Pavarësisht skandalit, Facebook-u fitoi shifër marramendëse në çerekun e tretë
Rrjeti i famshëm social, Facebook, ka shënuar fitim më të madh sesa që është pritur në çerekun e tretë të vitit, pavarësisht përballjes me një skandal rreth dokumenteve që kanë rrjedhur në publik.
Gjiganti amerikan shënoi nëntë miliardë dollarë fitim në muajt korrik, gusht dhe shtator, në krahasim me 7.8 miliardë dollarë për të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.
Megjithatë, kompania u godit nga një përditësim i ri i privatësisë në sistemin operativ, iOS 14, që ua bëri më të vështirë firmave që të specifikojnë reklama për përdorues të caktuar.
Ish-punëtorja e rrjetit social, Frances Haugen, ka publikuar një grumbull dokumentesh para gazetarëve duke pretenduar se Facebook-u e ka vënë fitimin para sigurisë së përdoruesve dhe ka bërë veprime joetike.
Disa raportime të medieve thonë se dokumentet e publikuara tregojnë që rrjeti social vazhdimisht kishte dështuar që ta redaktojë përmbajtjen që ka promovuar gjuhë të urrejtjes dhe trafikim të viktimave seksuale jashtë ShBA-së.
Sipas kompanisë, numri i përdoruesve nga tetori i vitit të kaluar deri në fund të shtatorit të këtij viti është rritur numri i përdoruesve për 6 për qind në baza mujore dhe ka shkuar në 2.91 miliardë.