Pavarësisht masave dhe maskave, Kina raporton të infektuar nga Covidi
Provinca veriperëndimore kineze, Shaanxi, i raportoi të shtunën shtatë raste të reja të të infektuarve të ardhur. Të gjithë personat e prekur ishin kthyer në atdhe nga Rusia.
Qyteti Manxhouli në Mongolinë e Brendshme gjithashtu i raportoi tri raste të të infektuarve të ardhur, pa dhënë hollësi për vendin nga kanë ardhur ata.
Kina ka zbatuar kontrolle të rrepta në pikëkalimet kufitare dhe portet detare, duke e ndaluar hyrjen e shtetasve të huaj në territorin e saj që nga 28 marsi dhe duke ua ndërruar destinacionin fluturimeve ndërkombëtare që ishin nisur drejt kryeqytetit Pekin.
Megjithatë, shteti aziatik është përballur me shumë raste të të infektuarve që janë kthyer në vendlindje. Ditëve të fundit, një pjesë e madhe e tyre është kthyer nga Rusia, shkruan “Reuters”, transmeton Express.
Rastet e reja në Shaanxi ishin të gjithë qytetarë kinezë, të cilët më 20 prill ishin kthyer me aeroplan nga Moska. Deri të shtunën, nga ky fluturim janë konfirmuar 30 raste të të infektuarve dhe 8 të infektuar pa simptoma, njoftoi komisioni shëndetësor provincial.
Deri më tani, në vendin ku u shënuan rastet e para të koronavirusit janë konfirmuar 82,816 të infektuar dhe 4,632 të vdekur. Në 24 orët e fundit nuk u raportua për asnjë viktimë të re.