e dytë e imunitetit ndërlidhet me institutin e ekstraterritorialitetit të pushtetit shtetëror, ku ky i fundit shtrihet edhe jashtë territorit faktik të tij. Gjithashtu ky parim dhe rregull vlen edhe për luftanijet dhe aeroplanët luftarakë kudo që ndodhen të cilët janë pjesë e territorit të atij shteti, flamurin të cilin janë të detyruar ta mbajnë.

Në këtë kontekst kemi të bëjmë edhe me anijet tregtare në det të hapur, të cilat janë pjesë e territorit të shtetit, ndërsa kur hyjnë në ujërat territoriale të një shteti tjetër, patjetër duhet t`i nënshtrohen juridiksionit të atij shteti, p.sh. territori i ekstraterritorializuar siç mund të jenë: përfaqësitë e ndryshme diplomatike – konsullare, shefat e huaj të shteteve, lundrimi i mjeteve lundruese në ujërat e lira detare etj. Për të gjitha këto raste dhe çështje i rregullon në mënyrë të detajuar ekskluzivisht e Drejta Ndërkombëtare Publike.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Bernie Ecclestone kthehet të flasë për të ardhmen e Lewis…