Pavarësisht pakënaqësive, Gërvalla thotë se GUXO është e konsoliduar dhe unike
Bashëkryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka bërë një sqarim rreth partisë, duke thënë se ata që nuk përfshihen në listat për deputetë aktivizohen e zgjohen.
Ky reagim i saj vjen pas reagimit që bëri dje deputeti i Kuvendit të Kosovës, nga radhët e partisë GUXO, Burim Meta dhe reagimit të degës së GUXO-s në Pejë.
Gërvalla ka shkruar në “Facebook” se Partia Guxo dhe e gjithë struktura e saj, sot është më e fortë, më e konsoliduar e më unike se kurrë.
“Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë persona, të cilët kur nuk përfshihen, për arsye të ndryshme, në listën e kandidatëve për deputetë, tek atëherë aktivizohen e zgjohen. Partia Guxo dhe e gjithë struktura e saj, dhe këtë e them me përgjegjësinë jo vetëm të bashkëkryetares së Partisë Guxo, por edhe si kryetare e Degës së Partisë Guxo në Pejë, sot është më e fortë, më e konsoliduar e më unike se kurrë”, ka shkruar Gërvalla.
Reagimi i plotë i Gërvalles:
Para se të ngazëllehen ato media, të cilat me agresivitet të pazakonshëm dhe të panevojshëm sulmojnë Partinë Guxo, më lejoni të bëj një sqarim të shkurtër!
Gjithmonë ka pasur dhe do të ketë persona, të cilët kur nuk përfshihen, për arsye të ndryshme, në listën e kandidatëve për deputetë, tek atëherë aktivizohen e zgjohen. Mllefin, jo rrallë, e shprehin duke personalizuar e privatizuar strukturat partiake dhe duke pretenduar se partia po shuhet pse ata nuk janë në lista zgjedhore.
Partia Guxo dhe e gjithë struktura e saj, dhe këtë e them me përgjegjësinë jo vetëm të bashkëkryetares së Partisë Guxo, por edhe si kryetare e Degës së Partisë Guxo në Pejë, sot është më e fortë, më e konsoliduar e më unike se kurrë.
Me listën tonë prej 15 kandidatësh, në partneritet me VV dhe Alternativën, në zgjedhjet e 9 Shkurtit do të fitojmë fuqishëm e do të vazhdojmë punët e mira për Kosovën!