Pavarësisht marrëveshjeve, shqiptarëve në jug të Serbisë nuk u njihen diplomat e Kosovës

24 tetor 2024 | 15:15

Marrëveshja e re e nënshkruar në samitin e Procesit të Berlinit parasheh bashkëpunim më të mirë rajonal dhe mobilitet më të madh të studentëve në Ballkanin Perëndimor, por qytetarët e nacionalitetit shqiptar në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës në Serbi përballen me probleme të vjetra.

Atyre nuk u njihen ende diplomat e marra në Kosovë, përkundër marrëveshjeve të mëparshme, përfshirë një në vitin 2022, e cila ka të bëjë me njohjen reciproke të diplomave universitare.

Kjo paraqet pengesë për punësimin në Serbi, ndaj të rinjtë shpesh largohen nga ky vend. “I kam humbur të gjitha shpresat se do ta zyrtarizoj në Serbi diplomën universitare që kam marrë në Prishtinë dhe do të punësohem me të në Preshevë ose Bujanoc”, thotë një 30-vjeçare për “Radion Evropa e Lirë”.

“Unë kam vendosur – do të shkoj te vëllai im në Zvicër, ku derisa të gjej punë, do të kujdesem për fëmijët e tij”, thotë ajo, duke u shprehur e zhgënjyer me të gjithë politikanët në Serbi, Kosovë dhe Evropë, të cilët, siç thotë, “e kanë fajin” për problemin e mosnjohjes së diplomave.

Ajo nuk do që të identifikohet, për të mos krijuar, siç thotë, probleme shtesë për veten dhe familjen e saj.

Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor – Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe Bosnje e Hercegovinës – nënshkruan Marrëveshjen për qasje në arsimin e lartë dhe pranimin në studime në Ballkanin Perëndimor, në samitin e Procesit të Berlinit më 14 tetor.

Kjo është një marrëveshje e re, qëllimi i së cilës është ta rrisë lëvizshmërinë e studentëve dhe t’u japë atyre të drejtën për të studiuar në institucionet e arsimit të lartë, të akredituara në rajon.

Në komunat e Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, qytetarët e nacionalitetit shqiptar presin ende që Serbia të nisë me njohjen e diplomave të marra në fakultetet në Kosovë – gjë që është dashur të zgjidhej qysh pas samitit të Berlinit në vitin 2022.

Mes tjerash, atëkohë, është nënshkruar edhe Marrëveshja për njohjen reciproke të diplomave universitare, të cilën autoritetet arsimore në Serbi nuk e zbatojnë kur bëhet fjalë për diplomat e marra në universitetet në Kosovë.

Për Serbinë, i diskutueshëm është termi “Republika e Kosovës” në diploma.

Asnjë nga bashkëbiseduesit e Radios Evropa e Lirë nuk mund të japë as të dhëna të përafërta për numrin e të rinjve nga jugu i Serbisë, të cilët presin që diplomat e tyre të marra në institucionet e arsimit të lartë në Kosovë, të certifikohen në Serbi, por vlerësimet e tyre janë se ky problem prek deri në disa qindra njerëz.

Nga viti 2008 e deri më sot, parti dhe grupe të ndryshme politike shqiptare, organizata nga sektori joqeveritar dhe Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve kanë ndërmarrë herë pas here iniciativa dhe aksione për anulimin e vendimit për mosnjohjen e diplomave nga Kosova, por asgjë nuk e ka ndryshuar qëndrimin e Beogradit zyrtar.

Një protestë e tillë, e organizuar nga Këshilli Kombëtar i Shqiptarëve, është mbajtur më 12 gusht të këtij viti në Bujanoc, ku problemi i diplomave të panjohura është cilësuar si një formë e diskriminimit ndaj shqiptarëve në jug të Serbisë.

Shkrimi i plotë: https://www.evropaelire.org/a/me-gjithe-marreveshjet-shqiptareve-te-serbise-nuk-u-njihen-diplomat-e-kosoves-/33171793.html

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ministra e deputetë…